“Newsweek” fushatë kundër Obamës: “Largohu Barack”. S’ke mbajtur premtimet

Fushata presidenciale në Shtetet e Bashkuara është ashpërsuar jo vetëm pas një numri akuzash personale mes kundërshtarëve politik, Barak Obama dhe Mit Romni, por edhe ne mediat, të cilat kanë shprehur hapur qëndrimet e tyre.
Vetëm pak kohë para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e përjavshmja “Newsweek”, i kërkon dorëheqjen shefit të Shtëpisë së Bardhë me pretendimin se nuk ka mbajtur premtimet e bëra në vitin 2008.
Në kopertinën e të përjavshmes Newsweek shfaqet presidenti amerikan teksa ka hedhur xhaketën krahëve dhe me një pamje të habitur, ndërkohë me germa të mëdha shkruhet “Largohu nga skena Barak. Sepse kemi nevojë për një president të ri”.
Kritiku ekstrem Nial Ferguson, autor i shkrimit këmbëngul se Obama nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet që bëri katër vjet më parë teksa premtonte rritje të ekonomisë së vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Kanë kaluar 5 vjet nga fillimi i krizës por problemet qendrore, përqendrimi i tepruar financiar në bankat të cilat ishin shumë të mëdha për të falimentuar, nuk janë probleme që janë menaxhuar si duhet”- thekson Ferguson.
Ndërkohë sa i takon politikën e jashtme, revista akuzon Obamën se ka tradhtuar besimin e njerëzve duke e akuzuar për një reagim të vonuar në Lindjen e Mesme.
Qëndrimi i këtij autori nuk është i panjohur, duke qenë se 4 vjet më parë, gjatë fushatës për zgjedhjes presidenciale ka qenë këshilltar politik i John McCain, kundërshtari i Obamës në zgjedhje. Ajo që përbën lajm, është fakti që artikulli është botuar nga ‘Newsweek, dhe për më tepër është vendosur në kopertinë, në një kohë që gazeta njihet për pikëpamjet e saj tërësisht liberale.
Atmosfera në dy kampet politike është nxehur në Amerikë. Fushata politike e Presidentit Barak Obama dhe e rivalit të tij republikan, Mit Romni kanë intensifikuar sulmet kundër njëra- tjetrës me replika të forta lidhur me taksat. Vendimi i zotit Romni për të dhënë informacion të kufizuar për çfarë ka deklaruar për taksat e vitit 2010 dhe 2011u kritikua përsëri ashpër dje nga fushata e Presidentit Obama. Të premten, fushata e zotit Obama i bëri thirrje zotit Romni të publikonte taksat për pesë vjetët e fundit. Fushata e Mit Romnit e hodhi poshtë propozimin.