Neukirch për ATSH: Përmes reformave, Shqipëria afrohet me standardet evropiane dhe BE-në

TIRANË, 7 tetor /ATSH – Gjergji Mima/ Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë ka dhënë një kontribut konkret në forcimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, duke mbështetur reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, të drejtat e pronës, sigurinë e gazetarëve dhe mbrojtjen e minoriteteve.
Kështu deklaroi drejtori i Drejtorisë së Koordinimit të Programeve në Këshillin e Evropës, Claus Neukirch, në një intervistë për ATSH gjatë aktivitetit “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë: Një Dekadë Ndikimi – Avancimi i reformave përmes partneritetit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës – Mësimet dhe Vizioni për të ardhmen”, që u zhvillua sot në Tiranë.
Gjatë intervistës, Neukirch u ndal te rezultatet e programit në Shqipëri, duke theksuar ndër të tjera mbështetjen për rritjen e eficiencës së sistemit gjyqësor.
“Duke punuar për eficiencën e sistemit të drejtësisë, ne ndihmojmë që sistemi gjyqësor të trajtojë çështjet më shpejt. Kjo ka një efekt real te njerëzit, të cilët mund të marrin një vendim gjyqësor më shpejt”, tha ai.
Një tjetër fushë e rëndësishme, sipas Neukirch, është ajo e të drejtave të pronës.
Ai bëri të ditur se programi ka ndihmuar më shumë se 2700 persona në verifikimin e të drejtave të tyre të pronësisë, në kuadër edhe të zbatimit të një vendimi të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Në luftën kundër korrupsionit, ai veçoi mbështetjen për krijimin e një regjistri digjital të pasurive dhe zhvillimin e mekanizmave për rikuperimin e pasurive të përfituara nga aktivitetet kriminale.
“Kjo do të thotë që pasuritë që burojnë nga aktiviteti kriminal mund t’i kthehen shoqërisë”, u shpreh Neukirch.
Duke folur për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, ai tha se programi ka mbështetur Policinë e Shtetit për përmirësimin e protokolleve që lidhen me rastet kur gazetarët kërcënohen, me synim forcimin e sigurisë së tyre.
Ai përmendi gjithashtu punën e mëparshme me rregullatorin e medias.
Në fushën e të drejtave të njeriut, Neukirch theksoi mbështetjen për përmirësimin e legjislacionit në mbrojtje të të drejtave të minoriteteve, si dhe për protokollet e policisë për hetimin e krimeve të urrejtjes dhe rasteve të diskriminimit.
Sa i përket procesit të integrimit evropian, Neukirch e cilësoi lidhjen mes standardeve të Këshillit të Evropës dhe kritereve të Bashkimit Evropian si të drejtpërdrejtë.
“Shqipëria është një shtet anëtar i Këshillit të Evropës dhe ka një sërë detyrimesh që burojnë nga kjo anëtarësi, duke nisur me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha ai.
Sipas Neukirch, përmbushja e këtyre detyrimeve ndihmon edhe procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, veçanërisht në fushën e kapitujve themelorë.
“Duke avancuar reformat dhe duke iu afruar përmbushjes së detyrimeve si shtet anëtar i Këshillit të Evropës, ju, si rrjedhojë, keni një mundësi më të mirë për të avancuar negociatat dhe kapitujt themelorë me Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.
Neukirch nënvizoi se pikërisht kjo e bën të rëndësishëm Instrumentin Horizontal, si një partneritet i përbashkët mes Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
“Jemi këtu së bashku për të promovuar reformat në përputhje me standardet evropiane dhe konventat e Këshillit të Evropës”, përfundoi ai.
/a.f/r.e/