Nga darka zyrtare, te takimet dypalëshe, gazetarja e RTSH zbulon detaje nga samiti i NATO-s, ç’pritet të ndodhë sot

Gazetarja Denada Shkodrani në një raportim për RTSH 24, ka zbuluar detaje për samitin 2-ditor të NATO-s në Vilnius të Lituanisë. Shkodrani ka bërë me dije se mbrëmjen e djeshme (11 korrik), Presidenti i Lituanisë ka shtruar një darkë zyrtare në nder të liderëve të vendeve anëtare të aleancës Trans-Atlantike, të pranishëm në samit. Kryeministri Edi Rama shoqërohej nga zonja e tij, Linda Rama në darkën zyrtare të shtruar në Pallatin Presidencial në Vilnius.
Sakaq, gjatë ditës së parë të samitit, Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një sërë takimesh dypalëshe me liderë të vendeve anëtare të NATO-s. Në këtë kuadër, Rama është takuar me Presidentin francez Emannuel Macron dhe zonjën e tij; me homologen italiane Giorgia Meloni; kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban dhe personalitete të tjera, ku në fokus të bisedimeve ka qenë situata në rajon dhe zhvillimet gjeo-politike.
“Kjo është dita e dytë e samitit të NATO-s. Gjatë mbrëmjes së djeshme presidenti lituanez shtroi një darkë zyrtare në nder të liderëve të pranishëm.
Ka pasur takime dypalëshe dhe kryeministri shoqërohej nga zonja e tij, ka pasur takime me Macron dhe zonjën e tij.
Kryeministri është takuar me homologen italiane, kryeministrin e Hungarisë dhe personalitetet të tjera. E ka shfrytëzuar darkën për zhvillime me gjeo-politikën dhe situatën në rajon”, tha Shkodrani.
Gazetarja bëri me dije gjithashtu se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në ambientet ku po mbahet Samiti, për t’u takuar më pas me Presidentin amerikan Joe Biden. Ky i fundit do të takohet gjithashtu edhe me Presidentin e Turqisë, Tayip Erdogan.
“Ndodhem në sallën e medias të NATO-s, në zonën VIP po mbahet takimi i këshillit të atlantikut, ku i është bashkuar dhe Suedia.
Sapo ka mbërritur në ambientet e samitit, presidenti Zelensky. Pritet takimi i tij sot me Presidentin Biden. Ky i fundit do takohet dhe me presidentin e Turqisë, Erdogan.
Dukej qartësisht shqetësimi i Zelenskyt mbi sulmin e mbrëmshëm të Kievit nga Rusia. Ka pasur 32 çështje të diskutuara nga 31 liderët e vendeve anëtare të NATO-s”, u shpreh Shkodrani.
/rtsh.al/