E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poloni e Ukrainë, mbërrijnë skuadrat e Europianit 2012

Polonia dhe Ukraina kanë nisur të popullohen nga skuadrat pjesëmarrëse në kampionatin europian, që starton të premten. Në qytetet pritëse të këtij kompeticioni, ekipet kanë parë nga afër entuziazmin e tifozëve vendas, teksa për 23 ditë vëmendja do të jetë e drejtuar nga këto dy shtete. Një pritje tepër e ngrohtë u është rezervuar holandezëve, finalistë të Botërorit 2010 dhe një prej skuadrave pretendente për fitimin e Europianit. Tifozët janë shprehur shumë entuziastë për turneun, që për nga rëndësia, renditet i dyti pas Botërorit. Holanda do ta nisë Europianin nga përballja me Danimarkën, në atë që konsiderohet nga të gjithë si grupi i ferrit. 

Një tjetër ekip që ndodhet në grup me tulipanët është Gjermania e Joakim Lëv, e konsideruar në pozita të barabarta si favorite me Spanjën. Tre herë kampionët e Evropës e nisën fushatën e miqësoreve me një humbje 5-3 me Zvicrën, por Lëv duket se ka gjetur formacionin më të mirë me rikthimin e Bastian Shvajnstajger. Gjermania do ta luajë ndeshjen e parë ndaj një tjetër favoriteje, Portugalisë së Kristiano Ronaldos. Ndërkohë, Europiani do të startojë ditën e premte me dy ndeshjet e grupit A, Poloni-Greqi dhe Rusi-Çeki.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›