Nga Ferdinand te Koentrao mbrojtësit që vlejnë ar
Nuk është vetëm Zidan apo Ronaldo për të cilët duhet shpenzuar miliona euro që të sigurohen shërbimet e tyre, pasi “Los Blancos” kanë bërë blerje të shtrenjta edhe në mbrojtje. E fundit ishte ajo e Koentraos, por Real Madrid ka blerë edhe me parë mbrojtës me vlerë 30 milionë euro, si Pepe. Tani, në vijën e mbrojtjes, Reali është i përbërë nga tre mbrojtës portugezë, përderisa Florentino Perez nuk tregohet dorështrënguar për këtë gjë. Por, kush janë mbrojtësit më të shtrenjtë në botë. Po fillojmë me disa mbrojtës që shpeshherë kanë ditur edhe të dështojnë. I tillë është Dmitro Çigrinski, i cili nga Shakhtar Donjecku kaloi në Barcelonë për 25 milionë euro në vitin 2009. Katalanët kishin shpresuar shumë tek ai, por doli që ukrainasi mos të jetë i zoti në garë për një vend në formacion me Zherard Piken dhe Karles Pujolin, ndërkaq Jaja Ture disa herë ishte në qendër të mbrojtjes për shkak të dëmtimeve. Rezultati ishte 14 paraqitje për një sezon dhe rikthim për 15 milionë euro te Shakhtar. David Luiz është një tjetër mbrojtës që i kushtoi Çelsit 25 milionë euro. Me flokë si të “Simpsons”, në fillim ishte i mirë dhe bëri paraqitje të mira duke rikthyer Çelsin në lojë me Mançester Junajtidin, por aftësitë e tij mbrojtëse vazhduan të bien më vonë, sidomos në ndeshjen vendimtare të bluve për titull, ku ai bëri shumë gabime. Tani flitet se mund të shitet.
Porto është shndërruar në njërin prej klubeve që fiton më së shumti nga mbrojtësit. Mbrojtësi i Portos, Rikardo Karvajo kaloi nga Porto te Çelsi për 27 milionë. Ai u tregua i suksesshëm, sepse më të Çelsi fitoi tre tituj, tri FA kupa, dy kupa të ligës dhe tani konsiderohet njëri prej mbrojtësve më të mirë në botë. Jeleon Leskot konsiderohet njëri prej mbrojtësve më të shtrenjtë dhe më të mirë në Angli. Ai kaloi nga Evertoni te Mançester Siti për 27.5 milionë euro. Pavarësisht se është pritur më shumë nga ai, megjithatë paraqitjet e mira të Kolo Toures bën që ai mos të jetë aq i suksesshëm për “qytetarët”.
Barcelona bëri edhe një blerje të një mbrojtësi me një shumë për 29.5 milionë eurosh. Në ndryshim nga Çigrinski, ai doli të jetë një mbrojtës i suksesshëm për katalogët, pasi Daniel Alves, që kaloi nga Sevilja në Barcelonë, është njëri prej mbrojtësve më të mirë të krahut në Spanjë. Në këtë listë nuk mund të lihet pa futur edhe Juventusi. Për të siguruar shërbimet e Liliam Thuramit, juventinët paguan plot 30 milionë euro në xhirollogarinë e Parmës. Kjo shumë kishte ardhur pasi Juventusi shiti për një shumë rekord Zinedin Zidanen te Real Madridi, për 70 milionë euro. Francezi doli i suksesshëm për klubin, sepse me mbrojtjen e tij ia siguroi tre tituj Juventusit. 30 milionë euro i kishte paguar edhe Milani Lacios për Alesandro Nestën. Në fillim, Nesta ishte shumë i mirë, por një dëmtim gjatë sezonit 2008-09 bëri që në formacionin e parë më shumë të zërë vend braziliani Tiago Silva. Edhe Pepe kishte kaluar nga Porto te Real Madridi për 30 milionë euro. Ai është një mbrojtës i mirë, por shpesh bën gabime dhe nuk di t’i kontrollojë nervat. Kështu ndodhi edhe gjatë një ndeshjeje me Getafën, ndërkaq gjatë këtij viti, ndërhyrjet e tij të shpeshta bën që ai të ndëshkohet me karton të kuq gjatë ndeshjes me Barcelonën. Por, cili është mbrojtësi më i shtrenjtë në histori? Është Rio Ferdinand që nga Lids Junajtid kaloi te Mançester Junajtid për 46.8 milionë euro, në vitin 2001. Për Lidsin qëlloi një shitje e keqe, sepse ranë një ligë më poshtë, por mirë për Mançesterin, sepse qëkurse kanë transferuar Rion, ata kanë ngritur 12 trofe.