Nevoja e domosdoshme e ripërkthimeve
AGRON TUFA
Gjuha shqipe, që me të drejtë mund të konsiderohet si kryepersonazhi i historisë sonë kombëtare dhe elementi përcaktues i identitetit kombëtar shqiptar, e ka shpalosur për herë të parë ekzistencën e saj (tonë) nëpërmjet Përkthimit. Që nga përkthimi i Formulës së Pagëzimit të Pal Engjëllit Atit e tbirit e tshpirtit shenjt, gjuha shqipe është mëkëmbur duke kaluar për teheve të zgripit të historisë, duke fituar sigurinë e dëshmisë së identitetit të saj. Një ndër sekretet më të mëdha të mbijetesës së shqipes ka qenë, pa dyshim, Përkthimi. Roli i përkthimit, si gjithkund për gjuhët e reja, që në stadin foshnjor të tyre ka qenë vendimtar edhe për shqipen, që në mëkëmbjen e rimëkëmbjen e saj, deri te hapat e saj origjinalë e vetëbesues. Kjo energji e marrë nga përkthimet shtrohet edhe tani, në kohët moderne të zhvillimit të saj, për një sërë arsyesh, për të cilat do të flasim më poshtë. Është nevojë e domosdoshme të ripërkthehet gjithë repertori i vjetër i përkthim-shqipërimeve tona, madje të nxiten jo një, por disa përkthime, si shenjë e begatë, gjallërisë dhe dinamikës së shqipes së sotme. Ripërkthimi është i domosdoshëm për disa arsye. Së pari, sepse njihet gjerësisht një ligjësi universale në këtë art: përkthimet vjetrohen, ndërsa Origjinali mbetet i gjallë e i pandryshueshëm; përkthimi përballet me dukurinë e bashkëkohësimit të nivelit gjuhësor për recepientin e çdo gjenerate. Kështu vazhdimisht. Në këtë kuptim, Shekspiri, Poe, Servantesi, sado mjeshtërisht (e diskutueshme kjo) janë përkthyer me potencialin e mjeteve shprehëse e stilistikore të shqipes së viteve 20 – 30 të shekullit XX. Me këtë nivel shprehjesor e kanë ndërtuar dialogun e tyre me lexuesin e këtyre viteve të apostrofuara. Shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj klasikë, ndonëse kanë ardhur në shqip, kryesisht prej penave të mëdha të shkrimtarëve e poetëve tanë të traditës, nuk e kanë gjallërinë, zhdërvjelltësinë dhe ekspresivitetin e nivelit të shprehjes letrare të ditëve të sotme, sepse produkti përkthimor është i varur në njëfarë mase nga mundësitë e stadit të atëhershëm gjuhësor. Origjinali mbetet si një pemë me gjethnajë përjetësisht të gjelbër: çdo përkthim përforcon një relacion bashkëkohësie në lidhje me të. Çdo gjeneratë ndërton një diskursivitet të caktuar me përkthimin e një origjinali, ndërkohë që vijnë gjenerata të tjera dhe diskursi shpërngulet, transformohet për të përftuar një Origjinal sa më bashkëkohor me të cilin të mund të hysh në komunikim intensiv. Por nuk hyhet në një dialogim bashkëkohor shekspirian me dramën dilematike botërore, të përcjellë në trajtën: Të rroç a të mos rroç, kjo është çështja (me kategorinë e eliminuar të paskajores, që hap çarje ontologjike kuptimore të tipit me qenë/ të rroç. Apo humbjen dramatike të peshës drithëruese tek Poe në dyvargëshin Fryri erë nga përjashta/ tundi perdet e mëndafshta, të cilin populli ynë i kartolinave në komunizëm, pavetëdijshëm e ka parodizuar duke ia bashkangjitur vazhdimin: Mos kujto se të harrova/ kartolinën ta dërgova. Tek ne, si në çdo gjë, edhe në përkthime është shumë e vështirë të ngulitesh, por nëse ia del, shndërrohesh në mit, në idol dhe po guxove të prekësh, fjala vjen Nolin, të quajnë o mendjemadh, o të marrë. Së dyti, çdo epokë kulturore ka kërkesat, normat dhe kanunet e veta. Vitet njëzet-tridhjetë, kur nis përkthimtaria e njëmendtë në kulturën tonë letrare, mbizotërohet nga tipologji të kushtëzuara përkthimi. Fizionomisë sintaksore e stilistike të autorëve në Origjinal, pak ose aspak u është kushtuar vëmendje. Kryesore ka qenë përmbajtja. Për hir të saj përktheheshin veprat. Jo shijimi. Kanë mbizotëruar, madje, përshtatjet, sesa përkthimet e mirëfillta dhe besnike. Shpesh dëshira për të krijuar efekte analoge me origjinalin krijon një folklorizëm arbitrar, si në rastin e Universitetit të Domosdovës te Noli, apo shprishje të metrave e strofave te po ky autor