E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Milano në Manhatan

1. Avioni ishte i stërmadh. Një sallon modern mbledhjesh. E dija se italiania më kishte zgjedhur një vend të mirë dhe thashë me vete se do Zoti dhe më takon ndonjë tip interesant në krah, që të mund të bëj ndoca muhabet, se gjithsesi, ishin jo më pak se nëntë orë udhëtim. Duke kërkuar ulësen time, këmbët po me çonin kërkund tjetër veç në rrjesht të fundit dhe ngjitur me banjon. Ah, thashë me vete, të keqen e Valit. Po të kishte punuar sistemi në Rinas s'do të isha këtu në fund dhe s'do mund të provoja as shijen e buzëqeshjes së italianes së re. Vura çantën dhe xhaketën sipër dhe ndenja gjithë kuriozitet duke pritur bashkëudhëtarët e mi. Dhe fatit s'ke ç'ti bësh. Brenda pak minutash para meje u shfaq Qazimi me Mejremen. Oh, të keqen! Qazimi përshëndeti me kokë dhe e shtërngoi Mejremen te vendi nga dritarja.
Pra në kampartamentin tonë ndodheshin vetëm tre: Mejremja nga dritarja, Qazimi në mes dhe unë nga banjoja. Bukur fort! Mejremja s’e hoqi atë si pallto që kishte dhe ndenji e mbërthyer deri në fyt (në fytin e vet). Qazimi u ul mbi jastëkun dhe batanijen që ndodheshin në sedilen e secilit. Hoqi xhakaventon e vet dhe ia la Mejremes në preher bashkë me një çantë dore dhe një portofol të madh, ku kishin edhe green cart-at. Brenda pak sekondash Mejremja u shndërrua në një mullar të patransformueshëm deri në Neë York. Dhe kam frikë se këtë pamje do ta ketë ruajtur me fanatizëm deri në Detroit.
2. Në aeroportin e Neë York-ut, atë me emrin e presidentit të vrarë, Kenedit, ishte nje babiloni njerëzish të të gjitha rracave; 28 sportele punonin paralelisht. Mu duk si një magazinë e shëmtuar në të cilin po organizohej një inventar vjetor.
Njerëzit lëviznin në një gjarpnore sajuar me rripa. Mund të ishim më shumë se njëmijë veta. Aq shumë, sa radha e Rinasit më ngjau me një palë rruaza grash.
Më në fund dola. Nxora paketën e cigareve dhe thashë se s'do lëviz nga vendi pa e mbaruar gjysmën. Por pata ftohtë. Isha shumë i lodhur, këmbët s'më mbanin dhe pata përshtypjen se do shëmbem si kalë ndën efektin e nikotinës. Shkova te një taksi. Taksixhiu qe një me ngjyrë. I dhashë adresën. Ai pati një moment habie dhe unë, si të isha njujorkez i moçëm ia shpjegova duke i thënë se ndodhet në anën lindore të Union Square.
- Ok, ok, - tha ai – Ëhere are you from?
- From Albania- fola unë
- Oh, Albania - Selam alekum!
- Alekum selaam - ia ktheva.
- I am from Palestina - buzëqeshi ai, si të më thoshte se jemi komshinj apo vëllezer të një gjaku - The things are going better in Albania - vazhdoi ai ndërsa unë e pyeta se a mund të pi cigare në makinë.
Me të vërtetë vëllezer të një gjaku. Palestinezi jo vetëm që më lejoi, por më kërkoi edhe t'i jepja cigare.
Më pas ai më pyeti rreth punës dhe unë i thashë se jam shkrimtar. Shkruaj për teatrin.
- For the theatre?! - u zgjua ai - Oh, is a good bussiness.
Po more mik, se çfarë biznesi është të shkruash për teatrin veç unë e di.
Kështu dhe përfundova në 1, Irving Place. Duket se hyra si nxitimthi në ndërtesë se dëgjova recepsionistin me një të shërbimit duke ndërprerë një bisedë të nisur në serbisht.
Ja pra, vendi i të gjithëve.
3. Në apartament më priste Matt. Një djalosh krejt i ri, koordinator i projektit të Apexart (të cilin Vali, për çudi, s’e kishte dëgjuar më parë). Matt nisi të flasë me mua në anglisht, siç Mejremja i fliste atyre italianëve në shqip. U detyrova që në fillim ta ndërprisja e t'i thoja se unë nuk jam native speakers, pra se anglishtja ime ishte punë përrallash dhe se ai duhej të fliste më shkoqur e më ngadalë nëse dëshëronte të kuptohej nga bashkëbiseduesi, që në këtë rast kisha qëlluar unë.
