Net klasike në të gjithë Shqipërinë
Bashkimi klasik i muzikantëve, në atë që quhet kore, rikthehen në edicionin e tretë. Ndonëse Ministria e Kulturës e ka pasur të vështirë të publikojë projektet madhore që ka deri në fund të vitit, nuk ka “kursyer” që t’i japë rrugë projektit mbi festivalin e koreve në Shqipëri, duke shënuar edicionin e tretë të mbështetjes.
Prej datës 8-10 maj, do të zhvillohet njëkohësisht në Shkodër, Korçë, Fier dhe Tiranë, edicioni i 3-të i Festivalit Evropian të Koreve të Dhomës së Shqipërisë me pjesëmarrjen e koreve nga Gjermania, Greqia, Holanda, Italia, Kosova, Kroacia dhe Shqipëria. Tradita korale shqiptare përfaqësohet nga, Kori “P. Jakova” dhe “Rozafa Expression” të qytetit të Shkodrës, si dhe Kori “Lyra” i Korçës, nën organizimin e shoqatave “Syri Blu” dhe “Miqtë e Muzikës”. Festivali organizohet në koherencë me Ditën e Evropës, 9 Majin dhe në këtë kuadër do të jetë një nga veprimtaritë e përzgjedhura kulturore të mbështetura nga Delegacioni i Komisionit Evropian në Tiranë.
Si gjithmonë turizmi është pika e dobët ku mbërthehet projekti për t’i reklamuar sa më tepër rëndësinë e saj- sigurisht për ta bërë sa më potente veprimtarinë në sytë e sponsorëve, e sidomos Ministrisë së Kulturës.
Rinovimi i vazhdueshëm i traditës së qyteteve tona në zhvillimin e ansambleve korale (Shkodra e Korça), si dhe tendenca për të zgjeruar rrethin e aktiviteteve kulturore në qytetet e Shqipërisë, është parë si një nga objektivat më të rëndësishëm nga organizatorët e këtij eventi. Repertori i koreve pjesëmarrës në festival do të jetë kryesisht i lirë dhe i larmishëm, duke filluar nga muzika religjioze e në vijim muzika etnike dhe tradicionale, këngë patriotike, muzikë romantike-klasike-kontemporane deri tek gospel e muzike argëtuese
Bëhet e ditur se ndërtimi i repertorëve të pjesëmarrësve është pasuruar edhe me kriterin e njohjes së muzikës shqiptare, duke vendosur si pjesë të detyruar kompozimin e mirënjohur të Gjon Simonit, “Lulebore”.
Elementi tjetër ndërlidhës i repertorit të koreve të ftuara do të jetë edhe “Oda e Gëzimit” nga Simfonia e Nëntë e Beethoven-it, e cila ka marrë tashmë të drejtën e Himnit të Bashkësisë Evropiane dhe që do të këndohet në mbrëmjen finale të festivalit së bashku me himnin e Shqipërisë.
Re.Ku