në përkthimet e E. A. Poes, deri tek arbitrariteti i plotë kuptimor me autorët e Origjinalit (shih përkthimin Dasma e funtme nga F. Tjutçev të poezisë së tij Dashuria e fundit). Përkthime të tilla unë do ti quaja krijime me shkas Origjinalin e x autori. Së treti, Noli ka krijuar një precedent të rrallë në historinë e përkthimeve (shqipërimeve), duke keqorientuar qëllimshëm auditorin e lexuesit shqiptar në lidhje me simbolikën e veprave që ka përkthyer. Habi e madhe është se ky pionier i përkthimeve tona, me një korpus prej mbi 6000 fletë letërsi artistike, në vend që të linte shënime të çmuara mbi artin apo metodat e tij të përkthimit, siç ndeshim në përvojat e përkthyesve të huaj, përkundrazi, i ka pajisur veprat e përkthyera me introdukta që përmbajnë vetëm se keqshpjegime të thelbit të veprës dhe autorit. Introduktat e Nolit për Shekspirin apo Servantesin janë vazhdim i projeksionit të ideve të tij politike si republikan (shih parathënien e Jul Cezarit) apo mbi simbolikën e Don Kishotit, që sipas Nolit, mishëron fatin e bejlurçinave, dallkaukëve dhe matrapazëve tanë që duan të kthejnë mbrapa rrotën e historisë. Asnjë fjalë për simbolikën e ëndërronjësit të papërkulshëm, idealistit të pandreqshëm, që edhe i vetëm vazhdon të besojë, ëndërrojë si kalorës i së drejtës. Pezhorativi i fortë i simbolikës së Don Kishotit nuk përkon aspak me simbolikën e idealizmit të pastër, ëndërrtar e naiv në kulturat e Europës. Ne me Europën ndajmë donkishotë të ndryshëm. Për të gjitha këto mangësi të arsyeshme, të kushtëzuara apo të vullnetshme, përkthimet e reja të klasikëve duhen si domosdoshmëri e ripërjetimin nga një nevojë e thekshme për të hyrë në një dialog adekuat jo vetëm me autorët klasikë, por edhe me energjinë e sotme shprehëse të shqipes bashkëkohore. Fakti që më sipër iu referova kushtimisht vetëm imzot Nolit, nuk ka të bëjë me një marrëdhënie personale ndaj tij, por thjesht duke u nisur nga popullariteti më i madh i tij, nga dendësia e përkthimeve të tij që ilustrojnë tekstet e të gjitha niveleve shkollore/ universitare. Përndryshe, mëkate të ngjashme e në shkallë mbase më të madhe mund të gjejmë pa fund ndër përkthyes të tjerë gegë e toskë. Nëse do të kishte edhe një arsye të katërt për ripërkthimet, po shtoj këtu edhe domosdoshmërinë e përkthimit të disa veprave që kanë ardhur në shqip jo nga origjinali, por nga gjuha e dytë. Kur kjo është ngulitur falë personalitetit të përkthyesit, kjo është akoma më problematike dhe aq më e mprehtë bëhet nevoja kur përkthimi nga gjuha e dytë është poezia. Për rastet e përkthimit nga gjuha e dytë, e paharrueshme për mua është sentenca që ka lënë helenisti e latinisti i shquar, përkthyesi i ndjerë Gjon Shllaku: Me përkthye poezinë prej nji gjuhe të dytë, asht njilloj si me la tlinjtat aty ku i kanë la të tjerët para teje. Habi të kulluar e më vete përbëjnë përkthimet tona nga Origjinali i monumenteve letrare antike, mesjetare e të mëvonshme. Në përgjithësi është e pamundur të arrihet magjia e paradigmës së përkthimit në gegërisht. Është një mrekulli që smund të përsëritet më, sikundërse zor të kemi më një Pashko Gjeç, Gjon Shllak, Mark Demë të sërishëm me Homerin, Virgjilin, Danten apo Faustin e Gëtes. Ajo perandori gjuhe me shijen, peshën dhe strukturën e ndjenjës e mendimit duket se i përket një Atlantide të zhdukur të shqipes. Sa herë flitet e shkruhet për traditën e përkthimeve tona, nuk pranohet përmasa kritike apo kriticiste e produktit përkthimor, veçmas nuk lejohen të hidhet fije dyshimi për disa korifenj të përkthimtarisë: për ta duhet folur ose në sipërore, ose duhen lënë të paprekur, të pacenueshëm. Është bërë zakon të flitet për një kohë të artë të përkthimit, që konsiderohet produkti përkthimor i viteve të pas Luftës së Dytë Botërore, ose përkthimet në diktaturë. Numri jashtëzakonisht i madh i autorëve dhe veprave të përkthyera nga breza të ndryshëm përkthyesish (Halit Selfo, Enver Fico, Misto Treska, Zerkria Rexha, Klio E