NATO dhe Rusia të punojnë për siguri

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se Rusia dhe NATO-ja duhet të bashkëpunojnë më tepër njëra me tjetrën për ti luftuar kërcënimet trans-nacionale, siç janë: zgjerimi bërthamor, terrorizmi, pirateria dhe siguria në internet. Gjatë fjalimit të saj, mbrëmë në Uashington, për të ardhmen e Aleancës ushtarake trans-atlantike, zonja Klinton refuzoi propozimin e Rusisë për një marrëveshje të re evropiane të sigurisë
Heather Maher
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se ndërmjet NATO-s dhe Rusisë synohen raporte që do të jepnin rezultate konkrete.
Derisa Rusia ballafaqohet me sfida për sigurinë e saj, NATO-ja nuk është në
mesin e tyre. Ne dëshirojmë raporte bashkëpunuese NATO-Rusi, që prodhojnë
rezultate konkrete dhe e çojnë NATO-n dhe Rusinë më afër së bashku, tha
Hillari Klinton, gjatë fjalimit të saj në institutin Këshilli Atlantik në
Uashington.
Derisa NATO-ja është zgjeruar në lindje gjatë viteve të fundit, përfshirë edhe
vendet baltike dhe disa shtete ballkanike, Rusia këtë e shikon me dyshime të
thella.
Moska fuqishëm i kundërshton planet e NATO-s për ofrimin e anëtarësisë për
Gjeorgjinë dhe Ukrainën, që ende i shikon si pjesë të saj të interesit.
Rusia po ashtu fuqishëm i kundërshton planet e Shteteve të Bashkuara për
ndërtimin e një pjese të sistemit të mbrojtjes raketore në Rumani, pas anulimit
të planeve për ta bërë këtë në Poloni dhe në Çeki.
Prejse u bë president i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama ka zhvilluar një
politikë të ripërtëritjes së marrëdhënieve Amerikë-Rusi, që ishin dëmtuar pas
luftës së shkurtër ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë, në vitin 2008.
Në fjalimin e saj, Hillari Klinton tha se e di për zemërimin e Moskës lidhur me
Rumaninë dhe shkoi një hap më tutje, duke ofruar siguri se sistemi nuk e ka për
qëllim Rusinë.
Ne na duhet që Rusinë ta bëjmë partner në përpjekjet tona për parandalimin e
zgjerimit bërthamor dhe në mbrojtjen raketore. Ne e ftojmë Rusinë që ti
bashkohet NATO-s në zhvillimin e sistemit të mbrojtjes raketore, që do ti
mbrojë të gjithë banorët e Evropës dhe Rusisë, tha Hillari Klinton e cituar
nga radio Evropa e Lirë.
Zonja Klinton po ashtu dërgoi mesazh për Rusinë se Shtetet e Bashkuara mbeten
të përkushtuara për sigurinë evropiane, përkundër faktit se aktualisht vëmendja
e tyre është përqendruar në zhvillimet në Iran, Afganistan, Irak dhe bile edhe
në Kinë.
Ajo, më tutje, tha se Evropa do të përfitonte në aspektin e sigurisë, nëse
Aleanca dhe Rusia janë më të hapura lidhur me armatimet dhe kapacitetet tona
ushtarake.
Zyrtarja e lartë amerikane kundërshtoi planet e Moskës për një marrëveshje të
re evropiane të sigurisë, për të cilën Uashingtoni beson se do ta reduktonte
ndikimin e NATO-s në botë.
Zonja Klinton theksoi se NATO-ja duhet të mendojë për doktrinën e saj udhëzuese
të konceptit strategjik, për ti reflektuar kërcënimet e reja me të cilat
ballafaqohen të 28 vendet anëtare të saj.
Sipas saj, parimet udhëzuese të misionit të NATO-s ende janë relevante, por
metodat e NATO-s duhet të ndryshojnë.