Shqipëria në NATO, epokë e re për shqiptarët
Nga Ferhat Dinosha
Edhe 4 prilli i vitit 2009 do të radhitet ndër datat historike të shqiptarëve. Atë ditë, Republika e Shqipërisë është bërë anëtare me të drejta të plota e Aleancës së Atlantikut të Veriut, që është organizata më e fuqishme politiko-ushtarake e globit.
Kryeministri Berisha e ka quajtur këtë ngjarjen më të rëndësishme për Shqipërinë pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, më 1912.
Nëse dimë se më 17 shkurt 2008 Kosova ka shpallur pavarësinë, që e kanë njohur demokracitë më të rëndësishme të botës, atëherë mund të thuhet se dekada e parë e këtij shekulli ka filluar mbarë për shqiptarët dhe se bashkëkohësit e këtyre ngjarjeve historike, sidomos ata që kanë ndikuar që ato të ndodhin, mund të ndihen krenarë si pjesëtarë të gjeneratës, e cila po shënon fillimin e një epoke të re për shqiptarët.
Hyrja e Shqipërisë në NATO do të bëjë që shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, të ndihen të sigurt se liria e tyre do të jetë e pacenueshme. Siguria e tillë, natyrisht do të jetë joshëse për kapitalin e huaj, të cilin Shqipëria e ka aq të nevojshëm dhe i cili do të ndikojë që prapambeturia e deridjeshme komuniste të shndërrohet në zhvillim të hovshëm demokratik.
Shqipëria në NATO sjell siguri edhe për shtetin e ri të Kosovës, i cili po përballet e do të përballet me sfidat e shtetbërjes. Shqipëria, së bashku me miqtë perëndimorë, do t’i ndihmojë Kosovës për të krijuar mjedis të tillë, në të cilin çdo qytetar i saj mund të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur, andaj edhe i gatshëm për të pranuar realitetin e ri. Ky realitet do t’u bëhet më i afërt edhe fqinjëve të Kosovës me të cilët Shqipëria e NATO-s duhet të jetë në kontakte të vazhdueshme, duke ofertuar lobingje për t’i bërë edhe ata pjesë të familjes së NATO-s.
Për ne është shumë me rëndësi lobimi dhe raporti i Shqipërisë ndaj Malit të Zi. Po ndodh që në këtë fazë, Mali i Zi të ketë më shumë nevojë për Shqipërinë sesa anasjelltas.
Në këtë situatë, roli i partive politike shqiptare, këtu në Mal të Zi, duhet të jetë shumë i rëndësishëm. Ne, nga njëra anë, duhet t’i bëjmë me dije qeverisë së Malit të Zi se duam dhe mundemi t’i ndihmojmë në rrugën e integrimit euroatlantik dhe, nga ana tjetër, duhet t’i bëjmë me dije qeverisë së Republikës së Shqipërisë se është mirë ta ndihmojë Malin e Zi në rrugën e integrimit të lartpërmendur, duke e përkujtuar paralelisht se kërkon standarde evropiane për shqiptarët si pakicë kombëtare autentike në këtë shtet.
Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se na erdhi kohë e re. Asnjë shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë nuk ka mundësi t’i thotë vetes se ishte mirë nëse Shqipëria ishte keq, as Shqipëria tash nuk mund t’i thotë vetes se është mirë nëse shqiptarët jashtë saj janë keq. Por, e keqja për të gjithë shqiptarët po bëhet e kaluar tash kur jemi miq me armiqtë e komunizmit dhe tash kur rrobat e ushtarit shqiptar qepen në Pentagon.
Ne duhet të jemi të vetëdijshëm, po ashtu, se kjo kohë e re nuk do të vinte pa sakrificën, viktimën dhe largpamësinë e bijve më të mirë të kombit, duke filluar nga Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, e deri te Kryeministri aktual i Shqipërisë, dr. Sali Berisha, të cilët kanë ndikuar që ne ta ndërronim veten dhe, kështu, Zoti të ndryshojë fatin tonë.
Ne sot jemi më mirë se dje dhe kësaj të mire duhet t’ia ndiejmë lezetin, sepse kështu, nesër mund të jemi edhe më mirë. I zoti i shtëpisë nuk ankon ndonjë pjatë të thyer ose harxh më tepër, nëse dasma shkon mirë.
E ne, në fillim të shekullit të ri, dasmë kemi. Dasmën e shtetit të dytë, tash edhe dasmën e NATO-s. Janë të pakuptueshme andaj, murmuritjet e disa liderëve shqiptarë ose të njerëzve që tentojnë të jenë të pranishëm në publik me ndonjë shkrim, të cilët nuk shohin asgjë bardh për shqiptarët në proceset e deritashme demokratike në Mal të Zi, edhe pse kanë pasur mundësi të ndikonin në to dhe të cilat kanë shkuar mirë edhe pa ndikimin e tyre. Kur i dëgjon ose i lexon këtu, thua se shqiptarët në Mal të Zi janë para shfarosjes ose nëse është bërë diçka, atëherë kjo është meritë e tyre.
Sjellja e tyre i përngjan sjelljes së një zogu i cili edhe këngën e ka vaj dhe i cili edhe vezët i çel në çerdhet e zogjve të tjerë.
S’bën të përhapim defetizma në kohën kur duhet të jemi optimistë dhe s’bën të mos i shohim realizimet vetëm pse janë të tjetërkujt. E në Mal të Zi ka pasur realizime, në të cilat kanë marrë pjesë edhe shqiptarët, bashkë me partinë e tyre më të fortë, që kanë qenë të dobishme edhe në proceset demokratike në rajon dhe realizimet të cilat ato kanë sjellë. Të marrim vetëm një rast. Pavarësia e Malit të Zi, për të cilën prej partive shqiptare është djersitur vetëm Unioni Demokratik i Shqiptarëve, ka qenë shumë e rëndësishme për pavarësinë e Kosovës e kjo e dyta, shumë e rëndësishme për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, të cilën aty e ka futur më së shumti pozicionimi i drejtë kundrejt ngjarjeve kryesore në Ballkan.
Është krijuar, kështu, një rreth demokratik i politikave pragmatike shqiptare në të cilin shqiptarët mund të ndihen më komodë se asnjëherë më parë dhe më optimistë se asnjëherë më parë.
Unioni Demokratik i Shqiptarëve, pikërisht për këto arsye, frymën e optimizmit e kishte futur edhe në spotin për zgjedhjet parlamentare të 29 marsit të këtij viti: “Me Malin e Zi shtet, me Kosovën e pavarur, me Shqipërinë në NATO, e ardhmja është jona...”