E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Europë më e madhe, për një Europë më të fortë

24-06-2012 / Nga Lavdrim Lita

Një grup të rinjsh të qendrës së djathtë Europiane (Democrat Youth Community of Europe) për katër ditë me radhë diskutuan në Tiranë “për një Europë më të madhe” sepse vetëm kështu do të kemi “një Europë më e fortë”. Pa dyshim Shqipëria është orientuar drejt Europës dhe ky është një vendim i pakthyeshëm, çka do të kërkojë përmbushje kriteresh dhe standardesh institucionale. Në thelb njohja e progresit të bërë është një nder i vërtetë dhe mbështetje për Shqipërinë, e cila për vite është angazhuar në propozimin e kandidaturës së saj në Bashkimin Europian. “Integrimi i Ballkanit dhe Europës Lindore është një proces ambicioz që Europa duhet të ndjekë dhe mbështesë, shprehet Presidenti i Demyc, Antonio De Lucia - një Europë më e madhe do të thotë një Europë më e fortë dhe vetëm ajo mund të çojë në një Europë të popujve dhe jo vetëm të euros”.
Kuptohet vetiu, pas imponimi për 50 vjet të një modeli lindor qytetërimit, vështirësia fiziologjike e rikonvertimit në vlera perëndimorë do të kërkonte patjetër kohën e saj.  Dy dekada demokraci kanë njoftuar se projekti më madhor e kryesor i elitës politike shqiptare mbetet anëtarësimi në BE, megjithëse, vështirësitë janë serioze dhe puna është voluminoze. Lëvizja e lirë e qytetarëve në zonën “Shengen” u realizua pas një investimi serioz administrativ të qeverisë shqiptare. përveç përfitimit të heqjes së vizave institucionet shqiptare u konsoliduan dhe qytetarët përfituan një legjislacion më të mirë. Prandaj interesi i qytetarëve është anëtarësimi i merituar dhe jo i dhuruar siç ka ndodhur më parë për disa vende të rajonit Ballkanik. Për shembull Greqia pas luftës së dytë Botërore ishte një vend si gjithë të tjerët në Ballkan, jo shumë e ndryshme nga Bullgaria apo Jugosllavia e asaj kohe, por fati dhe fuqitë aleate vendosën që ky vend të ishte jashtë perdes së hekurt larg ndikimit komunist. Pas diktaturës së kolonelëve, në 1981, përkundër rekomandimit të Komisionit Europian dhe për arsye të luftës së ftohtë, Greqisë iu pranua anëtarësimi në Bashkimin Europian, si dhe 20 vjet më vonë do hynte në zonën monedhës euro. Pasojat e këtij vendimi jo fort të peshuar po lëkundin themelet e BE-së. Nëse do të zbatoheshin të njëjtat standarde dhe afate të pjekurisë politike edhe  30 vjet më parë zgjerimi i BE-së do të kish qenë i moderuar.
Gjithashtu “Shqipëria është një vend europian dhe një vend anëtar i NATO-s – u shpreh Franko Fratini, ish-ministër i jashtëm i Italisë – prandaj duhet ndihmuar në procesin e afrimit me strukturat e Bashkimin Europian”. Lajmi i mirë është se dera e Bashkimit Europian mbetet e hapur. Pavarësisht krizës së euros me të cilën po përballen qeveritë europiane, politika e zgjerimit të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit nuk ka ndryshuar. Mirëpritja ndaj vendeve që përmbushin standardet u pa në anëtarësimin e Kroacisë, e cila pas një rruge të gjatë dhe të lodhshme arrit të kurorëzoi sakrificat dhe angazhimin.
Megjithëse Shqipëria ka bërë përpara në shumë drejtime, stabiliteti politik aq i nevojshëm për standardet e BE është “minuar” disa herë për gjatë dekadës së fundit. Dy reformat integruese ajo parlamentare dhe zgjedhore janë pezulluar deri në një urdhër të dytë sepse kërkojnë më shumë se dy palë në tavolinë. Braktisja e fundit e tavolinës së reformës zgjedhore nga ana e përfaqësuesve të opozitës është një ogur i keq për përmbushjen e kritereve në kohë. Dhe koha është e paktë po të mendojmë “provimin” e tetorit ku Komisionari për zgjerimin i BE-së skanon arritjet dhe mungesat e një vendi që aspiron të integrohet në familjen europiane.
Sido që të jetë vlerësimi i komisionarëve, aspirata legjitime e shqiptarëve është rikthimin në familjen europiane prej së cilës është larguar në mjegullën e historisë së kombeve. Të rinjtë e qendrës së djathtë të Europës që studiojnë politikë e diplomaci arritën të marrin informacionin e detajuara për arritjet dhe mangësitë politike të këtij vendi. Si gjithmonë, edhe për faj tonë, shumë prej tyre erdhën në Shqipëri me klishe parafabrikate, paçka se u larguan me të nevojshmen e duhur për të marrë vendime të drejta nesër në poste e shteteve të tyre vendimmarrëse.

 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›