Nevruzi, Kreu i kryegjyshatës uron besimtarët bektashinj
Kreu i kryegjyshatës Haxhi Dede Reshat Bardhi ka uruar të gjithë besimtarët bektashinj festën e Sulltan Nevruzit.
Në fjalën e tij kreu i kryegjyshatës e cilësoi këtë festë si ditën e fisnikërisë bektashiane dhe ditës së ringjalljes së madhe.
Ndërkohë festa e Sulltan Novruzit përbën padyshim një kulm në besimin bektashian. Festa e Sulltan Novruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar.
Diktatura komuniste në Shqipëri, e prirur drejt ateizmit, në vitin 1967 i mbylli të gjitha objektet e kultit, përfshi ato të besimit bektashian.
Dita e Sulltan Novruzit u festua ilegalisht nga besimtarët bektashinj edhe të tjerë, nën maskën e shtjellave astronomike që lidheshin me ditën e ekuinoksit pranveror.
22 marsi i vitit 1991 shënon riçeljen e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, me bekimin e mijëra besimtarëve bektashianë. 22 marsi i vitit 1992 përkon me ndarjen nga diktatura komuniste. Me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, 22 marsi është shpallur ditë feste kombëtare.