E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga errësira te suksesi! Fatmir Seremeti: Një qen më ndryshoi jetën, tani dua të ndryshoj mijëra të tjera

Një qen i quajtur Comet i dha Fatmir Seremetit diçka që nuk matet me medalje: lirinë për të lëvizur i pavarur. Sot, Comet është udhërrëfyesi i tij në rrugë, në trafik, në trotuare, shkallë dhe vendkalime. Por marrëdhënia e tyre ka shkuar shumë përtej asaj të një qeni udhërrëfyes dhe pronarit të tij. Për Fatmirin, Comet është miku më i mirë dhe simboli i një jete të re. Pikërisht kjo përvojë e ka shtyrë të ngrejë zërin për mijëra qen endacakë në Kosovë.

Bashkë me partneren e tij, Jenny, ai ka ndërmarrë një peticion ndërkombëtar për mbrojtjen e tyre. “Një qen ndryshoi jetën time, tani dua të ndryshoj jetën e mijëra qenve.”
Por historia e Fatmirit nisi shumë më herët, kur në moshën 13-vjeçare u diagnostikua me glaukomë. Rruga drejt verbërisë ishte e vështirë, por ai refuzoi ta shihte atë si fundin e ëndrrave të tij.
Sporti u bë mënyra për të përballuar dhimbjen dhe për të ndërtuar një jetë të pavarur. Në Stockholm zbuloi goalball-in, sportin që do ta kthente në një kampion ndërkombëtar. Pas vetëm dy vitesh, u bë pjesë e kombëtares suedeze dhe nisi rrugëtimin drejt majave.

Ka fituar 15 herë titullin kampion të Suedisë, si dhe medalje në kompeticione ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në 9 Kampionate Evropiane dhe 3 Lojëra Paralimpike, duke përfshirë medaljen e bronzit në Pekin. Në Londër u rendit i teti, ndërsa në Rio de Janeiro ekipi i tij përfundoi në vendin e katërt. Goalball-i luhet 3 kundër 3, me një top 1.25 kilogramë dhe me të gjithë lojtarët që mbajnë syze të errëta.

Fatmiri stërvitet dy herë në ditë, gjashtë ditë në javë, për të qenë në nivelin më të lartë. Tashmë historia e tij është kthyer edhe në libër, “Nga errësira në sukses”, një rrëfim për verbërinë, sportin, këmbënguljen dhe rilindjen personale. Nga Kosova në Suedi, nga diagnoza e vështirë te medaljet dhe nga Comet te kauza për kafshët, Fatmir Seremeti vazhdon të tregojë se kufijtë nuk përcaktojnë gjithmonë se ku mund të arrish./abcnews.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›