E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Lëshimet për veriun konkretizohen vitin e ardhshëm

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Kosovapress ka thënë se t’i japësh veriut të Kosovës një status të posaçëm është e pamundur të mos reflektoj edhe në organizimin shtetëror të Kosovës.

Sipas tij, këto parti që janë afruar më PDK-në, nuk guxojnë të dalin dhe të kundërshtojnë Hashim Thaçin, ngase siç deklaron ai ky njeri ka dosjet për të gjitha këto parti që kanë bashkëqeverisur.

Ai gjithashtu thotë se Kosova është një vend ku hapen vetëm dosjet e kundërshtarëve të kryeministrit Thaçi, siç është rasti tash me deputetin Fatmir Limaj.

Sipas Kurtit, dialog që ka filluar me koncesione të vogla për t’u shtuar drejt një kompromisi më të madh.

Opsionet që dalin herë pas herë në opinion, sipas Kurtit janë përgatitje e opinionit publik për dhënien e një autonomie për veriun.

“Në këtë dialog po bëhen koncesione të vogla që po shtohen drejt kompromisit të madh dhe ku kompromis i madh ka të bëjë natyrisht me veriun e Kosovës. Jemi duke u bombarduar me opsione dy Gjermanitë, Bosnja herë thuhet aty si federata boshnjako-kroate apo edhe ndonjë solucion i shtetit tjetër diku në botë dhe këto gjëra, këto bombardime me opsione që po ndodhin në fakt po e përgatisin opinionin publik për një lloj autonomie për veriun dhe në vend se të krijohet konsensusi për bashkimin e Mitrovicës, në fakt po duan të krijojnë konsensusin për këtë pazar të madh me Serbinë që mendojnë të kurorëzojnë vitin e ardhshëm”, ka deklaruar Kurti.

Por Kurti thotë që veriu i vendit po shkon drejt kantonizimit dhe federalizimit, që sipas tij dhënia e një statusi të posaçëm veriut do të ketë reperkusione edhe për Prishtinën.

“Po them kantonizim dhe federalizim për shkak se nuk është e mundur që të ia japësh veriut të Kosovës një status të posaçëm e kjo të mos reflektoj në organizimin shtetëror, organizativ e territorial të Kosovës. Pra, në veriun e Kosovës po riformulohet edhe shteti i Kosovës dhe kjo do të ketë reperkusione edhe për Prishtinën, por mendoj që në fakt nuk është Mitrovica problemi i Kosovës, Prishtina është problemi edhe i Mitrovicës edhe veriut edhe i gjithë Kosovës, e kam fjalën pra për këtë qeveri, e cila po e dëmton në mënyrë të trefishtë Kosovën si territor,si buxhet dhe si pasuri publike”, ka theksuar ai.

Kurti komenton edhe afërsinë e partive politike me PDK-në, duke thënë se opozita po bënë mashtrime nga më të ndryshmet, por sipas tij Vetëvendosja nuk është vetëm në opozitë, pasi që thotë se ka popullin mbrapa.

“Ta kesh emrin opozitë dhe të bësh opozitë po dëshmohet se janë dy gjëra të ndryshme, ndërkaq për këtë çështje po dëshmohet se janë gjëra të kundërta. Në Kosovë fjalët nuk e kanë kuptimin e vërtetë për shkak të mashtrimeve dhe vet mashtrimeve nga më të ndryshmet. Mendoj që është për ardhur keq kjo çka po ndodh dhe nuk mendoj që Lëvizja Vetëvendosje nuk është vet, mendoj që qeveria është vet dhe po përpiqet që t’i marr edhe të tjerët, sepse Lëvizja Vetëvendosje është me popullin dhe populli është kundër këtyre bisedimeve”, ka thënë lideri i Vetëvendosjes.

Ai po ashtu, ka shtuar se afërsia me PDK-në, është afërsia ndaj dialogut me Serbinë dhe afërsia ndaj Daçiqit. Ndërkohë për koordinatorin e ri të dialogut, Blerim Shala e quan njeri që qysh më herët ka pranuar kompromisin.

“U dëshmua sërish që nëse i afrohesh PDK-së i afrohesh edhe Serbisë i afrohesh Daçiqit, i afrohesh dialogut me Serbinë, i afrohesh kompromisit për Kosovën dhe anasjelltas, nëse i afrohesh Serbisë i afrohesh dialogut me Serbinë i afrohesh kompromisit për Kosovën, i afrohesh Serbisë së Daçiqit dhe bisedimeve me të njëkohësisht i afrohesh edhe PDK-së, sepse këto janë e njëjta gjë tashmë. Nuk bëhet fjalë le të themi për dy hapa të ndryshëm, bëhet fjalë për të njëjtin hap dhe kjo po shihet me emërimin e këtij koordinatori, i cili për bindjen time e ka dëshmuar një gjë, se qysh para se Qeveria e Kosovës t’a pranoj dialogun politik ai është zotuar për kompromis në fund të këtij dialogu dhe këtë e ka bërë në një intervistë në muajin gusht”, ka potencuar ai.

Lideri Vetëvendosjes thotë që këto partitë nuk guxojnë të dalin dhe të kundërshtojnë Hashim Thaçin, ngase siç deklaron ai ky njeri ka dosjet për të gjitha këto parti që kanë bashkë qeverisur.

“Është e vërtet që bëhet fjalë për deputet e politikan që i frikësohen SHIK-ut. Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt në Kosovë, i cili nuk ka as frikë e as respekt për këtë qeveri. Ne nuk mund të na frikësojnë dhe nuk mund të na impresionojnë, ndërkaq tek të tjerët vërehet një frikë, sepse kanë bashkëqeverisur më herët dhe duket që aty janë sajuar edhe dosjet e ndryshme që hapen në mënyrë selektive. Kosova është një vend ku hapen vetëm dosjet e kundërshtarëve të kryeministrit Thaçi, siç është rasti tash me deputetin Fatmir Limaj”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë duke folur për 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, ai thotë se ky njëqind vjeç duhet të shërbej për të nxjerrë mësimet nga e kaluara, por duke mos harruar gjithnjë bashkimin e kombit shqiptar në një shtet të vetëm.

“Ky qind vjeçar duhet të në shërbej që të mendojmë mirë dhe të veprojmë drejt në qindvjeçarin e dytë. Ne kot festojmë nëse nuk i nxjerrim mësimet në mënyrë që në të ardhmen të festojmë me të vërtet e festimi i vërtet është atëherë kur ideali i Ismajl Qemajlit dhe Hasan Prishtinës realizohet në terren, realizohet në realitet. Tash për tash ai është në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, por duhet të bëhet edhe jeta e tyre, edhe gjendja e tyre politike, ekonomike e shoqërore këtu në Ballkan”, tha ai.

Për më tepër ai ka thënë se edhe populli shqiptar po të mos dëshironte bashkimin, sipas tij një gjë të tillë e kërkojnë vendet fqinje që nuk ngopen me tkurrjen e trevave shqiptare.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›