Matt hoqi keq të kuptonte kërkesën time, kështu që u morëm vesh veç për kryesoret: si hapet dhe mbyllet dera, si punon telefoni, si mund ta lexoj hartën e tij mikroskopike dhe ku mund t'i derdh plehërat.
Ai iku shpejt duke më lënë të ambientohem me hapësirën e re. Fillimisht mu duk një gjë e madhe. Por pak më vonë kuptova se në të vertetë apartamenti ishte krejt i vogël dhe doracak. Iluzionin se apartamenti ishte i madh e krijonte një faqe muri e veshur me pasqyra. Kur pashë veten time bashkë me sendet e tjera të projektuar në një hapësirë mediatike dhe të paqenë, u shtriva.
Gjumi më kishte zënë këndej pasqyrave.
III. Dita e parë në New York
1. Meqë u zgjova këndej pasqyrash nuk i besova orës që shndëriste poshtë një televizori të vogël e të denjë për përmasat e apartamentit: 03.15. Mu duk sikur ishte ora të kthehesha edhe njëherë, orë udhëtimesh. Por e mora veten. Ishte thjesht ora e Neë York - ut, çfarë do thoshte për mua se më duhej të sillesha nëpër dhomë, kuzhinën e vogël dhe banjon edhe më të vogël deri diku në orën 9, kur dhe supozoja të niste jeta në këtë qytet.
Brenda pak kohësh kuptova se nuk kisha qenë në gjendje të mirë mendore një ditë më parë dhe nuk e kisha kuptuar hiç hapësirën në të cilën ndodhesha.
Nisa të hapja të gjitha sirtaret që gjendeshin në atë apartament. Dukej qartë se dikush tjetër kishte jetuar një muaj më përpara. Këtë e dëshmonin përbukuri një koleksion kavanozash të vegjël e të lënë përgjysmë që gjendeshin në një frigorifer të stërmadh. Ishin gjithfarë lloj salcash me aroma të çuditshme e që ma çuan peshë stomakun bosh. Aq shumë prej tyre kishte, sa mendova me vete se s'ishte çudi që Apexart të kishte ftuar si rezident ndonjë shef kuzhine. Mos u habit, i thashë vetes, me këto rrugë që po kërkon arti i sotëm.... e aq më tepër kur aktiviteti kryesor i Apexit ishte galeria e artit... edhe mundet.
Atëherë u kuriozova shumë dhe hapa menjëherë faqen në internet të organizates. Ndjesia që kisha pasur se para meje mund të kishte banuar këtu një shef kuzhine s'ishte hiç e vertetë dhe në të njëjtën kohë ishte edhe e drejtë. Curriculum Vitae e tij thoshte tjetër gjë. Ai ishte artist, shkrimtar dhe kompozitor, kurse emri i tij Emdadul Huq Md. Matlub Ali më vërtetonte përshtypjen e parë të lidhur me salcat. Pra unë po flija në krevatin që sapo kishte zbrazur ky zotëri nga Dhaka e Bangladeshit, i rekomanduar të vijë këtu prej një tjetër artisti Abdus Shakoor Shah, siç unë qeshë rekomanduar nga Adrian Paci, artist shqiptar që jeton në Milano.
Zotëria që s'ia mbaj më mend emrin e që po e thërrasim paraardhësi nuk kishte lënë asgjë tjetër më normale veç atyre kavanozash si të donte të më jipte sinjalin se këtu gjerat nuk janë të thjeshta. Po ndërkaq në një cep të kuzhinës ndodhej një tjetër qese me grykë të mbyllur dhe më shënimin "Nga Apexart". Ja pra dhe zgjidhja. Do Zoti e mund të kisha diçka të zakonshme për të futur në gojë. E hapa. Po. Një shishe... verë dhe një... pako... me... kafe. Great!
Verë me kafe. Newyorker breakfast: verë me kafe ose kafe me verë ose kafe me verë e me salca të ndryshme, mund të ishte një recetë e çmuar për të nisur ditën time të parë.
