E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga Nani te Boateng, Europiani një miks “multietnik

Më shumë se një turne kontinental, kampionati europian që do të startojë të premten, duket se ka një aromë Botërori. Shkak për këtë janë futbollistët e shumtë të huaj që luajnë në ekipe të ndryshme të Evropës. Pak rëndësi ka se nga e kanë origjinën, për futbollistë si Tiago Mota apo Luis Nani, janë bërë shumë shpejt pasaportat dhe ata do të jenë pjesë e kombëtareve të kontinentit të vjetër. Shumë nga ekipet kombëtare sot janë multietnike, duke përshtatur futbollistë që vijnë nga vende të tjera, por që kanë lindur në atë që përfaqësojnë. Portugalia është shembulli tipi i këtyre ekipeve, teksa lojtari i huaj më përfaqësues mbetet Luis Nani. Ai ka lindur në Kepin e Gjelbër, por është transferuar në Portugali i vogël dhe aty ka nisur karrierën si futbollist. I njëjti fat edhe për mbrojtësin Rolando. Ndërkohë, Pepe ka zgjedhur të veshë fanelën e luzitanëve edhe pse ka lindur në Brazil. Portugalia gjithsesi nuk është e vetmja skuadër që ka futbollistë nga jashtë Evropës. Një e tillë është edhe Franca, duke nisur nga ylli i Realit të Madridit Karim Benzema, që është me origjinë algjeriane. Benzema ka lindur në Francë, por prindërit e tij janë nga vendi afrikan. E njëjta gjë edhe për Samir Nasri, ndërsa Hatem Ben Arfa është me origjinë tuniziane. Ndërkohë, Mandanda ka lindur në Zaire edhe pse është francez në kuptimin e plotë të fjalës. Çështje politike. Në Gjermaninë e Joakim Lëv, e mbushur me futbollistë të kombësive të tjera, Zherom Boateng nuk është fare europian. Ai ka lindur nga një baba ganez dhe nënë gjermane, por ka zgjedhur pancerat, ndryshe nga vëllai i tij që luan me Ganën. Ndërsa kombëtarja greke ka një futbollist jashtë Evropës, si uruguajani Holebas, ndërkohë që nuk mungon edhe shqiptari Sotir Nini. Nga Brazili është edhe ylli i Kroacisë Eduardo Da Silva, që në moshën 15 vjeçare ka emigruar në Zagreb, ku u afirmua si futbollist. Në vitin 2004 ai zgjodhi të luante për vendin ballkanik. Te Holanda, Afelaj e Bulharuz janë me origjinë marokene, por kanë zgjedhur këtë kombëtare. Jores Okore luan me Danimarkën, por ai është me origjinë nga Bregu i Fildishtë. Kohët e fundit, kjo traditë është kopjuar edhe nga Italia, me Tiago Motën. Tek Anglia, Defo e Uellbek kanë respektivisht origjinë nga Karaibet dhe nga Gana, por luajnë të dy për “Tre Luanët”. Suedia, përveç Ibrës me origjinë boshnjake, ka një iranian, Safari Bherang dhe një kosovar, Emir Bajrami.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›