Skenari i Ramës - djegia e afatit të reformës zgjedhore dhe bllokimi i statusit
Prej dy ditësh, deputetët socialistë të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ekspertët e tyre kanë kaluar në ilegalitet, në përpjekje për të bllokuar punën për Kodin e ri, deri sa të kapërcehet afati i rishtyrë i 12 korrikut. Më tej vjen muaji i pushimit për parlamentin dhe pas shtatorit, bllokimi i reformës mund të parathotë edhe realizimin e ëndrrës së Ramës, mosmarrjen e statusit të kandidatit për në BE
Rusmali: Kërkesat e socialistëve janë absurde, komentet e ODIHR janë publike prej kohësh
OSBE: “PS është në dijeni të rekomandimeve tona, zhgënjyese bllokimi i punës”
Demokratët e kanë të qartë se skenari i socialistëve lidhur me reformën të çon te djegia e mandatit të rishtyrë të komisionit. Ajo çfarë ndodhi një ditë më parë në komision e qartësoi këtë qëllim.
Sipas Ilir Rusmalit, bashkëkryetar në komisionin e reformës zgjedhore u përdor pseudo justifikimi i mungesës së komenteve me shkrim të ODIHR lidhur me përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. Edhe e shtuna për demokratët duhet të ishte punë, por në mungesë të socialistëve, nuk ka mbi dhe për çfarë të punohet.
Socialistët nuk i riktheu në punë as shqetësimi i ODIHR drejtuar dy bashkëkryetarëve një ditë më parë pas mbledhjes së dështuar të komisionit. Në fjalë të fundit dhe për ODIHR, ishte justifikim ajo çfarë kërkuan socialistët si komente me shkrim për teknologjinë. Rusmali shpjegon absurdin që qëndron në këtë kërkesë.
Ai thotë se, “komentet janë prej kohësh me shkrim dhe me gojë në dispozicion të komisionit, me shkrim për teknologjinë e identifikimit dhe me gojë për numërimin e votave. Në sintezë ato janë identike me njëra-tjetrën pasi lidhen me parimin dhe procedurën kur përdorët teknologjia në zgjedhje”.
Pas këtij arsyetimi Ilir Rusmali, bashkëkryetar i komisionit për reformë zgjedhore, thotë se logjika të shpie tek bllokimi, duke kërkuar që kjo t’i faturohet ODHIR.
Por qëndrimin refuzues të socialistëve ndaj reformës demokratët e kanë ndeshur dhe në mënyrën sesi trajtohen çështje që e mbajnë atë të pa konkluduar siç është KQZ. Rekomandimet i ODHIR për këtë çështje, flet për një kompozim dhe jo ndryshim të mënyrës sesi zgjidhet kryetari i KQZ-së, që në fjalë të fundit do të siguronte paanshmërinë e institucionit. Me këtë variant demokratët kanë qenë dakord që në krye të herës.
Me gjithë premisën aspak pozitive sesi nisi punën komisioni ditën e premte, demokratët duken të vendosur të angazhon bashkë me opozitën për ta përmbyllur reformën zgjedhore.
Paralajmërimin për mos heqjen dorë nga tendenca e bllokimit të ligjit zgjedhor dhe pengmbajtjes së statusit, PS-ja e bëri dy ditë më parë, kur dëshmoi, një ditë pas dhënies nga Kuvendi të një tjetër afati 3 javor komisionit të reformës zgjedhore, se s’është e interesuar për amendimin e Kodit Zgjedhor, duke mbetur në pozitat e bllokimit.
Në takimin e parë të komisionit të posaçëm dy ditë më parë, palët nuk gjetën konsensus për çështje si teknologjia elektronike në zgjedhje, kompozimi i KQZ-së dhe trajtimi i ankesave gjatë procesit. Në mënyrë demonstrative dhe jashtë frymës konsensuale të shprehur në Kuvend në seancën e fundit plenare, Partia Socialiste doli në dritën e diellit si e paaftë për të kontribuar në realizimin e reformave dhe përmirësimin e kuadrit zgjedhor.
Bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri braktisi mbledhjen e dy ditëve më parë, pas rezervave që kishte për çështjet që po diskutoheshin, duke këmbëngulur në aplikimin e votimit elektronik që gjatë zgjedhjeve të ardhshme, ato parlamentare të 2013-ës, edhe pse një propozim të tillë e rrëzon kategorikisht OSBE/ODIHR. Sipas pretekstit të radhës të PS-së, të shprehur nëpërmjet Damian Gjiknurit, PS-ja është futur në llogoren, sipas së cilës, për rishikimin e kapitullit e përdorimit të teknologjisë në zgjedhje do të punojë me amendamente kur nga ODIHR të vijnë të plota rekomandimet me shkrim edhe për numërimin elektronik
Megjithëse pak kohë më parë bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri shprehu vullnetin për të ecur përpara me reformën zgjedhore, ishte pikërisht ai i cili braktisi mbledhjen pasi shprehu qëndrimet e tij të pandryshuara sa i takon numërimit elektronik dhe rimandatimi të ekspertëve.
Një tjetër çështje për të cilën mazhoranca dhe opozita nuk gjetën një konsensus, ishte dhe nevoja e rimandatimit të ekspertëve.
Komisioni i reformës zgjedhore duhet të përfundojë implementimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, në ligjin e ri zgjedhor brenda datës 12 korrik, afat i përcaktuar nga Kuvendi për zgjatjen e mandatit të komisionit parlamentar të reformës.