E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Bogdani te Bakaj, 10 transferimet "historike"

TIRANE- Në historinë e futbol lit shqiptar janë disa transferta që nuk do të harrohen kurrë, jo vetëm për bujën e madhe që kanë krijuar, por edhe sepse kanë thyer disa tabu të shtrirjes gjeografike të lojtarëve shqiptarë. Kalimet e emrave si Demollari për te Dinamo e Bukureshtit, i Igli Tares nga Fortuna Dyseldorf te Kaizerslautern në vitin 1999 apo i Erjon Bogdanit nga Dinamo e Zagrebit për te Rexhina, kanë mbetur në memorjen e të gjithëve si diçka historike. Së fundmi, ishte Hamdi Salihi ai që theu barrierat mes kontinenteve, duke shkuar te D.C. Junajtid në SHBA.
1. ERJON BOGDANI
Transferimi i Erjon Bogdanit nga Dinamo e Zagrebit për te Rexhina në vitin 2000, mbetet padyshim një nga më të rëndësishmit në futbollin shqiptar. Ishte koha kur Seria A italiane konsiderohej kampionati më i fortë i botës dhe ku luanin disa prej yjeve më të rëndësishëm të planetit. Rexhina nuk ishte një skuadër e madhe e Italisë, megjithatë Bogdani theu një tabu me kalimin e tij. Që prej atij transferimi, shtatlarti kuqezi nuk është larguar më nga Italia, ku ka luajtur me skuadra si Verona, Salernitana, Siena, Livorno, Kievo apo Çezena.
2. DEMOLLARI
Ish-organizatori i Dinamos Sulejman Demollari, u bë një nga ata që thyen tabutë e epokës së komunizmit, duke firmosur në vitin 1991 me Dinamon e Bukureshtit në Rumani. Që në sezonin e parë ai ishte kryegolshënuesi i ekipit, ndërsa në total, zhvilloi 100 ndeshje dhe realizoi 36 gola me këtë ekip. Demollari është shpallur lojtari më i mirë i huaj që ka luajtur ndonjëherë me Dinamon e Bukureshtit, ku edhe sot është një idhull i tifozerisë vendase.
3. RUDI VATA
Ish-kapiteni i ekipit përfaqësues bëri një transferim tejet të bujshëm në vitin 1993, kur la Dinamon e Tiranës për të firmosur me gjigandët skocezë të Sëlltik Glazgout. Vata kishte luajtur më parë edhe në Francë me La Manshin, por vajtja në Britani i dha atij një tjetër famë dhe e bëri një nga shqiptarët më të suksesshëm të asaj epoke. Vata luajti për 3 vjet me Sëlltikun dhe në 45 ndeshje të luajtura realizoi 4 gola, ndonëse ishte mbrojtës.
4. LORIK CANA
Transferimi i tij nga Paris Sent Zhermen për te Olimpiku i Marsejës në gushtin e vitit 2005, vazhdon të  përflitet edhe sot e kësaj dite. Lorik Cana kaloi nga klubi i kryeqytetit, ku adhurohej pamasë, në një nga klubet më të urryera për PSG-në, te Marseja. Çështja përfundoi deri në Prokurori, për shkak se disa prej parave të transferimit nuk ishin tatuar. Në këtë ngjarje u përfshi i ati i Lorikut, Agim Cana, një emër i madh i futbollit të dikurshëm jugosllav. Pas 6 vjetësh gjyqe, çështja përfundoi me një dënim me kusht për Agim Canën.
5. IGLI TARE
Në vitin 1999, Igli Tare bëri një kapërcim që e ndryshoi rrënjësisht karrierën e tij. Ai kaloi nga Fortuna e Dyseldorfit për te Kaizerslauterni në Bundesligë, ku kishte shok reparti në sulm Miroslav Klosen. Ai luajti 25 ndeshje dhe realizoi 6 gola te "Djajtë e Kuq" të Gjermanisë, ç'ka i shërbeu për të marrë një ftesë nga trajneri i Breshias në Itali, Karlo Macone. Me kalimin në Serinë A, Tare pati një karrierë gjithnjë në ngjitje. Në dy sezone e gjysmë me Breshian ai formoi një dyshe tepër të spikatur me Roberto Baxhion, që ishte në fundin e karrierës. Më pas, erdhën kalimet te Bolonja dhe te Lacio.
6. ALTIN RRAKLI
Kombëtarja shqiptare vazhdon të mos ketë një sulmues në nivelet e tij. Altin Rrakli ishte padyshim një nga lojtarët më të talentuar në fillimin e viteve '90, ndërsa në 1992, ai bëri një kalim direkt për te Fraiburgu në Gjermani. Luajti për 4 sezone me këtë ekip dhe ishte një titullar i padiskutueshëm në sulm, duke zhvilluar 86 ndeshje dhe duke realizuar 22 gola në total. Në sezonin 1996- 1997, ai luajti me një ekip elitar të Bundesligës, Hertën e Berlinit, por u largua shpejt prej aty, duke firmosur me Unterhaçing. Me këtë të fundit pati edhe periudhën më të gjatë të karrierës, duke zhvilluar 147 ndeshje dhe duke shënuar 29 gola.
7. ALTIN LALA
Nga Borusia Fulda, te Hanoveri. Altin Lala i ka habitur të gjithë me këtë lëvizje të vitit 1998, por shqiptari shtatshkurtër u bë shumë shpejt një shtyllë e Hanoverit dhe e kombëtares shqiptare. Edhe pse me një fizik të brishtë, Lala shquhej për zemrën që vendoste në fushë në çdo ndeshje. Me kalimin te Hanoveri, ai shënoi kulmin e karrierës së tij, ndërsa ka 14 sezone me këtë ekip. Për 6 vjet ka qenë kapiten, ndërkohë që edhe tani në fund të karrierës, mbetet një emër shumë i respektuar në Gjermani.
8. HAMDI SALIHI
Ndoshta D.C. Junajtid nuk është emër më i madh se Rapidi i Vjenës, por transferimi i një jave më parë i Salihit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shënoi një tjetër tabu të thyer në transferimin e futbollistëve shqiptarë. Sulmuesi shkodran do të luajë me një prej klubeve më të mëdha të Amerikës dhe ku vetë drejtuesit janë treguar shumë entuziastë për blerjen e tij.
9. ODISE ROSHI
Odise Roshi ishte vetëm 20 vjeç e 2 muajsh kur kaloi nga Flamurtari për te gjermanët e Këlnit, një klub tradicional i Bundesligës. Kanë qenë të rralla transferimet si ai i mesfushorit fierak, që kapi shumë shpejt majat e futbollit europian. Sot, Roshi është njeriu i momentit te Këlni, pas golit të fitores ndaj Kaizerslauternit, që i dha skuadrës së tij fitoren e parë pas 23 vjetësh në stadiumin "Fritz Valter".
10. ELIS BAKAJ
Talenti i tij u spikat që në moshën 17-vjeçare te Partizani, megjithatë Elis Bakaj e arriti kulmin e tij te Dinamo, kur në sezonin 2009-2010, ishte lideri i një ekipi që e fitoi titullin kampion që në janar. Por, në janarin e vitit 2011, ai firmosi ndoshta kontratën më të rëndësishme të karrierës së tij, duke kaluar te Dinamo e Bukureshtit. Ishte Sulejman Demollari, skaut i klubit rumun, ai që ua sugjeroi drejtuesve fantazistin e kombëtares shqiptare dhe mbërritja e tij në Rumani u prit me goxha bujë nga mediat e këtij vendi.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›