Clinton bën thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes NATO-s dhe Rusisë
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes Rusisë dhe NATO-s, por Moska e shikon aleancën ndëratlantike si relike të luftës së ftohtë dhe si një kërcënim të mundshëm për sigurinë e saj. Clinton i bëri komentet në ëashington gjatë një fjalimi që mbajti në hapjen e një seminari për rishikimin e misionit të NATO-s në shekullin e 21. Clinton hodhi poshtë pretendimet e Rusisë për një traktat të ri sigurie që ëashingtoni beson se do të çonte në një zbehje të ndikimit të NATO-s në Evropë dhe përtej saj.
"Më lejoni ta them pa asnjë mëdyshje se ndonëse Rusia përballet me sfida për sigurinë e saj, NATO-ja nuk është mes këtyre sfidave. Ne duam një marrëdhënie bashkëpunimi NATO-Rusi, që të prodhojë rezultate konkrete dhe t'i afrojë më shumë të dyja palët,"tha Clinton. Mes shqetësimeve kryesore të Rusisë është synimi i NATO-s për t'u ofruar anëtarësim ish republikave sovjetike të Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Moskën e shqetësojnë edhe planet amerikane për të instaluar pajisje për mbrojtjen nga raketat në Rumani dhe ndoshta edhe në vende të tjera europiano-lindore. Clinton bëri thirrje për një hapje më të madhe mes NATO-s dhe Rusisë. Marrëdhëniet mes palëve mbetën të ngrira në muajt pas konfliktit të armatosur të Rusisë me Gjeorgjinë në vitin 2008."Do të ishte në interes të sigurisë në Evropë nëse NATO-ja dhe Rusia do të jenë më të hapura rreth armatimeve tona, objekteve tona ushtarake dhe manovrave tona ushtarake. NATO-ja dhe Rusia duhet të kenë një shkëmbim të rregullt informacioni mbi politikën, doktrinën dhe manovrat ushtarake që planifikojnë", përfundoi Clinton.