Të vegjlit: OSBE, të mos ndërhyjë në debatin për reformën zgjedhore
Partitë e vogla parlamentare kanë reaguar dje vetëm një ditë pasi kreu i OSBE Bosch deklaroi se sistemi zgjedhor duhet të plotësojë 4 kushte përpara se të miratohet porse mbi të gjitha ai duhet që të përjashtojë njëherë e mirë listat e hapura zgjedhore, duke kërkuar që kjo organizatë të mos ndërhyjë në këtë moment në debatin për reformën zgjedhore. Të vegjlit në bllok, ende vazhdojë të thurin reagime dhe kundërreagime në hollin e paqartësive të tyre ideore për sistemin elektoral, listat përkatëse dhe çështjen e pragut elektoral. Në këtë drejtim, disa nga partitë e vogla parlamentare kanë reaguar në lidhje me propozimet e detajuara përse i takon reformës zgjedhore, debat ky i hapur kohë më parë dhe që së fundi po zvarritet nga mungesa e konsensusit ndërmjet dy partive të mëdha PD-PS dhe atyre të vogla. LSI dhe aleatët e saj kundërshtuan dje dhe akuzuan se OSBE po ndërhyn në mënyrë të padrejtë në debatin politik të momentit. “Asnjë nuk duhet të bjerë pre e presioneve të ndryshme qoftë të qeverisë, qoftë të ndonjë partie politike në vend, duke adoptuar qëndrimet specifike të tyre”, është shprehur kryetari i komitetit drejtues kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto. Ai theksoi se deklarimi i Ambasadorit të OSBE-së, për përjashtimin e listave të hapura nga sistemi i ardhshëm zgjedhor, krijon përshtypjen se ka një keqkuptim prej tij për funksionin e këtyre listave. “Listat e hapura, ose sistemi preferencial për listat, janë një element i një sistemi demokratik, që sjellin përfaqësimin e drejtë e të ndershëm në Kuvendin e Shqipërisë. Ne nuk besojmë se OSBE do të veproje si më 2005 kur nuk reagoi ndaj paralajmërimeve të LSI-së, duke pranuar marrëveshjen e atëhershme PD-PS, marrëveshje e cila solli Megadushkun dhe gjithë pasojat që i dimë të gjithë mirë”, theksoi ndër të tjera ai. Ndërkaq edhe PDS e ka konsideruar të padrejtë ndërhyrjen e OSBE-së në këtë moment për reformën zgjedhore. Kryetari i PDS-së, Paskal Milo tha se kjo organizate është bashkëfajtore me PD-në dhe PS-në, për prodhimin e fenomenit të “Dushkut”. “Ambasadori i OSBE-së në një takim me ne ka premtuar që institucioni që ai drejton do të sugjeronte që sistemi spanjoll nuk ishte një sistem i përshtatshëm për Shqipërinë. Ai duhet të ketë koherencë në qëndrimet e saj dhe të mos bëhet pjesë e skenareve të cilat sjellin rrjedhoja negative për demokracinë”, tha Milo. Gjithashtu PAD tha se raporti i OSBE nuk ka favorizuar partitë e mëdha por deklarata e tyre konsiston në një thirrje për dialog mes partive mbi sistemin zgjedhor. Kryetari i PAD, Neritan Ceka ka deklaruar dje se Partitë e mëdha në vend kanë keqinterpretuar deklaratën e përfaqësuesve të OSBE. Në këtë pikë Ceka tha se raporti i OSBE nuk ka favorizuar 2 partitë e mëdha dhe ka lënë mënjanë partitë e vogla, por deklarata e tyre konsiston në një thirrje për dialog. Sipas tij, qëndrimi më i fundit i përfaqësuesit e përfaqësuesit e OSBE në Shqipëri Robert Bosch, favorizon më shumë sistemin proporcional gjerman. Ndërkaq, Partia Demokristiane nga ana e saj ka shprehur rezerva porsa i takon transparencës me të cilën po përgatitet ligji për reformimin e sistemit zgjedhor. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, deklaroi se partia e tij është kundër skemave të Dushkut, por edhe kundër atyre që synojnë të përjashtojnë alternativat e treta. “Opozita është shumë e gjerë se vetë Partia Socialiste. Shqipëria nuk është më në atë stad tranzicioni sa vendimet e rëndësishme politike i mësojmë përmes medias dhe jo përmes institucioneve zyrtare”, deklaroi Ndoka. Kësisoj, pakënaqësia e partive të vogla parlamentare po arrin nivele gjithnjë e më të larta dhe konsensusi aq shumë i përfolur nuk po gjen zbatim asgjëkundi dhe debati gjithnjë e më tepër po i largohet rrugës institucionale duke u përçuar vetëm mediatikisht. Ndërkaq, që sot pritet të mblidhet Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore ku dhe do të paraqiten propozimet dhe mendimet e palëve pjesëmarrëse në të. Ndonëse, OSBE ka shpallur si objektiva kryesore të reformimit të sistemit zgjedhor disa pika të rëndësishme, ku një nga kushtet e vendosura nga organizmat ndërkombëtarë, nuk duhet të jetë “Dushk transparent” që nënkuptohet kur ngulmohet tek aplikimi i listave të hapura zgjedhore dhe se sistemi i ri zgjedhor duhet të jetë patjetër demokratik dhe jo me lista të hapura. Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri ka qenë mjaft i prerë para dy ditëve duke se nuk duhet të ketë më lista të hapura në Shqipëri. Ndërkohë, pak ditë më parë misioni i OSBE/ODIHR ka vënë kontaktet e para me përfaqësuesit e partive politike parlamentare dhe gjatë takimit me ta misioni ka refuzuar në mënyrë kategorike listat e hapura zgjedhore, ndonëse ky refuzim ka hasur edhe mirëkuptimin e dy partive më të mëdha në vend PD-PS. Gjë që ka shkaktuar edhe irritimin e të vegjëlve, duke kërkuar që PD dhe PS të heqin dorë nga këto propozime se në të kundërt paralajmërohet referendum popullor për çështjen e reformës zgjedhore. Ndonëse sot pritet të mblidhet komisioni për reformën zgjedhore, palët janë të interesuara të hedhin propozimet e para, ç’ka do të pasohet më tej edhe me debatet detajuese institucionalisht, për të përmbyllur sa më parë reformimin e sistemit zgjedhor në vend.