E Martë, 3 Nëntor 2026

Nesturi: Grupi Bardhi tek Berisha, mish i infektuar me brucelozë

Gazment Bardhi nuk ka “potencë” elektorale për Rithemelimin dhe bashkëjetesa me demokratët e ndarë nuk do të jetë e gjatë.

Ky ishte mendimi që dha analisti Plator Nesturi në “3D” me gazetarin Alban Dudushi, ku temë diskutimi ishte katapultimi i Bardhit si nënkryetar i grupimit të djathtë me në krye Sali Berishën.

Z. Nesturi e quajti grupimin e Bardhit një mish të huaj të veçuar qëllimisht nga besnikët e Berishës, të cilat gradualisht do ta “çmontojnë atë”.

“Bardhi e kupton faktin që nuk është një faktor politik afatgjatë, por në skadencë deri sa të jetë ky parlament. Nga ana tjetër, Berisha e ka të qartë se duke futur edhe deputetët që ka Bardhi me vete, bëhet grupi më i strukturuar dhe më i madh parlamentar përballë një mazhorance dhe këtu faktorizon vetveten. Por të dy e dinë shumë mirë që bashkëjetesa midis tyre nuk është jetëgjatë. Janë çështje pragmatiste dhe Bardhi e di këtë gjë.

Së pari të garantojë elementin e jetëgjatësisë në politikë duke qenë pjesë e listës së deputetëve, por nga ana tjetër kjo periudhë do i shërbejë për diçka tjetër. Ai e di që ky grup jo vetëm nuk i sjell diçka elektoralisht, por edhe vetë besnikët e Berishës e dinë që këta janë mish i huaj, mish i infektuar me brucelozë dhe që do të jenë gjithmonë të kujdesshëm që të krijojnë paretet e izolimit të këtij grupi për ta çmontuar gradualisht. Bardhi nuk ka fuqi që të ndërhyjë në elektoratin apo anëtarësinë e Rithemelimit, prandaj po them që i kanë bërë kordonin sanitar rreth e qark. I vetmi element që më duket se Bardhi kërkon ta luajë për të qenë faktor politik nesër ka të bëjë me faktin që Bardhi nuk e do Berishën që të jetë kreu i opozitës. Elementi i emrave të rinj për ta zhvendosur emrin e Berishës si kryetar Rithemelimi dhe për një figurë tjetër, kjo është beteja që do të bëjë Bardhi,” deklaroi analisti Nesturi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›