E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Guantanamo, letër për New York Times

Gazeta Shqip

I burgosuri flet për grevën e urisë, dinjitetin dhe ushqyerjen me dhunë nga rojat

guantanamoNjë burrë nga Jemeni shkruan në një letër se si po ushqehet me dhunë në Guantanamo ndërsa është në grevë urie dhe gazeta The New York Times e publikoi letrën e tij në faqen e editorialeve, pasuar nga një qëndrim i bordit editues të gazetës kundër ekzistencës së burgut famëkeq të të dyshuarve për terrorizëm.

Samir Najal al Hasan Moqbel, nga Jemeni, është një nga dhjetëra të burgosur që janë në grevë urie prej tre muajsh. Shumë prej tyre mbahen në jetë falë ushqyerjes me dhunë, pasi i lidhin në karrige dhe i fusin një tub nga goja në stomak. Ai dha një raport dramatik mbi çfarë po ndodh në burg aktualisht, pasi ka qëndruar aty për 11 vjet dhe 3 muaj pa akuza. Ai ka humbur 15 kilogramë peshë që kur filloi të refuzojë ushqimin më 10 shkurt dhe nuk do të pranojë të ushqehet deri sa ata të më rikthejnë dinjitetin.

Në mars, ai ishte në spitalin e burgut dhe refuzoi të hajë. Përshkroi ushqimin e parë me dhunë:

Një skuadër e E.R.F (Forca e Reagimit Ekstrem), me tetë oficerë të policisë ushtarake me veshje kundër rebelimeve, shpërtheu brenda. Ata më lidhën duart dhe këmbët pas krevatit. Me dhunë më futën tubin. Kalova 26 orë në këtë gjendje, i lidhur pas krevatit. Gjatë kësaj kohe unë nuk u lejova të shkoj në banjë. Ata vendosën një kateter, e cila qe e dhimbshme, degraduese dhe e panevojshme. Unë nuk u lejova as të lutem. E ndërsa ata e shtynin kateterin, unë u ndjeva sikur po merrja flakë. Unë desha të vjell, por nuk mundja, shkroi Moqbel.

Pata agoni në kraharor, fyt dhe stomak. Nuk kam përjetuar kurrë një dhunë të tillë më parë. Nuk ia uroj këtë ndëshkim të pamëshirshëm askujt.

Në Guantanamo gjenden aktualisht 166 vetë, shumë prej të cilëve janë kapur më shumë se një dekadë më parë në operacione kundër terrorizmit. Të burgosurit nuk janë lejuar të kontaktojnë me median.

Marina amerikane njoftoi se 43 të burgosur kanë qenë në grevë urie, përfshirë 11 vetë që janë ushqyer me dhunë. Të shtunën rojet hynë në qelitë e përbashkëta dhe lëvizën të burgosurit në qeli individuale në përpjekje për ti dhënë fund grevës. Moqbel, 35 vjeç, tha se një nga burrat peshon 40 kilogramë dhe një tjetër 44.5 kilogramë. Ai vetë peshonte 60 kg një muaj më parë.

Moqbel shkroi se askush nuk mendon seriozisht se unë përbëj një kërcënim, duke shtuar se vite më parë, ushtria amerikane tha se ai ishte roje për Osama bin Laden. Ata nuk duket se vijojnë ta besojnë këtë. Por ata duket se nuk ua ndjen se për sa kohë unë rri këtu.

Ai pati shkuar në Afganistan nga Jemeni, sipas këshillës së një shoku në vitin 2000 për të kërkuar punë dhe u arrestua në Pakistan ku pati shkuar pas pushtimit amerikan më 2001. Moqbel tha se ushqimi i detyrueshëm vijoi në qelinë e tij, pavarësisht se i qe lutur të ndalonin.

Kur ata vijnë dhe më thonë të ulem në karrige, nëse refuzoj të lidhem, ata thërrasin skuadrën E.R.F. Kështu unë kam një zgjidhje. Ose të ushtroj të drejtën time të protestës ndaj burgosjes dhe të rrihem, ose të pranoj dhimbjen e ushqimit me forcë.

Gazeta New York Times u përball me disa kritika dhe ankesa për publikimin e letrës, por nuk i pranoi kritikat. Guantanamo drejtohet nga Shtetet e Bashkuara dhe këto greva urie po ndodhin. Lexuesit kanë të drejtë të dinë dhe në fakt, ne mund të argumentojnë se ata kanë nevojë të dinë për këto, tha zëdhënësja e gazetës, Eileen Murphy.

Moqbel tha se ai vijon të mbahet në Guantanamo për shkak se Shtetet e Bashkuara nuk i kthejnë të burgosurit në Jemen. Unë jam i gatshëm të pranoj çdo gjë për tu liruar. Unë jam 35 vjeç tani. Gjithçka që dua është të shoh familjen time sërish dhe të krijoj familjen time. Ai e tregoi historinë për avokatët e tij te Reprive, një organizatë ligjore bamirëse, përmes një përkthyesi të gjuhës arabe.

Nga Guantanamo, letër për New York Times burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›