Kosova e pavarur, dy vjet më pas

Demokracia është testuar në Kosovë dhe ka dalë fitimtare. Përpjekjet shtetndërtuese amerikane, të BE-së dhe të NATO-s janë testuar dhe, në këtë rast, kanë funksionuar. Kosova sot, pak më shumë se një dekadë pasi intervenimi i NATO-s detyroi tërheqjen e ushtrisë serbe, është demokraci e qëndrueshme, vetëqeverisëse dhe e përmbajtur
Nga
Bujar Bukoshi*
Pavarësia e Kosovës, e shpallur dy vjet më parë, është realizim i dëshirës së
zjarrtë të një vendi dhe një triumf ndaj represionit brutal.
Ne rezistuam me mjete jo të dhunshme për dekada të tëra, përfshirë vitet
1989-1998 kur unë si Kryeministër udhëhoqa Qeverinë në ekzil. Ne ishim të
detyruar ti rroknim armët për të mbrojtur veten tonë në fundvitet 90, dhe
vazhdojmë të jemi mirënjohës që patëm ndihmën e NATO-s më 1999, për ti dhënë
fund represionit dhe gjakderdhjes.
Në vetëm dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka demonstruar angazhime
të vendosura drejt proceseve demokratike, sundimit të ligjit dhe barazisë
ndëretnike. Pavarësia e Kosovës është një faktor stabilizues për Ballkanin
Perëndimor dhe nuk do të rrezikohet apo të kthehet mbrapsht.
E njohur nga gjashtëdhjetë e pesë shtete, nga të gjitha shtetet e
ish-Jugosllavisë, përveç Serbisë dhe Bosnjës, dhe nga të gjitha, përveç disa
vendeve anëtare të NATO-s, sovraniteti i Kosovës dhe vetëpërgjegjësia në rritje
mund të sjellë në një ndalim në debatet lidhur me popujt dhe kufijtë. Në
Evropën e re, irredentizmi është një gjë e së shkuarës. Kosova është shembull i
atij parimi.
Ndikimi i Kosovës në stabilitetin rajonal mund të shihet në zgjedhjet e fundit
komunale në mbarë vendin, të cilat jo vetëm siguruan një opozitë të shëndoshë,
por po ashtu konfirmuan koalicionin qeveritar. Në të njëjtën kohë, në përputhje
me Planin e Ahtisaarit, Kosova po krijon komuna të reja minoritare
pjesëmarrja shumë më e madhe e minoritetit serb në zgjedhjet e fundit komunale
të vitit 2009, mbështet mençurinë e kësaj politike. Një treg i më shumë se
shtatë milionë shqipfolësve në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni, po ashtu
mundëson një rajon të qëndrueshëm dhe të begatë kufitar të tregtisë, të
investimeve dhe të zhvillimit.
Demokracia është testuar në Kosovë dhe ka dalë fitimtare. Përpjekjet
shtetndërtuese amerikane, të BE-së dhe të NATO-s janë testuar dhe, në këtë rast,
kanë funksionuar. Kosova sot, pak më shumë se një dekadë pasi intervenimi i
NATO-s detyroi tërheqjen e ushtrisë serbe, është demokraci e qëndrueshme,
vetëqeverisëse dhe e përmbajtur.
Por, vështirë se mund të thuhet që Kosova është pa sfida. Vërtet, Kosova ka
konfrontuar dhe do të vazhdojë të konfrontojë pengesat enorme pa marrë parasysh
pavarësinë.
Pasoja të sundimit brutal të Beogradit ishin: një popullsi e rraskapitur, një
infrastrukturë e dëmtuar dhe një tokë e plaçkitur. Njerëzit kishin ikur, ndërtesat,
shtëpitë dhe rrugët ishin shkatërruar, bagëtitë ishin vrarë, komunikimet ishin
ndërprerë, dhe tregtia kishte stagnuar. Serbët u larguan, por ata u larguan
barbarisht.
Ende në listën tonë të rëndë të gjërave për të bërë janë luftimi i praktikave
endemike të korrupsionit që, përderisa nuk janë unike për Kosovën, janë
dëmtuese. Gjithashtu, ne duhet të bëjmë shumë për ti bindur qeveritë tjera se
ato duhet ta njohin Kosovën dhe të shkëmbejnë përfaqësimin diplomatik.
Përderisa disa vende presin një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë,
ato kanë nevojë për argumente më të forta dhe ne mund ti japim ato.
Për më tepër, veriu i Kosovës, ku minoriteti serb është më i koncentruar dhe ku
interferenca e Beogradit është më e theksuar, duhet të adresohet me ndihmën
ndërkombëtare. Kjo zonë kërkon bisedime të drejtpërdrejta, të mbikëqyrura
ndërkombëtarisht që të mos ndodhin incidente që mund ta çojnë peshoren drejt
konfrontimit e jo kompromisit. Me ironi të konsiderueshme mund të thuhet se
Serbia ka nevojë që Kosova të rifutet plotësisht në Evropë, përderisa Kosova ka
nevojë që Serbia ti realizojë synimet e saj evropiane. Nuk është shumë e
tepërt të thuhet se ardhmëritë e dy popujve mbeten të gërshetuara siç kanë qenë
për shekuj të tërë.
Pavarësia na ka mundësuar të bëjmë për veten atë që duhet të bëhet për
qytetarët tanë. Vetëbesimi i tillë është po aq i mirëseardhur sa dekurajues.
Përderisa udhëtimi për sigurimin e mirëqenies dhe prosperitetit për të gjithë
kosovarët vetëm sa ka filluar, ne i kemi ndërmarrë hapat e parë kritikë.
Mbështetja e komunitetit ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë e rëndësishme,
posaçërisht për të garantuar që interferenca e mëtejshme serbe të pengohet dhe
të kanalizohet në bashkëpunim, e jo në konfrontim.
Kosova është ende shumë, shumë herët, në jetën e saj si shtet i pavarur. Por,
edhe në një periudhë të tillë, unë kam vërejtur pjekjen e shpejtë të jetës
politike dhe socioekonomike të vendit tim.
Kapaciteti ynë për sukses ka lindur nga lufta jonë për ta arritur pavarësinë.
(*) Autori është Deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së. Ka qenë
Kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil, nga viti 1989 deri më 1999.
Shkrimi është bërë për rrjetin e gazetave McClatchy të Sakramentos, Kaliforni