Kuvendi perjashton Gjiknurin per nje jave nga punimet ne komisione

Demokratët dhe socialistët janë përfshirë në debate të forta në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ligjeve. Shkak i replikave mes kryekomisionerit Ilir Rusmali dhe deputetit socialist Damian Gjiknuri ishte nisja e procedurës për zgjedhjen e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në momentin kur kryetari i Komisionit hodhi për diskutim shqyrtimin e kandidaturave për kreun e KQZ-së, Gjiknuri kundërshtoi duke theksuar se opozita nuk është njohur me kandidaturat e për pasojë kërkon shtyrjen e mbledhjes. Por, kryetari Rusmali theksoi se ligji zgjedhor përcakton qartë se menjëherë pas miratimit të anëtarëve të KQZ-së, Kuvendi nis shqyrtimin e kandidaturave për kryetar. Por, oponenca e Gjiknurit vijoi me tone më të ashpra. Kjo situatë detyroi kryekomisionerin Rusmali t’i kërkojë ligjvënësit opozitarë të largohet nga sall për të mos prishur mbledhjen. Pas këmbënguljes së deputetit socialist Rusmali vendosi ndërprerjen e mbledhjes.
Pas debateve, është mbledhur Byroja e Kuvendit, gjatë të cilës, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kuvendit, nga një grup deputetësh është kërkuar të merrej masë disiplinore në adresë të deputetit socialist Damian Gjiknuri, për sjellje të padenjë. Deputeti Damian Gjiknuri kërkoi tre herë falje përpara Kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve te tjerë të Byrosë. Pas kërkesës së faljes nga Gjiknuri, megjithëse grupi i deputeteve te Komisionit te Ligjeve kishte kërkuar përjashtim me 2 javë nga punimet e Komisioneve parlamentare, Kryetarja e Kuvendit dhe Byroja vendosën zbutjen e masës disiplinore të propozuar, duke përjashtuar deputetin Damian Gjiknuri për një javë nga punimet e Komisioneve parlamentare.