E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevil Dede dhe Andi Koçi, dy shqiptarë në qytetin e Mao Ce Dunit

Bledar Kuka
Ai që flet quhet Andi Koci, ende pa mbushur 20 vjec dhe lojtar i Olimpikut të Tiranës. Së bashku me ish-kapitenin bardheblu, Nevil Dede, udhëtoi më 10 janar drejt Kinës dhe u provua në skuadrën Ginde të qytetit Cangsha (ose Sheniang Ginde). Dede qëndroi, ndërsa Kocin e ri e këshilluan ta niste aventurën në Lindjen e Largme që nga kategoria e dytë. Nevili i pëlqeu trajnerit serb të ekipit, madje ky është gati t'i japë edhe shiritin e kapitenit, edhe sepse shqiptari është lojtari më i madh në moshë tek Ginde. Dy shqiptarët avioni i zbriti në aeroportin e një qyteti me rreth 6 milionë banorë që njihet në botë si vendi ku ish-udhëheqësi komunist, Mao Ce Dun, nisi karrierën e tij politike. "U lodhëm shumë nga udhëtimi, - tregon Koci, i kthyer prej 3 ditësh në Shqipëri, - por më shumë më torturoi ushqimi". Kuzhinë pikante Së bashku me Deden ata u ftuan me mirësjellje në restorante tradicionalë kinezë ku kishin avantazhin e cmimeve të lira, por ai ushqim nuk mund të përtypej nga kryeqytetasit e Shqipërisë. "Gjithcka ishte pikante, djegëse, - tregon mesfushori i Olimpikut, - supë djegëse, pilaf pa kripë fare dhe mish i gatuar sipas mënyrës së tyre. Duhet të rrija në Kinë deri në mars kur fillon kampionati, por më erdhi në majë të hundës nga ushqimi". Së fundi, arritën të gjenin restorante me meny europiane, ndonëse me pronarë kinezë, por ku ushqimi paguhej "sa frëngu pulën". Mesfushori, që i ngjan legjendës Sulejman Demollari në mënyrën e lojës, e pati fatin ngaqë Jahmir Hyka nuk pranoi të shkonte tek Ginde, sepse në duar i erdhi një mundësi për të shkuar tek Parma në Serinë A. "Folëm me menaxher Florin (Florian Rizën) dhe pasi Hyka refuzoi, unë pyeta nëse mund të shkoja e të provohesha vetë". Riza pranoi dhe kështu u bë. Cangsha është një qytet kontinental, pra larg nga deti, me klimë të ftohtë në dimër (deri -2 thotë Andi), por me një ekip të mirë futbolli që luan në Superligë, kategoria e parë e Kinës. Buxheti i tij në 2007 ishte më shumë se 6 milionë dollarë, ndërsa rrogat shkojnë nga 50 000 euro (për më të rinjtë) deri në 130 000 euro. Qendërmbrojtësi i kombëtares, pra Dede, besohet se fiton diku pranë kësaj shifrës së dytë. Ginde, klubi i ri i Nevilit, zotëron një hotel 25-katësh në qendër të qytetit (me emrin Ginde), si dhe ka hotelin në kompleks. "Kompleksi ishte gjigand, - thotë tiranasi, - me 3 fusha të përmasave të rregullta, të ndara sipas stinës. Kishte fusha me bar për dimër (tepër jeshil) dhe fusha për verë. Kishte salla force, sallë për teori, mensë dhe gjithcka tjetër". Madje, klubi zotëron edhe një kompleks stërvitor veror në veri të Kinës, në një vend klimaterik. Ia vlen të përmendet stadiumi me rreth 55 000 vende ndërtuar së fundi më 2005. Kinezë me komplekse Një fakt që edhe dihet, por të përforcohet kur një djalë i sapokthyer nga Kina të tregon për sjelljen e vendasve. Cangsha nuk është një qytet i keq, madje është shumë i mirë për standartet kineze, porse "njerëzit ishin si të dyshimtë". C'do me thënë të dyshimtë? "Qyteti ishte shumë në rregull, me ndërtesa të reja, me rrugë shumë të mira, por njerëzit sesi ishin, - thotë Koci, - kudo ku shkonim rrinin e na vështronin". Kur Dede dhe Koci hynin në një restorant, 30 a 40 kinezë i ngulnin sytë aq sa Nevili thoshte "cfarë kemi bërë që na shikojnë kështu?". Ata kinezë nuk i shikonin thjesht si shqiptarë, por si europianë dhe duket se ende kanë komplekse rreth tyre. Ndoshta nuk kanë shumë faj pasi në ditët e mesjanarit në Cangsha kishte vetëm 40 të huaj, në një det prej miliona kinezësh. Tre prej të huajve ishin shqiptarë: Nevil Dede, Andi Koci dhe Florian Riza. Për gjuhë të huaja nuk bëhej fjalë, mezi gjetën dikë që dinte anglisht dhe merrej vesh me Nevilin dhe Florin. Në mars të këtij viti Koci do të kthehet në Kinë, në Cangsha, njëri nga 20 qytetet e privilegjuara kinezë ku njerëzit fitojnë shumën e respektueshme të 1500 dollarëve në vit, 15% më shumë se mesatarja e vendit dhe ku vetëm më 2005 u investuan 1 miliard dollarë kapital i huaj. Andi i ri mund t'i hipë avionit dhe për një orë të shkojë në Hong Kong, kurse Shangai është 300 km larg. Por edhe nëse do të dëshirojë të qëndrojë aty mund të marrë telekomandën e televizorit dhe të shikojë emisionin "Super Vajza", emisioni më i ndjekur në Kinë në të gjitha kohët dhe që xhirohet në Cangsha. Vendlindja e Lei Fenit Deri në vitin 1990 pakkush në Shqipëri nuk e dinte kush ishte Lei Feni (Lei Feng). Ai ishte heroi socialist më i njohur i Kinës, njeriu që vinte partinë komuniste mbi gjithcka, një simbol për shtetin komunist të Mao Ce Dunit. E pra, ky Lei Fen është lindur në Cangsha, vdiq si ushtar i Ushtrisë Popullore 22 vjec dhe Mao Ce Duni lëshoi citatin e famshëm "mësoni nga shoku Lei Fen". Ky citat ishte një nga përgatitjet për Revolucionin Kulturor. Por në Cangsha janë lindur edhe dy medalistë të artë olimpikë si Xiong Ni dhe Dong Qiming, si dhe ish-presidenti i Kinës Liu Shaoqi Kush është Koci Lindur më 2 shkurt 1988 dhe 1.72 metra shtatlartë, Andi e nisi karrierën në moshën 9-vjecare me trajnerin Andrea Marko në ekipin Alba Pao (ose Albapao). Më pas kaloi tek Pallati i Pionierëve me trajner Irfan (Fane) Bujarin, vazhdoi me Mehmet Spahiun tek Albanët, luajti për Shqipërinë U17 të trajnerit Shpëtim Duro si dhe me të rinjtë e Olimpikut ku trajner kishte Luan Senglën. Kohët e fundit u inkuadrua në ekipin e të rriturve të Olimpikut, që luan në Kategorinë e Dytë dhe ku trajner është sërish Luan Sengla. Koci synon të stabilizohet në kategorinë e dytë kineze dhe pas një viti të tentojë kampionatin maltez, ku ka shanse dhe ku do të ndodhet në Europë, më pranë syve të menaxherëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›