E Martë, 3 Nëntor 2026

Netanjahu: Biden më siguroi se SHBA do ta furnizojnë Izraelin me armë

Kryeministri Benjamin Netanjahu ka deklaruar se Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e kishte siguruar atë se administrata Biden po punonte për të hequr kufizimet për dërgesat e armëve në Izrael.

Në një deklaratë për mediat, kryeministri izraelit tha se kur u takua me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken javën e kaluar, ai shprehu vlerësimin për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Izraelit që nga fillimi i luftës kundër grupit palestinez të Hamasit në tetor.

Ai tha gjithashtu se ishte “e paimagjinueshme që në muajt e fundit, administrata të ketë mbajtur armë dhe municione për Izraelin”

I pyetur në një konferencë shtypi në Uashington në lidhje me komentet e Netanjahut, Blinken nuk pranoi të thoshte nëse ai i kishte dhënë liderit izraelit garanci të tilla, por tha se administrata e SHBA ishte ende duke rishikuar një dërgesë armatimesh për Izraelin për shqetësimet rreth përdorimit të tyre në zona me popullsi të dendur.

Ai tha se dërgesat e tjera të armëve po lëviznin si zakonisht, duke përmendur kërcënimet e sigurisë me të cilat përballet Izraeli përtej Gazës, duke përfshirë nga Hezbollahu dhe Irani, dhe se presidenti Joe Biden ka qenë i qartë se do të bënte gjithçka që mundet për të siguruar që Izraeli të ketë atë që i nevojitet për të mbrojtur veten efektivisht.

“Siç e dini, po vazhdojmë të rishikojmë një dërgesë për të cilën Presidenti Biden ka folur në lidhje me bombat për shkak të shqetësimeve tona për përdorimin e tyre në një zonë me popullsi të dendur, si Rafah. Kjo mbetet në shqyrtim”, tha Blinken. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›