E Diel, 1 Nëntor 2026

Osmani shpërndan Kuvendin, më 28 dhjetor Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme

Presidentja Vjosa Osmani ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës dhe ka caktuar 28 dhjetorin si datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Edhe pse zgjodha datën e favorshme për opozitën prape u akuzova se po koordinohem e po i bëj qejfin Kurtit. Është mirë të mendojnë se dhe pak këtyre zgjedhjeve do vijnë këtu te unë për të kërkuar mandatin. Gjuha që përdoret në politikë, të jetë brenda suazës normale.

Cilido president do zgjidhte një datë ku parashikohet një datë për pjesëmarrje më të madhe, jo më të vogël. Ky vendim është marrë me vetëdije të plotë dhe në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Asnjë parti nuk është shprehur kundër pjesëmarrjes së votuesve jashtë dhe si presidente jam e detyruar të zgjedh një datë kur ka një pjesëmarrje më të madhe dhe jo më të vogël dhe jo në favor të një partia. Kur emigrantët janë të përcaktuar në ligj do e mbroj të drejtën e tyre”, deklaroi Osmani.

Këto zhvillime erdhën pas takimit që Osmani zhvilloi me krerët e partive politike, të cilët bënë gjithashtu propozimet e tyre për datën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Kreu i Partisë Guxo, Faton Peci gjatë takimit me Osmanin ka propozuar datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Pati diskutime të ndryshme rreth opsionit më optimal dhe të favorshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në mes dy datave 21 e 28 dhjetor, ne kemi preferuar datën 28 dhjetor. Arsyet janë të thjeshta për shkak që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve lokale. Për shkak të nevojës që të kemi përgatitje më të mirë edhe nga KQZ edhe të partive politike, por njëkohësisht edhe për nevojën e të organizimit më të mirë edhe të ambasadave e konsullatave në vendet e BE-së por edhe përtej në SHBA, ky ishte propozimi ynë”, deklaroi Peci.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka propozuar datën 21 dhjetor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, ndërsa propozimin e partisë në pushtet që zgjedhjet të mbahen me 28 dhjetor e quajti arrogancë dhe  përbuzje për qytetarët.

 “Kemi propozuar që dita e zgjedhjeve parlamentare të jetë 21 dhjetori, mendojmë që në këtë mënyrë do t’i fitojmë të paktën një javë kohë vazhdimeve buxhetore. Siç e dini buxheti i Kosovës mund të funksionojë edhe janar e shkurt një e dymbëdhjeta. Po ashtu, qeveria në detyrë që është sot mund të marrë vendime për të përmbushur disa detyrime që i ka, si ndaj RTK-së apo edhe ndaj palëve të tjera, sepse ekzistojnë këto praktika. Mirëpo për të vazhduar zbatimi i buxhetit në mars, gjithsesi duhet një vazhdim nga Kuvendi i ardhshëm”, tha ai për mediet.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka propozuar gjithashtu datën 21 dhjetor si të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›