Lindja e princit Leka në kohë ultimatumesh fashiste
ISMAIL KADARE
Shqipëria londineze ende me rrecka, por së paku me nofkën prej zonje, mirë a keq, ecte. Një vit shtet republikan me
kryeministër Themeluesin. Gjashtë muaj mbretëri me princ gjerman. Katër vjet teatër lufte botërore, të gjithë kundër të gjithëve, me një fjalë bjeru ti biem, ku vendësit më shumë gjendeshin në sallë se në skenë. Më pas, pas rënies së perdes, përsëri republikë, ku dy nga…personazhet e Listës 1916 (kishin mjaftuar vetëm dy nga katërqind e pesëdhjetë emrat e listës, vetëm dy, o Zot! mbreti i ardhshëm Zog dhe peshkopi i vendit, Noli), për ta bërë lëmsh gjithë vendin. Lufta për pushtet, krijim partish politike, zgjedhje parlamentare, opozitë, atentate të larmishme, nga Bjeshkët e Nemuna te hyrja e Operas së Vjenës, vrasje po aq të bujshme, grusht shteti, thirrje për europianizimin e vendit, secili sipas stilit të vet, mbreti nëpërmjet martesës me një konteshë katolike hungarezo-amerikane, peshkopi i pagrua, me himne dhe vjersha për kryqëzimin e Krishtit dhe përkthime kryeveprash botërore, pa përmendur një rënie violine, që peshkopi se harronte kurrë, mu midis ngjarjeve dramatike, çka nga detraktorët e tij zbërthehej si dëshmi e cinizmit të tij, e nga adhurimtarët, si shenjë e një shpirti të epërm, që flatronte lart, mbi shtrëngatat e kohës.
Në mbarim të rrokopujës, në prag të stuhisë së re botërore, skena e zbrazur përkohësisht, nuk jepte veç parandjenja të këqija. E kishin lënë njëri pas tjetrit atë skenë mbreti dhe peshkopi, të mërguar të dy. E kishte lënë personazhi i tretë i Listës 1916, F. Konica, shestuesi i pllakës së famshme, mbi mermerin memorial të Shqipërisë, i cili, si të ndëshkohej nga ai mëkat, do të vdiste i pari ndër të tre.
Historia nuk e ka thënë ende fjalën e fundit për këta dramatis personae. Poezia epiko-lirike shqiptare, ajo, që në prag të shuarjes, e kishte ende tagrin e një gjykimi testamentor, me përjashtim të dy rasteve, ka heshtur. Rastet janë të dyja jashtë listës. I pari, për Themeluesin, siç e pamë, i dyti për mbretëreshën Geraldinë. Themeluesi në kohën e listës ishte shtatëdhjetëvjeçar, Geraldina nuk ishte veçse foshnjë. Bebe motake, siç thuhej dikur për foshnjat që skishin mbushur vitin.
Teksti për mbretëreshën, përveçse i një bukurie të rrallë, ishte një ndër më enigmatikët e poezisë shqipe. I pazbërthyer ende prej askujt, teksti niste me fjalët:
Maxhare, leshëra tëndë,
Qysh erdhe në vendin tënë
çka përbënte një pyetje të rëndomtë, fare naive dhe ndoshta të pavend. Ndërkaq, për njohësit, sado të rastësishëm të epiko-lirikës shqiptare, dihej se ishte tepër vështirë që ajo të ishte e rëndomtë, sidomos naive, e aq më pak, e pavend. Ndaj për zhbirimin e enigmës, do të duhej, ndoshta, një ndërhyrje sqaruese.
E QARA E MBRETIT, KËTË HERË PËR NJË GRUA
Në qoftë se do ti përmbaheshim krahasimit të tre gadishujve jugorë të kontinentit me tre rojat mbrojtës të Europës, Zonjë të madhe, nuk do ta kishim të vështirë që kacafytjen e dy prej gadishujve, atë Ballkanik dhe Apenin, ta merrnim për një grindje të radhës rojash, në orët e mërzisë. Ajo ndodhi kur shekulli XX po i afrohej mesit të vet, më saktë në prill të vitit 1939. Ndërkaq, ajo nuk u quajt asnjëherë një luftë gadishujsh, e aq më pak rojash. Ajo u quajt gjithmonë ndryshe nga çkishte qenë në të vërtetë, madje ende sot, kur po shkruheshin këto radhë, si ti përmbahej një pakti të fshehtë, vazhdonte të emërtohej në mënyra të ndryshme: pushtimi i Shqipërisë prej Italisë, bashkimi i Shqipërisë me Italinë, luftë italogreke, luftë greko-shqiptaro-italiane, luftë italo-jugosllave. Përpara se të përbënte një kureshti gjuhësore, kjo larmi vazhdonte të ishte pjesë e lëmshit ballkanik. Dhe nuk ka qenë e vetmja. Qysh në krye të asaj jave të paharrueshme të prillit, nuk ishte fort e qartë se kush po sulmohej, Shqipëria apo gadishulli. Shqipëria ngulte këmbë se ishte ajo që rrezikohej e pas saj krejt gadishulli. Ky i fundit, nëpërmjet dy kryeqyteteve, Athinës e Beogradit, të cilëve Tirana u qe drejtuar për ndihmë, jo vetëm nuk e ndihmuan, por shpallën se kurrfarë rreziku se kërcënonte vendin e shqipeve, pale pastaj Ballkanin. E si të mos mjaftonte kjo, lanë të kuptohet se Shqipëria e lëshonte këtë alarm të rremë për të tërhequr vëmendjen, ndoshta, apo për ti dhënë rëndësi vetes, madje kishte gjasë që ishte ajo vetë që ngutej ti vinte zjarrin Ballkanit!
