E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevoja për përmirësim në disa reforma të arsimit

Saba Lama/Specialist në Zyrën Arsimore Krujë

Arsimi ynë në këtë tranzicion e ka ndryshuar tashmë fizionominë e tij si rrjedhojë e reformave të shumta që ka përjetuar, në kuadrin e integrimit të tij me arsimin e përparuar europiano-perëndimor. Por mendoj se në tërësinë e këtyre reformave, kemi edhe reforma që gjatë zbatimit të tyre në praktikë, nuk kanë dhënë produktivitetin e menduar. Ndaj kanë nevojë për përmirësim. Në këtë drejtim përmendim: Maturën Shtetërore, Altertekstin, si dhe disa struktura të reja të arsimit, të krijuara në kuadrin e reformave. Në këtë shkrim po prezantojmë njërën prej tyre, atë të Maturës Shtetërore. 

Dihet që Matura Shtetërore, përbën një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra në fushën e arsimit. Po ç’ka treguar zbatimi i kësaj reforme nisur nga praktika? Për këtë po veçojmë 4 aspekte të saj që përbëjnë edhe thelbin e reformës si proces: a) Hartimin e testeve në nivel kombëtar nga institucioni përkatës (Agjencia Kombëtare e Provimeve ); b) Procesi i administrimit të provimit nga mësues jo të nxënësve, si dhe jo të lëndëve që zhvillojnë nxënësit në provim; c) Monitorimi i mbarëvajtjes së procesit nga përfaqësues të instancave eprore të arsimit; d) Vlerësimi i provimeve të nxënësve me mësues të përzgjedhur nga rrethe të ndryshme të vendit tonë (Vlerësimi i jashtëm ). Po ç’ka treguar zbatimi i kësaj skeme?

 Lidhur me hartimin e testeve, nisur nga pohimet e nxënësve që i kanë përjetuar si dhe mësues të lëndëve që zhvillohen në provim, rezulton se jo kurdoherë testet janë të përshtatshëm për t’u zgjidhur. Pra testet janë hartuar pa standardet e duhura, për rrjedhojë  nxënësit duke mos e gjetur vetveten në zgjidhjen e tyre, kanë patur edhe ndërlikime në këtë drejtim. Sigurisht kjo dukuri ndodh pasi personat që hartojnë testet nuk e njohin mirë nivelin e nxënësve ku delegohen testet, pra nuk janë specialistë të mirëfilltë për kryerjen e suksesshme të kësaj detyre.

-Lidhur me procesin e administrimit të provimit, nuk ka patur administrim korrekt nga administratorët e kjo ka ndodhur jo për fajin e tyre por si rrjedhojë e sondazheve apo ndërhyrjeve nga persona të brendshëm apo të jashtëm për të ndihmuar fëmijët e tyre ose të afërmit e tyre, duke u shkelur kështu rregullorja e mbarëvajtjes së provimit. Në këtë drejtim kemi edhe mësues nga viti në vit që hezitojnë për të marrë pjesë në procesin e administrimit të provimit, në detyrën si administratorë nga frika e penalizimit, sepse kemi patur edhe raste që disa administratorë edhe janë penalizuar nga institucionet eprore për keqadministrimin e provimit ( ndonëse keqadministrimi siç thamë edhe më lart nuk ndodh për faj të tyre, por nga situata e ndërlikuar që përjetojnë në provim ).

-Lidhur me monitorimin e procesit, personat që delegohen nga instancat eprore të arsimit u krijojnë stres nxënësve nga prezenca e tyre e panjohur, pa dyshim edhe vetë administratorëve të provimit.

-Lidhur me vlerësimin e provimeve që do ta veçoja si aspektin më me shumë probleme nga të gjithë aspektet e sipërtreguara mund të përmendim këto dukuri që pa dyshim kanë krijuar indinjatë te nxënësit që i kanë përjetuar, prindërit e këtyre nxënësve si dhe te mësuesit e lëndëve që i njohin nxënësit për nga niveli, ballafaquar me rezultatet e përjetuara.

Në këtë drejtim përmendim rezultate me luhatje të ndjeshme. Kështu kemi patur nxënës që për lëndën që bëhet fjalë, rezultatin vjetorë në shkollën ku ka zhvilluar mësim e ka patur me notën 5 ose 6, ndërsa në provim është vlerësuar me notën 8. Ndërsa një nxënës që e ka patur rezultatin vjetor me notën 8 ose 9 është vlerësuar me notën 6. Madje nxënësit për të tilla rezultate kanë bërë dhe ankimime pranë institucionit përkatës dhe për çudi nota nuk i është ndryshuar ( sipas rregullores së institucionit ), ndonëse është vërtetuar që nuk është vlerësuar objektivisht përmes ballafaqimit me testin.

Pa dyshim të tilla dukuri janë paradokse ndaj nuk duhet të ndodhin. Tani lind pyetja ku e kanë bazën dukuritë e ndodhura ? Sigurisht ato ndodhin për dy arsye: Së pari : nga abuzimi që është bërë me nxënësit gjatë zhvillimit të provimit ( krijimi i hapësirave dhe mundësive për të kopjuar në provim. Është fjala për nxënësin e dobët që është vlerësuar më shumë nga ç’i takon ) dhe nga emocioni apo stresi i fuqishëm që ka përjetuar nxënësi nga rrethanat që ka përjetuar në provim ( është fjala për nxënësin e nivelit të mirë që është vlerësuar me notë të ulët dhe të paparashikuar ). Së dyti : nga mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë dhe mosqenies korrekt në vlerësimin e nxënësve nga personat e ngarkuar për këtë proces.

Së fundi dua të theksoj se mendimet e dhëna për reformën e Maturës Shtetërore në drejtim të mbarëvajtjes së saj janë jo vetëm personale, por edhe të shumë nxënësve dhe prindërve arsimdashës si dhe të specialistëve nga fusha e arsimit. Pra është një opinion e gjerë që konvergon në të njëjtat mendime. Krahas këtyre mendimeve për Maturën si proces lëviz edhe ky mendim : është anti-pedagogjike që kur nxënësi të zhvillojë provim, shkolla të rrethohet me personel nga komisariati i policisë.

Kjo dukuri e streson akoma dhe më shumë nxënësin tanë, krahas emocioneve që i krijon vetë provimi. Po kështu edhe për disa rregulla të tjera që përmban procesi i mbarëvajtjes së Maturës lidhur me disiplinën e nxënësve në provim. Më tepër theksohet që nxënësit si dhe personeli i administrimit të provimit duhen ndërgjegjësuar për provimin që bëhet fjalë dhe jo të kërkohet disiplinimi i tyre përmes një ambienti që të ngjallë panik dhe dhunë. Është edhe ky fakt që thuhet se Matura Shtetërore ende është e parakohshme për tu zbatuar në kushtet tona e duke qenë e tillë është e dështuar.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›