New York, Nishani përuron zyrën e aplikimit të pasaportave

Kreu i shtetit Bujar Nishani ka përuruar në New York zyrën e aplikimit të pasaportave biometrike.
Në fjalën e tij, Presidenti Nishani e vlerësoi këtë projekt si arritje të institucioneve të shtetit shqiptar dhe shprehje e kujdesit të vazhdueshëm ndaj emigrantëve tanë kudo ata jetojnë.
Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjeve, Michael Granoff shprehu vlerësimin e tij për cilësinë e dokumentave të prodhuara dhe shërbimin cilësor që do t`u ofrohet shtetasve shqiptarë.
Më pas Konsulli i Përgjithshëm, Dritan Mishto e njohu Presidentin Nishani dhe të ftuarit me procedurën dhe sistemin e aplikimit, interesimin e emigrantëve për të aplikuar duke shprehur bindjen se me këtë shërbim qeveria shqiptare përmbush një nga detyrimet themelore në ndihmë të bashkësisë shqiptare.
Përurimi i zyrës së aplikimit për pasaportat biometrike në New York është në vazhdën e ofrimit të këtij shërbimi edhe për emigrantët shqiptarë në Itali dhe në Greqi.