E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arabia premton lobim për njohje të reja

Arabia Saudite nuk do të kursejë asgjë në përkrahjen e Republikës së Kosovës, sidomos në përkrahjen në institucionet ndërkombëtare. Kështu ka thënë ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, jorezident në Prishtinë, Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim, gjatë një takimi me presidentin Fatmir Sejdiu, me ç’rast ia dorëzoi letrat kredenciale.

Presidenti Sejdiu falënderoi ambasadorin Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim për përkrahjen e vazhdueshme që Arabia Saudite i ka dhënë dhe po i jep Republikës së Kosovës, si dhe ka çmuar si shumë të rëndësishëm vendimin e këtij shteti për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Vendimi i shtetit tuaj për njohjen e Republikës së Kosovës është vendim i një populli që ka ditur të vlerësojë vlerat tona”, tha Sejdiu, transmeton Presidenca.

“Vendimi për njohjen e shtetit të Kosovës ka vlerë të madhe për ne”, vijoi presidenti Sejdiu, duke rikujtuar se Arabia Saudite është vend lider në botën arabe, si dhe është vend që e ka përkrahur Republikën e Kosovës në të gjitha proceset e deritashme, duke nisur nga ndihmat humanitare në kohët e mëhershme e deri te përkrahja e fuqishme për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Duke konsideruar si shumë të rëndësishme vizitën e ambasadorit Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim, Presidenti Sejdiu tha se njohja nga Arabia Saudite dhe hapja e ambasadës paraqesin një kaptinë të re në marrëdhëniet mes të dy shteteve.

Nga ana e tij, ambasadori i Arabisë Saudite e quajti nder që do të jetë ambasadori i parë i shtetit të tij në shtetin mik të Kosovës. Ai gjithashtu theksoi se Arabia Saudite do të jetë përkrahëse e vazhdueshme e Republikës së Kosovës në të gjitha proceset.

Al-Abdulkarim ka takuar edhe kryeministrin Hashim Thaçi, me ç’rast ka premtuar se vendi i tij do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në të gjitha fushat, përfshirë shtimin e njohjeve të pavarësisë.

Thaçi tha se Kosova dhe Arabia Saudite kanë hyrë në një kapitull të ri të marrëdhënieve bilaterale. “Është e njohur dhe mjaft falënderuese nga ana jonë mbështetja e fuqishme në periudhën e luftës nga Arabia Saudite për refugjatët dhe çështjet humanitare, pastaj në gjithë procesin demokratik dhe tani me njohjen e Kosovës si shtet nga Arabia Saudite është bërë një avancim tjetër i raporteve ndërshtetërore bilaterale, tani jemi në kapitullin tjetër, atë të avancimit të këtyre raporteve, forcimit të relacioneve bilaterale, në veçanti tani në kapitullin e bashkëpunimit ekonomik, të zhvillimit ekonomik, sjelljes së investitorëve të Arabisë Saudite në Republikën e Kosovës, e në të njëjtën kohë forcimin e marrëdhënieve tona biletarele, të gjithanshme dhe në të gjitha fushat”, ka thënë Thaçi.

I pyetur rreth çështjes së njohjeve nga vendet islamike, ambasador arab është zotuar se do të ushtrojë ndikimin e tij tek vendet islamike dhe më gjerë, për të pasur njohje të reja për Kosovën.

“Uroj që do të kemi njohje të tilla. Ne do të angazhohemi që të ushtrojmë ndikimin tonë në shtetet arabe apo në shtet më gjerë islamike për të pasur njohje të reja në të ardhmen”, shtoi ai.

Më herët, Al-Abdulkarim është pritur edhe nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›