Newman: Anëtarësimi në BE, do të sillte ndryshime pozitive

Australia po e ndjek me vëmendje zhvillimin e Shqipërisë dhe rrugën e saj drejt BE/së. Gjatë një vizite në Shqipëri, Ambasadori australian Jeremy Newman në Greqi i cili mbulon edhe Shqipërinë u shpreh se Australia ka pasur bashkëpunim me Shqipërinë në çështje të ndryshme siç ka qenë edhe Afganistani si dhe kanë pritur mjaft refugjatë nga Kosova gjatë luftës.
“Jam i lumtur që jam në vendin tuaj dhe që do të diskutojmë për politikën e jashtme. Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë mjaft pozitive dhe kjo pasqyrohet mjaft mirë edhe për faktin se janë realizuar një sërë takimesh me personalitete të ndryshme të vendit tuaj . Australia ka pasur bashkëpunim me Shqipërinë në çështje të ndryshme siç ka qenë edhe konflikti i fundit në Afganistan si dhe ka pritur mjaft refugjatë kosovarë gjatë kohës së luftës. Ne po e ndjekim me vëmendje trajektoren e Shqipërisë dhe rrugën drejt BE-së. Anëtarësimi i vendit tuaj në Bashkimin Europian do të sillte mjaft ndryshime pozitive për vendin tuaj”.
Në forumin për Politikën e Jashtme të organizuar prej ACFR-së, u trajtuan çështje të ndryshme të politikës dhe të mundësive për bashkëpunim që ofrojnë vendet tona.