2. Atëherë duke u rrotulluar nëpër shtrat me gojë të tharë e me telekomandën e televizionit në dorë, herë duke dremitur e herë duke parë me bisht te syrit disa reklama lëngjesh, kapuçinosh e gjithfarë brioshësh të tjerë erdhi ora 7. Po lindte dita. Do marr dikë në telefon, thashë. U çova edhe njëherë mora bllokun e numrave të miqve të mi që jetonin këtu ose diku afër dhe zgjodha viktimën që do hante një zile te veshi në shtatë të mëngjesit. Do marr Arbenin. E vendosa menjëherë. Arbenin e kisha pasur shok dhome në konviktin e Fakultetit Filologjik në Tiranë dhe e dija mirë se ai e kishte pasë zakon të zgjohej gjithmonë herët.
Arbeni është nga Gomsiqja e Pukës dhe besoj se nuk e ka ndërruar zakonin e vjetër këtu në New York. I rashë telefonit pa e menduar më gjatë dhe pas disa zilesh u dëgjua një zë. Zëri i Arbenit:
-Hallo!
-Ben!-fola unë me ton mëse miqësor
-Hallo!
-Ben, mor!
-Who are you? - u dëgjua anglishtja e Benit, si të ishte duke më gjuajtur me tre gjyle njëra pas tjetrës.
-Who I am? - ia ktheva unë me tri gjyle të tjera -I am Stefani more Ben, Çapaliku - i thashë
Pati një pauzë. Nuk e di se ç’mendoi Beni në atë çast. Ndoshta do ma thotë kur të takohemi, por me pak fjalë ai nuk shprehu kurrfarë nostalgjie, entuziazmi apo hareje kur dëgjoi pas disa viteve sërish zërin tim.
-Unë jam student or Stefan. Shkoj përditë në shkollë e teshti jam në sezon provimesh deri me datë 28 Janar. Shkoj në mëngjes e kthehem në darkë. Pastaj më tha se studionte për diçka të ngatërruar e që s'mund të ma shpjegonte në telefon; se fëmijët e tij ishin gjithashtu në shkollë e se vetëm e shoqja punonte.
Kujtoj se Beni është diku te 45 vjetat dhe se ne më kot kishim mbetur gojëhapur kur patëm dëgjuar se Imzot Fan Noli kishte studiuar për fyell në moshë madhore. Ja pra, Beni jo vetëm që është në moshë madhore, por studion edhe për diçka shumë më të komplikuar se instrumentet e frymës.
Iku edhe Beni. Thamë disa fjalë në formë premtimesh në fund të bisedës, të tipit se do takohemi patjetër dhe pas disa rrotullimesh të tjera nëpër krevat mora në telefon Antonin.
3. Antoni është një ish student i imi nga Miloti. Ai ka studiuar për aktor dhe ka dy vjet që ka ardhur në Amerikë. Antoni u përgjigj pa pyetur "Who are you?". Ai tha vetëm fjalët “God, Man”, dhe se do vinte të më takonte menjëherë në Union Square.
Shpëtova, më në fund do vinte Antoni dhe do dilnim si njerëz për një kafe. U vesha dhe dola ta pres poshtë.
Gjatë kohës që prisja Antonin, i cili do vinte nga New Jersey, më zunë sytë se unë jetoja në një rrugë që kishte emrin e një prej miteve të shkollës moderne të aktrimit Lee Strasberg dhe jo vetëm kaq, por tamam përballë hyrjes së pallatit ishte "Lee Strasberg actor's studio". Uauuu! Për koincidence librin e Strasbergut në anglisht "Actor's studio" kishte qenë Antoni që ma kishte dhënë ta lexoja disa vite më pare, kur ai banonte në Tiranë. Ngjitur me godinën thellësisht modeste të studios së famshme ishte një teatër dhe disa hapa me andej Akademia e Filmit e New Yorkut. Gjëra që vetëm i kishim dëgjuar e që me thënë të drejtën qenë ndërtesat më modeste e më të varfëra të të gjithë zonës.
Antoni erdhi. I dobësuar, por i qeshur e zemërmirë si ai. I kërkova të më shpjegonte gjithë jetën e tij në Amerikë vetëm në pesë minuta dhe ai e bëri: Në fillim realizova një shfaqje në shqip, të cilën erdhën ta shihnin vetëm disa amerikanë. Pastaj më mbaroi viza e qëndrimit. Më vonë më mbajtën në shtëpi një çift pasanikësh pleq, ish profesorë, por që burri qe shurdhuar dhe e shoqja ishte e paralizuar. Mbas disa kohësh fillova punën në të zezë si kamarier në një restorant italian ngaqë di italisht. Dhe tani do shkoj në një audicion për një film horror, por që s’ka pare.
Me Antonin shëtitëm gjysmën e Broadway-it në këmbë për nja dy orë derisa arrita në zyrat e Apexart.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›