Nga Olimpi zotat nuk do zbresin vetë
Je i ri, pa punë, pa shkollë të lartë ose me një diplomë universiteti perëndimor në rastin më të mirë apo një diplomë që shndrin si Kristal në rastin më të keq, që prapë stë hyn në punë? Sje i vetmi dhe ske zgjidhje! Thjesht duhet të shtysh ditët, të luash kazino, të luash skedinë për çdo ndeshje të mundshme në rruzull, të lexosh ndonjë gazetë rozë, të ngrohesh në diell dhe në të rëntë shansi të gjesh ndonjë të afërm që ka lidhje e të kapesh ndonjë vend pune! Të gjithë i dimë këto! Disa janë me fat, disa të tjerë mezi presin që të ikin këta të poshtrit nga pushteti dhe të vijnë të vetët. Dhe ky cikël ka 20 vjet që përsëritet! Gjysma është me fat dhe gjysma tjetër pret ditën që tu rrëmbejë fatin fatlumëve! Po sikur të ndalnin për një çast të gjithë të rinjtë e këtij vendi (janë vërtet shumë) dhe të mendonin! Unë besoj që mund ta bëjnë… Skanë pse mendojnë me pasion e vrull, frymë revolucionare apo duke marrë armët për të rrëzuar nomenklaturën e re të tranzicionit shqiptar, duke shpartalluar majtas dhe djathtas etj! Mjafton të ndalin një moment dhe të mendojnë ftohtë, në mënyrë racionale si të ishte fati i tyre një ekuacion i thjeshtë gjimnazi! Kjo gjysma që përfiton nga partitë në pushtet të mendojë ditën që do humbasë pushtetin partia mëmë dhe tjetra që pret ditën e bekuar të mendojë që maksimumi 8 vjet do hanë bukë!
Mos ndoshta do ishte më mirë që të dyja palët mos të jenë në dy llogore të kundërta, por bashkë… Po, po, bashkë, madje duke tërhequr dhe atë pjesë që nuk i përket asnjë llogoreje! Duket utopi në fakt në një vend kaq lëmsh e të përçarë, plot paranoja si ky i yni! Duket, por ama nuk besoj se është e pamundur! Mund të arrihet të ndërtohet një Shqipëri që ofron vende pune, arsim më të mirë, shkolla profesionale, hapësira për sportin etj me presionin, bashkëpunimin dhe lobimin e të rinjve.
Të rinjtë kanë moshën, energjinë, aftësinë për tu përshtatur, kuptuar apo ndjerë ndryshimin më shpejt por mbi të gjitha kanë dhe VOTEN!
Dhe kjo mund të duket broçkull, por jam i bindur që akoma ka vlerë vota në Shqipëri dhe demokracinë tonë të brishtë! Nëse forca e saj goditëse është shumë e madhe, skanë çti bëjnë zotërinjtë atje sipër në Olimp, ama nëse luhet për 10 vota, stë fal njeri… Nga të dyja palët!
Si mund të bëhet?
Bëje Mirë, Bëje Vetë
-Si fillim nuk duhet të votojmë siç votojnë prindërit! I duam, jemi gjaku i tyre, por në rastin shqiptar ka një specifikë! Ata janë krijesa politike të një sistemi që ka qenë dhe mbetet mallkim për këtë vend. Duhet të jemi INDIVIDË të bashkuar por jo turmë! Pjesë e një shoqërie, jo viktimë anonime e saj!
-Ti shohim të rinjtë e tjerë as me xhelozi, por as si vëllezër e motra, shok ideali apo diçka e tillë, por si pjesë të qenësishme të një ingranazhi të madh me të drejtë vote ku secili bën detyrën e caktuar dhe makineria ecën qëndrueshëm dhe e vëmendshme ndaj politikave që i përkasin kësaj kategorie shoqërore! Ti joshim ata të pavendosurit të bëhen pjesë e ingranazhit, ti shpjegojmë qëllimin final nga i cili fitojnë të gjithë!
-Meritokraci!
Të rinjtë duhet të jenë të parët në shoqërinë tonë të pranojnë garën e drejtë dhe mbi të gjitha të njohin veten për të kuptuar rolin dhe pozicionin e tyre në shoqëri! Ska pse të marrësh diplomë kot, ska pse të kesh turp nëse je kamarier, as berber, as hidraulik, as këngëtar dasmash… Mjafton ta bësh atë punë me dëshirë dhe pa i thënë vetes: Sjam unë për këtë punë,jam gabimisht këtu.
-Por kur skemi bukë të hamë, çtë bëjmë? Ne mezi shtyjmë muajin, ti na flet për politike?!
Kjo pyetje vjen therëse dhe shumë natyrshëm, por duhet të kuptojmë që buka, uji, veshjet dhe çdo gjë tjetër që na shërben është pazgjidhshmërisht e lidhur me politikën. Dhe nëse nuk e kontrollojmë, të paktën ta orientojmë politikën…
-Forca qëndron tek numrat!
Si mendoni ju që nëse Berishës apo Ramës i shkojnë qindra mijëra firma të rinjsh të organizuar për një kauzë të sinqertë dhe të mirëartikuluar nuk do kenë vëmendje ndaj çështjes përkatëse? Sigurisht që do kenë dhe madje do nxitojnë të japin alternativën për ta zgjidhur.
-Duhet ta duam vendin tonë dhe shoqërinë shqiptare!
Nuk ka pse ta duam Shqipërinë verbërisht apo me patetizëm… Ta duam do të thotë ta pranojmë me gjithë bukurinë dhe shëmtinë e vet, me plagët e hapura apo çmenduritë që jetojmë përditë! Duhet ta duam natyrshëm…
-Të kuptojmë urgjent vlerën e jetës!
Vlen shumë pak jeta në Shqipëri! Për një dashuriçkë, për një gërvishtje, për një Çfarë ke që shef ikën për dhjamë qeni! Këtu skam çthem, çdokush duhet ta kuptojë vetë misionin e tij në jetë dhe formën (përveç asaj qe zgjedh Zoti) për tu larguar nga kjo jetë!
-Duhet të organizohemi!
Ky është problemi më i madh…Te rinjtë shqiptarë ose i bashkon ndeshja e kombëtares ose momente shumë të rëndësishme, kryesisht të dhimbshme të kombit tonë!
Forma organizimi dhe modele ndërkombëtare ka pafund, por sinqerisht unë smund te shpreh alternativa që mund të jenë të besueshme, të pakontestueshme apo pa u aluduar qê kanë një background të pisët sepse këtu tek ne sado e sinqertë të jetë dëshira për një formë organizimi, do helmatiset rrugës nga ata që e mbajnë Olimpin me thonj. Ndoshta do vijë natyrshëm, ndoshta duhet ta kërkojmë! Në botën arabe e nisën me rrjetet sociale revolucionin (ne sjemi në atë pikë), në Gjermani krijuan Partinë e Piratëve, në Itali Grillo krijoi Lëvizjen me Pesë Yje ku janë përfshirë shumë të rinj… Duhet gjetur një formë! Duhet ta gjejmë ne të gjithë.
P.S: Duhet të ndjekim rrugën drejt lumturisë dhe duhet të vijë dita kur të hyj në fjalorin e të rinjve bindshëm shprehja: Ska lindur ai bir mami që të prekë lumturinë apo të ardhmen time!
