Nga do tia mbajë Vetëvendosja?

Teorikisht, Kurti ka të drejtë kur sovranitetin e UNMIK-ut/EULEX-it tenton që ta zëvendësojë me sovranitetin revolucionar që nuk e pranon rendin ekzistues. Por, praktikisht, kemi të bëjmë me një donkishotizëm revolucionar, ku në afatet e shkurta e të mesme nuk shihet se ekziston asnjë premisë që të realizohet përmbysja e rendit dhe që, të paktën vetëm simbolikisht, ata të bëhen gjykatës të gjykatësve që sot ndjekin penalisht Kurtin dhe Vetëvendosjen
Nga Shkëlzen Maliqi*
Albin Kurti, i kërkuar nga gjykata, por jo
edhe nga policia, e cila bëhet sikur nuk di ku qëndron ai ndonëse vazhdon me
aktivitete politike, ka deklaruar për Alsat: Unë nuk do të dorëzohem në polici
vullnetarisht, po ashtu nuk do të shkoj as në seancën e ardhshme që është
planifikuar të mbahet më 2 mars, meqenëse konsideroj që EULEX-i është një
mision jodemokratik, i cili nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Kjo deklaratë e
Kurtit më është dukur shumë interesante për dy arsye. Po filloi nga dyta,
pohimi se EULEX-i është mision jodemokratik dhe nuk e pranon pavarësinë e
Kosovës, prandaj ai nuk do që ti nënshtrohet gjykimit që e ka urdhëruar
EULEX-i. Ajo që më bën përshtypje, nëse nuk gabohem, është fakti se me këtë
Kurti në mënyrë implicite e pranon pavarësinë e Kosovës, e tillë çfarë është.
Ky nuk është diskurs që e karakterizon Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, pasi
që ata në kontinuitet pohonin dhe demonstronin se pavarësia që ka dalë nga
Pakoja e Ahtisarit nuk është pavarësi, por një mashtrim kolosal që Kosovën në
mënyrë të sofistikuar e lë nën kontrollin e Serbisë. Por tani që, pas dy vitesh
të shpalljes së pavarësisë së rreme, e kemi kuptuar të gjithë se gjërat nuk
shkojnë ashtu siç e ka paraparë Ahtisari. E kemi kuptuar po ashtu se ky EULEX
që u instalua nuk është mision sipas planit të negociatorit nga Finlanda.
Në këtë aspekt, pohimi se, EULEX-i nuk po e pranuaka pavarësinë e Kosovës,
mua më duket si një rehabilitim i heshtur i Planit të Ahtisarit në pikëpamjet
deri dje radikale të Kurtit, të paktën sa i përket vlerësimit të arritjes
pozitive të 17 Shkurtit të vitit 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës dhe
shumica e kompetencave sovrane u bartën te Qeveria e Kosovës, pos atyre
mbikëqyrëse, që përkohësisht edhe Ahtisari ia kishte lënë EULEX-it. Del se
edhe vizioni i Ahtisarit ka qenë që EULEX-i të jetë mision kontrollues dhe
mbështetës që do të punojë në forcimin dhe avancimin e pavarësisë së Kosovës,
dhe jo si ky që kemi tash, një model gjysmak me hezitimin dhe neutralitetin e
EULEX-it rreth statusit të pavarur të Kosovës, dhe kjo për arsye se nuk
ekziston ende konsensusi i plotë i të gjitha shteteve anëtare të BE-së për
njohjen e pavarësisë.
