Nesër lëshohen në qarkullim 60 km të autostradës

Që nga nesër do të lëshohen në qarkullim 60.4 kilometra të autostradës “Ibrahim Rugova”. Kështu është bërë të ditur në ceremonisë me rastin e përfundimeve të seksionit të pestë të rrugës së kombit.
Ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota tha se ky është një sukses i arritur në infrastrukturë brenda këtij viti.
“Është kënaqësi që mund të konfirmojmë se objektivi ynë i përbashkët, i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe i kompanisë punëkryese, ishte që më 27 nëntor të mund të lëshojmë në përdorim 60.4 kilometra të rrugës së kombit. Dhe falë një pune të vazhdueshme, falë një angazhimi maksimal, një pune ekipore, një pune të përkushtuar, ia arritëm që Republikës së Kosovës, me rastin e festës së madhe shqiptare t’i dhurojmë këto 60.4 kilometra në shfrytëzim”, ka thënë Mujota, raporton Express.
Ai tha se nuk ka qenë e lehtë që të menaxhohet një punë me më tepër se tre mijë punëtorë dhe me më shumë se dy mijë makina pune, mirëpo sipas tij, ndërtimi i autostradës do të vazhdoj edhe në vitin 2013.
“Rruga e kombit do të vazhdoj, segmenti i shtatë tetë dhe nëntë na presin në vitin 2013 që të bëjmë po të njëjtën punë, me të njëjtin intensitet po kështu të bashkuar, po kështu të përkushtuar në mënyrë që ta përmbyllim me sukses këtë kontratë, dhe të mund të bëjmë punën tonë që tanimë kemi filluar për nisjen e autostradës së re Prishtinë- Hani i Elezit”, ka thënë Mujota.
Sipas tij, kjo autostradë i ka shkaktuar vendit një ndryshim thelbësor, duke marrë një identitet të ri evropian në kuptimin e ndërtimit të rrugëve që po bën Kosova.
Ndërsa, drejtori i projektit, Mike Mix, tha se ky seksion i ka dhënë një kthesë të madhe qytetarëve të Kosovës./Indeksonline/