E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefer: Reformat e realizuara nga Shqipëria, të mjaftueshme për anëtarësim në NATO

Në fjalën e mbajtur në Institutin Brookings në Uashington, Scheffer bëri të qartë se axhenda e ngarkuar në Bukuresht do të përfshijë edhe çështjen e zgjerimit të NATO-s, ku Shqipëria është ndër kandidatët e mundshme bashkë me Kroacinë dhe Maqedoninë. Shefer vuri në dukje se reformat e Shqipërisë janë evidente, duke i cilësuar si të mjaftueshme për anëtarësim në NATO. Por kreu i Aleancës Veri-Atlantike deklaroi se ende NATO nuk ka marrë vendimin dhe se vendet aspirante të kartës Adriatik 3 duhet të vazhdojnë me reformat dhe të tregojnë qëndrueshmëri. “Edhe tani që flasim, biletat për ftesat nuk janë shtypur ende. Përsa u përket ftesave, ato nuk jepen automatikisht. Pra këto vende duhet të vazhdojnë punën për reformat dhe duhet ta bëjnë procesin e reformave të pakthyeshëm”, ka deklaruar Scheffer. Duke theksuar se në axhendën kryesore të punimeve të samitit të NATO-s, në Bukuresht të Rumanisë Scheffer theksoi se në axhendë është e përfshirë edhe çështja e zgjerimit të NATO-s, ku Shqipëria është ndër kandidatet e mundshme së bashku me Kroacinë dhe Maqedoninë. Ashtu si në deklaratat e mëparshme për çështjen e pranimit të tre vendeve ballkanike në NATO, Scheffer nuk pranoi të shprehej me terma të qartë se si do të vendose Aleanca por la të kuptohet se të tre vendet kanë bërë përparim të dukshëm në reformat që do t’i kualifikonin për anëtarësim. Ndërkaq, bëhet e ditur se Aleanca do ti marrë vendimet me konsensusin e të gjitha shteteve anëtare prandaj zyrtarët e saj më të lartë janë të kujdesshëm në deklaratat se cili vend do të marrë ftesën për anëtarësim. Megjithatë, zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet europiane, Kurt Volker ka deklaruar për “Zërin e Amerikës” se përparimi i bërë nga të treja vendet kandidate, duke përfshirë Shqipërinë, ka qenë i shkëlqyer. “Ne mendojmë se ato kanë bërë një punë të shkëlqyer. Rezultatet e të tre vendeve kanë qenë mjaft të fuqishme dhe këto ne do t’i diskutojmë në NATO, ku vendimi merret me konsensus. Pra, bazuar në rezultatet, bazuar në kontributet për sigurinë, ne mendojmë se ato kanë bërë shumë dhe ne i mbështesim aspiratat e tyre”, tha zyrtari amerikan. Volker, i cili është emëruar nga Presidenti Bush si ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO dhe pret konfirmimin e Senatit, tha se anëtarësimi i të tre vendeve në Aleancë, do të kontribuonte në sigurinë afatgjatë të rajonit, sidomos tani në kushtet kur është shpallur pavarësia e Kosovës. “Ky është një rast i mirë në Ballkan për të lënë pas një herë e mirë dhunën e viteve 90, dhe për ta futur të gjithë rajonin në shekullin e 21”, tha ndër të tjera zyrtari i lartë amerikan. Ndërkaq, pak ditë më parë Scheffer dhe Bush në një takim konsultues të zhvilluar ndërmjet të dyve është vënë theksi te zgjerimi i aleancës me tre vendet kandidate të kartës Adriatik 3. Presidenti Bush, tha se zgjerimi i aleancës me tre vendet e “Adriatik 3” do të bëhet menjëherë pas vlerësimit të ecurisë së reformave të tyre, të udhëzuara nga aleanca. Në kuadër të zgjerimit të NATO-s, gjatë samitit të Bukureshtit, Presidenti Bush ka theksuar se ende vendet anëtare të aleancës nuk kanë marrë një vendim për tre vendet e A3, por menjëherë pasi të bëhet vlerësimi i progresit të realizmit të reformave të tyre, NATO do të thërrasë gjatë punimeve të samitit të Bukureshtit vendet kandidate. Ai ka vënë në dukje se gjatë samtit të Bukureshtit, NATO do të ketë në axhendë kryesore zgjerimin e aleancës me tre vendet e A3.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›