Por që Kurti tani e njeh pavarësinë, siç është e gjymtë, dhe do që të
angazhohet që ajo të bëhet e plotë, tregon edhe disponimi i tij që të marrë
pjesë në zgjedhjet e Kosovës, si lëvizje që është, apo si parti politike. Edhe
pse ende nuk është formuluar qartë, ky është një avancim i madh në vizionin dhe
strategjinë e Vetëvendosjes. Nëse Kurti do të pranojë që të futet në garë
demokratike për votën e qytetarëve, ky do të jetë sinjal se kjo lëvizje po i
afrohet modelit të aktivizimit demokratik, ku nëse pranon rregullat e lojës dhe
parimet e garës, nuk mund të mohosh si deri më tani, legjitimitetin e partive
të tjera që garojnë për pushtet, si dhe legjitimitetin e Kushtetutës dhe
ligjeve ekzistuese. Nga një qëndrim revolucionar që e ka karakterizuar këtë
lëvizje më parë, që nuk e ka pranuar vetë sistemin, që ka pamundësuar
konsumimin e së drejtës për vetëvendosje të Kosovës, tani kjo lëvizje
përcaktohet për një qasje evolutive, që qëllimi kryesor i saj, sovraniteti i
plotë i Kosovës, apo edhe më parë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë mbi të
drejtën e deklarimit plebishitar, të realizohet me metoda demokratike dhe sigurimit
të shumicës së votave në garat elektorale.
Por ashtu sikur që EULEX-i është një mision gjysmak dhe i pafunksionalizuar,
ashtu edhe ndryshimi në qëndrimet e Kurtit dhe të Vetëvendosjes janë gjysmake,
ende jo të artikuluara mirë, të mos them edhe kundërthënëse. Këtë e konkludoj
nga insistimi i Kurtit se ai ka drejtë të mos e pranojë sistemin dhe ligjet
ekzistuese dhe të jetë njëfarëdore instancë jashtë ligjit. Në retorikën
revolucionare janë të njohura rastet e komunistëve që kanë deklaruar, kur gjykoheshin
nga gjykatat borgjeze, se nuk i njohin ato gjyqe dhe rendin që sundon. Edhe
Kurti vazhdimisht pohon se, Nuk e njeh gjyqin e EULEX-it. Nga ana tjetër,
akuza kryesore e tij kundër EULEX-it është se në Kosovë është instaluar si
instancë e sovranit, që vazhdon të jetë legjitimuese e UNMIK-ut ende të
pademisionuar, dhe të mbetet instancë që ligji nuk e prek. Në të vërtetë, çdo
sovran e ka këtë pozitë në sistemin që ndërtohet mbi bazën e autoritetit të
tij. Perandorët dhe mbretërit kanë qenë sovranë që nuk i ka prekur ligji, pos
nëse nuk u është mohuar sovraniteti nga sovraniteti popullor dhe i rebelimit
revolucionar, i cili ka mundësuar zëvendësimin e instancës sovrane dhe të
autoritetit suprem të pushtetit.
Teorikisht, Kurti ka të drejtë kur sovranitetin e UNMIK-ut/EULEX-it tenton që
ta zëvendësojë me sovranitetin revolucionar që nuk pranon rendin ekzistues.
Por, praktikisht, kemi të bëjmë me një donkishotizëm revolucionar, ku në afatet
e shkurta e të mesme nuk shihet se ekziston asnjë premisë që të realizohet
përmbysja e rendit dhe që, të paktën vetëm simbolikisht, ata të bëhen gjykatës
të gjykatësve që sot ndjekin penalisht Kurtin dhe Vetëvendosjen. Për këtë
pamundësi sikur janë vetëdijesuar edhe protagonistët e Lëvizjes Vetëvendosje,
pasi që mendojnë që të futen në rrugën e garës partiake dhe ndryshimeve
evolutive, jo atyre revolucionare.
Kjo thyerje te Kurti dhe Vetëvendosja, sigurisht se është proces i dhimbshëm.
Por, zhgënjimet më të mëdha mund të vijnë më vonë, kur të kuptojnë se sa e
gjatë, e lodhshme dhe joeksituese është gara demokratike ku duhet të ndiqen
rregullat dhe parimet e tjera për realizimin e idealeve dhe programeve
politike.
Marrë nga Express, Prishtinë