SHBA – Trump: Fitore e madhe në Gjykatën e Lartë për kompetencat presidenciale

UASHINGTON, 29 qershor /ATSH-ANSA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump e ka cilësuar si një “fitore të madhe” vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, e cila konfirmoi të drejtën e presidentit, sipas Nenit II të Kushtetutës amerikane, për të shkarkuar zyrtarë të degës ekzekutive dhe drejtues të agjencive federale që ai ka emëruar.
Presidenti Trump reagoi në rrjetin e tij social Truth Social pasi Gjykata e Lartë i hapi dritën jeshile për të larguar nga detyra Rebecca Slaughter, ish-drejtuese e Komisionit Federal të Tregtisë (FTC).
Vendimi rrëzon një precedent ligjor që kishte qenë në fuqi për gati një shekull dhe që kufizonte fuqinë e presidentit për të shkarkuar drejtues të agjencive të pavarura.
“Presidentët e kanë kërkuar këtë vendim që nga vitet 1930”, shkroi ai.
“Është një nder i madh të jem në detyrë dhe të kem arritur këtë vendim historik e të paprecedentë, një nga më të rëndësishmit të dhënë ndonjëherë për pushtetet presidenciale”, shtoi presidenti Trump.
Megjithatë, në një vendim të veçantë po atë ditë, Gjykata e Lartë Supreme vendosi që Lisa Cook do të vazhdojë të qëndrojë në detyrën e saj në Rezervën Federale, duke theksuar se pavarësia e Bankës Qendrore mbetet një parim thelbësor.
Kjo tregon se, edhe pse Gjykata ka zgjeruar autoritetin presidencial në disa fusha, ajo vazhdon të mbrojë pavarësinë e institucioneve që kanë status të veçantë./ /Ad.Ab./ a.jor.