Mbreti Zog I iu përgjigj fqinjëve se ky qëndrim ishte për të zezën e tyre, çka në të vërtetë do të vërtetohej pak kohë më pas, kur, të dy shtetet, pasi të sulmoheshin nga Musolini, do të thyheshin njëri pas tjetrit prej Hitlerit.
Ndonëse ky parashikim, ashtu si zakonisht profecitë e mbretërve të mundur, nuk do të merrej parasysh, vite më pas, atëherë kur krusma e asaj jave do të bëhej pjesë e kujtesës, thënia e mbretit do të përmendej përherë e më shpesh.
Në të vërtetë, java do të ishte e pashembullt për nga dendësia e ankthit. Madje, për shkak të ritmit prej skëterre, ora e Shqipërisë me tiktakun e saj do të ngjante e largët dhe e pakapshme brenda orës së madhe europiane. Ngjarja vazhdonte të dukej e mjegullt: Po sulmohej vendi i shqiptarëve apo gadishulli? Asnjëri prej tyre apo të dy? Kishte apo skishte ultimatum, dhe kuptimi i kësaj fjale a ishte i njëjtë për veshin, e sidomos trurin e të dyja palëve? Ultimatum, thirrje e fundit, përpara goditjes, prerjes në besë. Me afat pesëditësh, e hënë tre prill, e martë katër, e mërkurë pesë, e enjte gjashtë, e premte shtatë. Kjo e fundit, përveç që dita më e dyshuar për sulm, binte e Premtja e Zezë, dhe të shumtë ishin ata që nuk besonin se Italia, vendi i parë i krishterimit, do ta kryente këtë sakrilegj. Të tjerë mendonin se pikërisht për këtë mund ta bënte.
Jo më pak mjegullore ishin parashikimet për shtetin mbretëror dhe mbretin. Do të rrëzoheshin të dy, pa dyshim, por sdihej cili do ta tërhiqte pas vetes tjetrin. Mbreti do ta dorëzonte fronin, apo do të mbathte opingat, shprehje e vjetër që përdorej në vend të daljes në mal, gjersa të vritej ose të kapej rob, së bashku me mbretëreshën? Ajo ishte njëzetekatërvjeçare, kontesha Geraldine Appony, më e bukura sovrane e Europës, trëndafili i bardhë i Budapestit, siç e quanin ata që e përkthenin gabim fjalën tulipan. Një mbretëreshë e zënë rob mund të ndizte lehtë fantazitë e kokoroshëve të Romës, me në krye ministrin e Jashtëm, kontin Galeazzo Ciano. Ky i fundit kishte qenë dëshmitar në martesën e saj, një vit më parë, më 27 prill 1938, dhe nuk e fshihte që i kishte mbetur mendja te nusja. Kjo, nga ana e saj, jo vetëm që e ka vënë re, por i ka përmendur tërthorazi në kujtimet, vërtitjet e atij, që jo pa njëfarë shpërfilljeje aristokratike, gati-gati e ka cilësuar si një birbo latin. Konti spitullan, i cili për shkak të vdekjes së parakohshme nuk do ta merrte vesh kurrë këtë shpërfillje, ka kujtuar ndoshta sinqerisht dhe jo aq me të keq sa çmund të duket sot, se në qoftë se dikujt mund ti shkonte mendja për një flirt me mbretëreshën shqiptare, ky dikush mund të ishte ai, dhe vetëm ai, ministri i lazdruar italian, por, sidomos, dhëndër i Duçes perandor. Ndërkohë, kjo vegulli flirti zbulonte diçka më të thellë: qysh në ceremoninë e një viti më parë, në ndërgjegjen e Ciano-s, mbretëresha, përtej ngjashmërisë me mjellma e trëndafilë të bardhë, ishte në radhë të parë një mbretëreshë robinjë. Shkurt, pushtimi i Shqipërisë ishte vendosur prej kohësh, çka historia do ta vërtetonte.
Ishte kjo një nga arsyet që mbretëresha njëzetekatërvjeçare, sipas të gjitha gjasave, ka zënë një vend të dyfishtë në vetëdijen dhe pavetëdijen e kontit. Nga kujtimet e tij del se ai është marrë veçanërisht me të, veçanërisht në atë javë të fillimprillit. Së pari ngaqë si ministër i Jashtëm që ishte, i përkiste që të ishte në dijeni të ngatërresave që mund të shkaktonte statusi i saj, si pinjo