Nga bashkimi politik dhe ekonomik i Europës tek bashkimi fiskal dhe ai bankar
Duam më tepër kohë. Këtë duket se ka kërkuar kryeministri i sapozgjedhur i vendit fqinj të Greqisë, Antoni Samaras. Në fakt një prej akteve të para të qeverisë së re greke ka qenë pikërisht kërkesa për të kërkuar kufizime në pushimet nga puna të funksionarëve dhe të zgjatet të paktën për edhe dy vjet periudha e aplikimit të planit të masave të kursimeve të imponuara nga kreditorët ndërkombëtarë siç janë Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Por duket se kohë nuk ka më. Nga Brukseli ka mbërritur një jo. “Nuk është e mundur të diskutohen çështje të kësaj natyre. Para së gjithash duhet të kemi një vlerësim të programit që ka qenë aplikuar deri tani dhe duke ndjekur mënyrën sesi qeveria greke kërkon ta zbatojë atë” - ka nënvizuar zëdhënësi i komisarit të Bashkimit Europian, Olli Rehn. Sidoqoftë duket se Greqia i kërkon me ngulm këto dy vjet. Do të arrihej kështu deri në vitin 2016 dhe Greqia do të kërkonte të diskutonte me kreditorët për një rishikim të planit të shpëtimit që është premtuar nga qeveria e re. Kërkohet padyshim që të arrihet ekuilibri i llogarisë publike pa një ulje të pagave, të pensioneve dhe të investimeve publike. Këto kanë qenë dhe kërkesat e një dokumenti zyrtar të botuar nga qeveria greke. “Objektivi është që të evitohet shkurtimi i personelit por edhe që të kursehen kostot ekstra dhe të ketë sa më pak burokraci” - shkruhet në këtë tekst. Të hënën pritet që përfaqësuesit e “trojkës” Bashkimit Europian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qendrore Europiane të mbërrijnë në Athinë ku do të takohen me liderët e tre partive të koalicionit por edhe me funksionarët e ministrisë së Financave të shtetit fqinj. Me përfaqësuesit e Demokracisë së Re, ata të së majtës së moderuar dhe ata të Pasok-ut do të bisedohet për progresin që do të arrijë Greqia. Natyrisht në këto bisedime do të flitet edhe për raportet e Greqisë me vendet e Bashkimit Europian dhe sidomos ato me Gjermaninë. Po rikthehet në Greqi këto kohët e fundit një lloj propagande kundër gjermanëve. Po kujtohet lufta e dytë botërore dhe okupimi nga ana e gjermanëve nga 1941 deri në vitin 1944. Ka ndërkaq edhe zëra të tjerë që kujtojnë se me një trajner gjerman kombëtarja greke fitoi kampionatin që u zhvillua në Portugali në vitin 2004. Dihet se qeveria gjermane ka qenë një mbrojtëse e fortë e shtetit fqinj ndër vite. Ka patur një rast kur një president rajonal i Bundesbank-ut, në prill të vitit 2000 nënvizonte se do të ishte më mirë që të vonohej hyrja e Greqisë për shkak të borxhit publik por që menjëherë me anë të një letre ministri i asaj kohe Hans Eikel i kërkonte ndjesë homologut të tij grek për akuzat. Por ndërkaq sot më shumë se kurrë Gjermania kërkon që Greqia të shtrëngojë edhe më tepër masat e saj për daljen nga kriza. Flitet se Greqia ndërkaq ka ecur përpara. Deficiti i saj publik nga viti 2009 deri në vitin 2012 është reduktuar me 8,3 pikë të Gdp madje e konsideruar kjo si një arritje në të gjithë historinë e eurozonës. Ka patur gjithashtu përmirësime edhe me tregtinë me jashtë. Por nga ana tjetër sektori publik ka pësuar humbje të mëdha me një reduktim prej 130 mijë punonjësish pa harruar një përgjysmim të administratorëve të zgjedhur, është reformuar sistemi i pensioneve dhe tashmë për transparencën gjithçka po bëhet on line. Kanë qenë reforma të mëdha dhe çmimi ka qenë vërtet i madh për Greqinë. Gdp e shtetit fqinj është sot inferiore me 20% krahasuar me nivelet e para të krizës. Kursimet kanë minuar kohezionin social por gjithsesi pa cënuar votën e cila ka shkuar përsëri tek dy partitë më të mëdha. Për Greqinë dhe natyrisht jo vetëm për të kanë folur në Romë të mëdhenjtë e Europës. Është kërkuar që monedha euro të vazhdojë të jetë monedha e fortë që ishte vite më parë. “Do të bëjmë gjithçka për të mbajtur euron si valutën tonë: për këtë euro do të luftojmë” - ka nënvizuar kancelarja gjermane Angela Merkel për të vazhduar se: “në nivel politik duhet t’i afrohemi zonës euro: kush ka një valutë të përbashkët duhet të ketë dhe një politikë koherente. Unë flas për një bashkim politik që duhet të jetë më i fortë. Të njëjtin mendim ka shfaqur edhe Rajoy: “Duam një bashkim politik, ekonomik, bankar dhe fiskal. Në pritje të takimit të Brukseli të datës 28 dhe 29 qershor presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti ka shtuar: “Në takimin e ardhshëm europian do të mbështesim aksionet për të ngritur ekonominë, investimet dhe punësimin për të krijuar një treg të përbashkët europian” që sipas tij akoma nuk është kompletuar. “Ky takim ka qenë shumë i dobishëm dhe kemi qenë dakord mbi paketën e rritjes baras me 1% të Gdp që ritheksoj është një objektiv i mirë” - ka përfunduar presidenti i Francës, Hollande.