Nga 1 korriku, Bulevardi “Epidamn” në Durrës vetëm për këmbësorët

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Bulevardi “Epidamn” në qytetin e Durrësit do të shndërrohet në një zonë të dedikuar vetëm për këmbësorët gjatë mbrëmjeve të sezonit veror, në kuadër të masave të ndërmarra nga Bashkia e Durrësit për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e përvojës së qytetarëve dhe turistëve.
Bashkia Durrës bën të ditur se masa do të jetë në fuqi nga 1 korriku deri më 31 gusht 2026, çdo mbrëmje, në intervalin 19:00–23:00, periudhë gjatë së cilës bulevardi do të jetë i lirë nga qarkullimi i automjeteve.
Për të garantuar mbarëvajtjen e qarkullimit, do të zbatohen ndryshime të përkohshme në lëvizjen e mjeteve. Rrugët “Karl Topia” dhe “Gjergji Komnino” do të funksionojnë me një sens lëvizjeje në drejtim të Vilës së Zogut, ndërsa rrugët “Telha Çela” dhe “11 Dëshmorët e Stanit” do të kenë një sens lëvizjeje zbritës në drejtim të Mauzoleumit të Dëshmorëve.
Po ashtu, gjatë orarit 19:00–23:00 do të ndalohet parkimi i automjeteve në rrugën “Anastas Durrsaku”, në segmentin nga Kisha Ortodokse deri te Shkolla “Gjergj Kastrioti”, si dhe në rrugët “Karl Topia”, “Gjergji Komnino” dhe “Hysen Matlija”.
Sipas Bashkisë së Durrësit, këto masa synojnë të krijojnë një mjedis më të sigurt dhe më të këndshëm për shëtitjet dhe aktivitetet në qendër të qytetit gjatë mbrëmjeve verore, duke u ofruar qytetarëve dhe vizitorëve më shumë hapësirë për të shijuar atmosferën e sezonit turistik.
Bashkia i bën thirrje drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve të respektojnë sinjalistikën e përkohshme dhe ndryshimet në qarkullim, duke falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /e.xh/a.f/