E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga ataku përplas makinën tjetër, 2 vdesin, një plagoset

29/12/2011  Aksident tragjik në Tiranë. Opeli përplas Benzin, vdesin 2 shoferët, njëri plagoset

TIRANË- Pak para mesditës së djeshme, dy makina u përplasën në kryeqytet, duke lënë pas bilancin tragjik prej 2 të vdekurish dhe një plagosje. Një nga viktimat e aksidentit të ndodhur pak metra larg kryqëzimit “Zogu i Zi” është 48-vjeçari Arben Hoxha, ndërsa viktima tjetër nuk është identifikuar ende. Mësohet se emri i personit të plagosur rëndë është Reshit Sinokoli, i cili po lufton me vdekjen në Spitalin Ushtarak. Aksidenti tragjik ndodhi pak pas mesditës së të mërkurës në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës, duke lënë të vdekur në vend dy persona, dhe plagosur një të tretë. Dëshmitarë të shumtë që panë me sy përplasjen fatale të dy makinave thanë se ato ecnin në drejtim të kundërt me njëra tjetrën. Sipas të dhënave një makinë tip Opel me targë AA 237 BI, që vinte për në Tiranë kapërceu traversën e mesit të rrugës, dhe u përplas me një makinë tip Benz me targë TR 6434 I, që udhëtonte në drejtim të kundërt me të.

Po sipas dëshmitarëve para se të ndodhte aksidenti i rëndë, drejtuesi i automjetit Opel që vinte drejt Tiranës kishte pësuar infarkt në zemër, ndërsa ngiste makinën. Kjo me sa duket e çoi atë në humbjen e kontrollit të makinës dhe devijimin nga rruga. Për rrjedhojë makina “Opel” kapërceu traversën ndarëse të autostradës dhe u përplas fatalisht me makinën Benz me targa Tiranë, duke shkaktuar vdekjen e dy drejtuesve të automjeteve. Si pasojë e përplasjes të dyja makinat u shkatërruan plotësisht dhe morën flakë, aq sa për të nxjerrë trupat e të vdekurve ishte tejet e vështirë dhe u desh ndërhyrja e zjarrfikësve. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe makina zjarrfikëse. Aksidenti tragjik shkaktoi amulli në autostradën Tiranë-Durrës, edhe për faktin se ndodhi në një orar të ditës kur ky segment i kryeqytetit në dalje dhe hyrje të tij ndodhej në pikun e trafikut. Policia e Tiranës thotë se makinat po ecnin me shpejtësi të madhe, megjithatë po hetohet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›