“Jerusalem Post”: Berisha, i vetmi drejtues shteti që krahasoi Ahmadinejad me Hitlerin

Mediat izraelite i bëjnë jehonë deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha kundër gjuhës së urrejtjes që presidenti i Iranit
Mediat izraelite i kanë bërë jehonë deklaratës së Kryeministrit shqiptar Sali Berisha ndaj gjuhës së urrejtjes që presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, ka lëshuar kundër Izraelit.
Prestigjiozja “Jeruzalem Post”, me anë të një artikulli, nënvizon se Kryeministri i Shqipërisë, ishte një të paktët liderë botërore të cilët dënuan deklaratat kërcënuese të Iranit. Artikulli nënvizon gjithashtu rëndësinë që ka komenti i Kryeministrit Berisha kundër demagogjisë anti-izraelite të Iranit, i cili është kryeministër i një vendi me shumicë myslimane.
“Të paktën, një udhëheqës shteti në planet, Kryeministri shqiptar Sali Berisha, krahasoi ideologjinë e Ahmadinejad me atë të Hitlerit. Berisha, i cili drejton një shtet me shumicë myslimane, duke komentuar kërcënimet verbale të Iranit, se nuk ka vend për Izraelin në Lindjen e Mesme, theksoi se Ahmadinejad, me deklarata të tilla, tregoi se ndan të njëjtën ideologji me Hitlerin kundër hebrenjve dhe kombit të tyre”, thuhet në artikull.
Artikulli i “Jeruzalem Post” i referohet një deklarate të para disa ditëve të Kryeministrit Shqiptar Sali Berisha, i cili dënoi deklaratën e fundit të Presidentit të Iranit.
Përmes një deklarate për mediat, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha shprehej se me deklaratën e fundit të Ahmadinejad se, nuk do ketë vend në Lindjen e Mesme për Izraelin, Presidenti i Iranit, dëshmon në mënyrë të përsëritur se ai ndan me Hitlerin dhe Lejtenantët e tij, qëndrime dhe ideologji identike për hebrenjtë dhe kombin e tyre.
Në këtë kontekst Kryeministri Berisha shtoi se me këto qëndrime, Ahmadinejad dëshmon se ai dhe ideologjia e tij janë një kërcënim real madhor dhe në rritje për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën.
“Me deklaratën e tij të fundit se nuk do ketë vend në Lindjen e Mesme për Izraelin, Presidenti i Iranit, Ahmadinejad, dëshmon në mënyrë të përsëritur se ai ndan me Hitlerin dhe Lejtenantët e tij qëndrime dhe ideologji identike për hebrenjtë dhe kombin e tyre. Me këto qëndrime, Ahmadinejad dëshmon se ai dhe ideologjia e tij janë një kërcënim real madhor dhe në rritje për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën”, u shpreh kryeministri Sali Berisha.
Irani ka qenë shpesh herë në qendër të vëmendjes jo vetëm për deklaratat kundër Izraelit dhe vendeve të perëndimit, por edhe për shkak të pasurimit të uraniumit dhe ushtrimit të programeve nukleare. Në këtë drejtim, kryeministri Sali Berisha i kujtoi faktorit ndërkombëtar, SHBA-BE dhe vendeve anëtare të OKB, rrezikun bërthamor, duke kërkuar ndalimin me çdo kusht programet nukleare.
“Deklaratat naziste e paranojake të Ahmadinejad janë një thirrje e vërtetë për ndalimin me çdo kusht dhe mjet të programit nuklear të Iranit si një ndër rreziqet më madhore të paqes botërore sot”, paralajmëroi kryeministri Berisha, duke ngritur një shqetësim ndërkombëtar rreth kërcënimeve naziste të Iranit.