E Diel, 1 Nëntor 2026

“U mbyllën dosjet me drogë se nuk kishin përkthyes rom”

29/12/2011  Përplasje Ministri-Prokurori për inspektimin e zhvilluar tek Krimet e Rënda

TIRANE-“Raporti i inspektimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda sjell fakte tronditëse, për sa i përket pushimit të dosjeve, ku për shkak të mosgjetjes së një përkthyesi të gjuhës rome është pushuar çështja për trafik droge”. Kështu kanë deklaruar burimet pranë Drejtorisë së Inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë, të cilët kanë reaguar lidhur me pretendimet e Prokurorisë një ditë më parë në gazetën “Metropol”, duke e quajtur raportin si jo realist dhe që kërkon të denigrojë punën e Krimeve të Rënda gjatë këtyre viteve. Ata shprehen se gjatë inspektimit të kryer nga tre specialistë të ministrisë, janë evidentuar shkelje të ndryshme, por ajo që u ka bërë përshtypje inspektorëve ka qenë një procedim penal, ku hetohej një person i komunitetit rom për trafik droge. Sipas tyre, Prokuroria ka mbajtur për një kohë të gjatë në përgjim personin e dyshuar si të implikuar në trafik droge, i cili nga sa mësohet ka komunikuar në telefon me persona të ndryshëm në gjuhën rome (Cigane). Pamundësia për t’i përkthyer këto përgjime nga gjuha rome në atë shqipe, sipas Ministrisë së Drejtësisë ka sjellë më vonë dhe mbylljen e hetimeve. Kjo për shkak se Policia e Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi Informativ Shqiptar nuk kanë asnjë specialist që të njohë gjuhën rome, ku mund të mundësohej përkthimi i bisedave të përgjuara. Pavarësisht kësaj, ministria shprehet se është e patolerueshme dhe antiligjore që të ndërmerret një vendim për mbylljen e hetimeve, pasi është e domosdoshme verifikimi i përgjimeve të kryera. Ndërkohë që burimet shtojnë se ka dhe një sërë shkelje të tjera, të cilat janë evidentuar për çdo procedim të inspektuar. Nga ana tjetër Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet një grupi të posaçëm ka filluar një inspektim tek Krimet e Rënda, për të verifikuar nëse shkeljet e konstatuara nga tre specialistët e ministrisë qëndrojnë ose jo. Burimet pranë organit të akuzës thonë se raportin e ka përpiluar një institucion politik, dhe se konkluzionet kanë nuanca politike. Nisur nga kjo situatë raporti është jo realist dhe se nuk mund të merret parasysh nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërsa për sa i përket pretendimeve të Ministrisë së Drejtësisë për mungesën e përkthyesit të gjuhës rome, Prokuroria e Përgjithshme nuk pranon të bëjë asnjë koment, duke pohuar se tashmë gjithçka do ia besojë inspektorëve të saj që prej disa ditësh kanë filluar inspektimin tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në raport-inspektimin Ministria e Drejtësisë i rekomandon Kryeprokurores Ina Rama fillimin e procedimit disiplinor për 15 prokurorë, të cilët sipas saj janë kapur me shkelje gjatë punës së tyre hetimore. Ndërkohë që në të njëjtin raport renditen dhe 5 prokurorë të tjerë që Ministria e Drejtësisë i cilëson pa shkelje gjatë punës hetimore. Ky është raporti i parë i inspektimit të zhvilluar në Krimet e Rënda, duke kapur me shkelje thuajse të gjithë prokurorët e këtij institucioni, gjë e cila vë në dyshim dhe objektivitetin e këtij raporti.

Pushimi i dosjeve

Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë të hartuar nga tre inspektorë, shkeljet më të rëndomta të Krimeve të Rënda janë ato të pushimit të dosjeve dhe tejzgjatjes pa motiv të hetimeve. Janë evidentuar shumë raste që flasin për abuzime ligjore ndaj nga ana e 15 prokurorëve, duke i rekomanduar emrat e tyre për procedime disiplinore.

Studimi i Jorgaqit

Në fakt tejzgjatje e hetimeve nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është bërë problem dhe nga një studim i specialistes së Prokurorisë së Përgjithshme Edlira Jorgaqi në muajin korrik 2009, e cila i rendit Krimet e Rënda në vend të parë në shkallë vendi, për sa i përket shtyrjeve të afateve të procedimeve penale.

Reagimi i Prokurorisë

Sipas Prokurorisë, tejzgjatja e afateve hetimore dhe pezullimi i dosjeve vjen për shkak se shumë çështje varen nga ekzekutimi në kohë i letërporosive. Tek Krimet e Rënda, hetohet trafiku ndërkombëtar i drogës, armëve etj, dhe nisur nga kjo duhet medoemos që të shkëmbehet në kohë informacioni dhe me prokuroritë e tjera homologe.

Asnjë masë disiplinore

Raporti voluminoz tashmë mësohet t’i jetë dërguar në një kopje Parlamentit, Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe Kryeprokurores Ina Rama. Kjo e fundit s’ka marrë asnjë procedim disiplinor ndaj 15 prokurorëve të zënë me shkelje, pasi e ka quajtur raportin e ministrisë si jo realist dhe që s’pasqyron punën hetimore dhe realitetin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›