E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Korça me çmim

Trupa e teatrit Kombëtar të Kosovës u kthye me çmim nga Festivali Ndërkombëtar i Monodramës ‘Albamono’ që u mbajt në Korçë. Aktori Ismet Azemi, i cili luan në monodramën ‘Vrasja e mushkonjës’ të autorit Xhevdet Bajraj, në regji të Donard Hasanit, fitoi çmimin për aktorin më të mirë.

Shkuan në Korçë për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës ‘Albamono’ dhe nuk u kthyen duarthatë. Trupa e Teatrit Kombëtar të Kosovës u kthye nga ky festival me çmimin për aktorin më të mirë, i cili iu dha aktorit Ismet Azemi, i cili luan në monodramën ‘Vrasja e mushkonjës’ të autorit Xhevdet Bajraj, në regji të Donard Hasanit.

“Teatri Kombëtar i Kosovës ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës ‘Albamono’ në Korçë, i cili është organizuar prej datës 24 deri më 28 shtator të këtij viti. TKK ka marrë pjesë me monodramën ‘Vrasja e mushkonjës’ të autorit Xhevdet Bajraj, ndërsa ka interpretuar aktori i trupës rezidente të Teatrit Kombëtar, Ismet Azemi, regjinë e shfaqjes e ka bërë regjisori mysafir nga Shqipëria Donard Hasani, skenografinë e ka bërë po ashtu një skenograf mysafir nga Shqipëria, Erald Bakalli, kompozimin e ka bërë Hysni Klinaku, ndërsa kostumografinë e shfaqjes e ka bërë Samka Ferri”, tha Emin Emini, drejtor artistik në TKK, në një konferencë për media, që u mbajt të martën në TKK.

Në edicionin e shtatë të këtij festivali kanë marrë pjesë trupa të shteteve të ndryshme, siç janë Bullgaria, Greqia, Serbia, teatri shqiptar i New York-ut, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Shqipërisë, teatri Metropol, teatri i Korçës si dhe ai i Maqedonisë.

“Ismet Azemi dhe Teatri Kombëtar i Kosovës nga ky festival kthehet me çmimin aktori më i mirë. Në këtë festival është dhënë edhe çmimi për aktoren më të mirë, ndërsa çmimet tjera janë dhënë për hir të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të cilat kanë qenë çmime inkurajuese. Mirëpo, çmimi i përhershëm, të cilin e ndanë ky festival është çmimi për aktorin më të mirë dhe kësaj radhe këtë çmim e ka rrëmbyer aktori i ansamblit rezident të TKK-së Ismet Azemi”, shtoi Emini. Ai theksoi se ky është vetëm një prej çmimeve që TKK ka marrë gjatë këtij viti. Ai bëri të ditur pjesëmarrjen e trupës së teatrit edhe në disa festivale tjera.

“Do të marrim pjesë edhe në disa festivale tjera, si në Festivalin e Kumanovës, në festivalin e dramës në Dibër, pastaj jemi në festivalin e Shkupit ‘Skupifest’ dhe do të jemi edhe në festivalin që organizohet për nder të 100-vjetorit në Tiranë, prej 10 deri më 24 nëntor”, tha Emini.

Ndërkaq, aktori që është shpërblyer me çmim në festivalin e Korçës, Ismet Azemi, theksoi se ky është çmim që atij i jep akoma më shumë vullnet që të punojë.

“Para se gjithash unë e përgëzoj Teatrin Kombëtar dhe e falënderoj që ka pasur mirësi për të më pranuar mua si aktor të kësaj monodrame, një monodramë që është punuar brenda 40 ditëve me një regjisor nga Tirana, Donard Hasani. Kështu që unë jam shumë i lumtur që në hapje të sezonit kjo shfaqje edhe vlerësohet mirë edhe nga kritika si shfaqje por edhe si mesazh dhe të shpërblehet që në start të sezonit. Është një shpërblim që e bënë aktorin të ndihet mirë”, tha ai.

Azemi shtoi se konkurrenca në këtë festival nuk ka qenë e vogël. Sipas tij, shfaqja ka komunikuar jashtëzakonisht mirë me publikun atje në Korçë. Ndërkaq, duke folur për temën, Azemi tha se është një temë shumë aktuale.

“Është një temë që ngado që sillesh e ndjen që është temë familjare, por nuk do të thotë se s’është edhe temë politike. Është një temë që ka kërkuar një angazhim jashtëzakonisht të madh prej aktorit, prej regjisorit edhe prej krejt ekipes, kështu që ne kemi arritur ta realizojmë edhe para publikut tonë dhe të reflektojmë pozitivisht por edhe në festivalin e parë të marrim çmimin për aktorin më të mirë”, tha ai.

Në fund Azemi theksoi se kjo monodramë ka qenë një sprovë shumë e madhe për atë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›