E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesër mbahet testi i maturës shtetërore

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM) thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e provimit shtetëror të maturës, i cili do të mbahet nesër.

Kryetari i KQSHM-së, Nehat Mustafa, në një konferencë me gazetarë, ka bërë të ditur se 27 424 nxënës do t’i nënshtrohen provimit të maturës, nesër në 105 qendra testimi (1 600 dhoma testimi), në 29 komuna të Kosovës.

Provimi do të fillojë në orën 10, ndërsa maturantët duhet të jenë së paku një orë, më herët, në vendin e mbajtjes së testit. Testi do të zgjasë 180 minuta.

Mustafa saktësoi se testet në qendrat e testimit do të dërgohen, nesër, duke filluar nga ora 6 e mëngjesit.

Testit do t’i nënshtrohen edhe nxënësit,të cilët nuk kanë arritur ta kalojnë nga viti paraprak apo edhe më herët. “Numri i nxënësve, të cilët e kanë paraqitur provimin e maturës, të cilët janë pjesë e listave, të cilat i kanë dërguar në ministri drejtoritë komunale të arsimit është 27 424. Këta janë maturantë të rregullt të këtij viti, por janë edhe një pjesë e maturantëve të cilët kanë dështuar gjatë maturës 2008, apo maturës 2009”, tha Mustafa.

Për mbarëvajtjen e këtij testit të maturës janë angazhuar rreth 3 200 administrues dhe vëzhgues, por Mustafa bëri të ditur se edhe një numër prej rreth 10 për qind janë lënë si pjesë rezervë, në mënyrë që nëse për ndonjë arsye mungon ndonjë administrues, të jetë mundësia e zëvendësimit të tij të menjëhershëm.

Po, ashtu për mbarëvajtjen e testit do të kujdesen edhe 354 komisionerë, 105 monitorues dhe 50 monitorues qendror (ministri dhe kabineti i tij, anëtarët e KQSHM-së, drejtorët e departamenteve dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës – Komisioni për arsim).

Këtë vit janë përgatitur 8 lloj teste në 3 gjuhë (shqipe, boshnjake dhe turke) si dhe 1 drejtim në gjuhën angleze, sipas kërkesave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›