Pujol e Vija refuzojne Spanjen

Dyshja e dëmtuar e Barcelonës, David Vija dhe Karles Pujol kanë refuzuar ftesën për t’iu bashkuar grumbullimit të përfaqësueses spanjolle në Poloni, gjatë fazës finale të Euro 2012.
Federata Spanjolle e Futbollit, RFEF tentoi të bindte dy futbollistët që ata të qëndronin pranë skuadrës, për të dhënë mbështetjen e tyre, pavarësisht se trajneri Visente del Boske ishte shprehur kundër kësaj ideje që sipas tij mund të shkaktonte “krahasime dhe mbi të gjitha pakënaqësi brenda skuadrës”.
Për të evituar tensione të panevojshme në skuadër, Pujol dhe Vija kanë bërë të ditur se preferojnë të përqendrohen te rehabilitimi I tyre I plotë në kuadër të sezonit të ardhëm, megjithatë shtuan se do të ishin të lumtur që të takonin skuadrën, nëse federata do ti ftonte vetëm për një vizitë, ose për ndonjë ngjarje të veçantë.
David Vija i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e “Furisë së Kuqe” me 51 rrjeta të realizuara në 82 ndeshje pësoi një frakturë në kërci, gjatë Botërorit të Klubeve në dhjetor të vitin 2011 dhe ende nuk është rikuperuar.
Në anën tjetër, Pujol, të cilit i nevojitet vetëm një ndeshje për të kapur kuotën e 100 prezencave, ka një dëmtim në gju. Të dy futbollistët janë elementë shumë të rëndësishëm të Spanjës, ashtu si edhe pjesa tjetër e lojtarëve të Barcelonës.
Në fakt, me shtatë futbollistë në përfaqësuese, mes të cilëve Ksavi, Iniesta, Fabregas e Pike, “blaugranat” përbëjnë 30.4 për qind të skuadrës që më 10 qershor kundër Italisë do të nisë mbrojtjen e kurorës europiane.