Nga harqet primitive te kartat e kreditit. Objektet simbol të historisë sonë
Në kryeveprën e tij, mbi të ardhmen që na pret, “2001, Odiseja në hapësirë”, regjisori Stanley Kubrick e përmblidhte udhëtimin e njerëzimit me dy objekte: kopaçen e njerëzve parahistorikë që e drejtuar drejt qiellit nga kryetari i një fisi primitiv, pasi kishte shtrirë përtokë gjahun, si me magji u shndërrua në një anije kozmike, që do të ishte njëkohësisht edhe objekti i dytë. I frymëzuar nga ajo metaforë e paharrueshme, drejtori i “British Museum” të Londrës, Neil MacGregor, ka seleksionuar 100 objektet që kanë shkruar historinë e “Homo sapiens”.
Kjo iniciativë u arrit në bashkëpunim me televizionin BBC, që duke nisur nga fundi i janarit do të nisë edhe një program radiofonik. Në të vërtetë, MacGregor-it nuk iu desh të kërkonte shumë duke qenë se kishte para syve të ruajtura në muzeun që drejton më shumë se 7 milionë objekte. Por objekti i 100-të, ai që do të kompletonte koleksionin dhe do të përcaktojë të tashmen, kohën tonë, epokën e njeriut në fundin e dhjetëvjeçarit të parë të shekullit 21, në të vërtetë nuk është zgjedhur ende: drejtori i “British museum” dhe “BBC”-së po marrin në konsideratë kandidatura të ndryshme, madje kanë ftuar edhe publikun që t’i ndihmojnë me zgjedhjet e tyre. Lista e përfunduar e 100 objekteve ose më mirë 99 për momentin mbahet sekret edhe pse numri i njerëzve të interesuar për të ditur përmbajtjen e saj është rritur ndjeshëm. Megjithatë, “Sunday Times”, ka arritur që me shumë vështirësi të zbulojë disa prej tyre. Secila prej tyre tregon të dokumentuar një moment të evolucionit njerëzor, një situatë apo ngjarje që ka kushtëzuar paraardhësit tanë dhe që ka influencuar në hapat drejt rrugës së mëtejshme.
Një kthesë teknologjike, si për shembull harku, me të cilin njeriu primitiv nisi të luftojë dhe ushqehet pasi e ndërtoi nga rrënjët e pemës dhe e bëri një armë vdekjeprurëse. Një rol të madh për komunikimin dhe kulturën në muze ka edhe pllaka Rosetta(guri Rosetta, një prej thesareve të “British Museum”, të cilin Egjipti ka kërkuar që t’ia kthejë), që lejon të kuptosh dhe të përkthesh më në fund hieroglifët. Për më tepër, ashtu siç tregon “Times”, të shpërndara sipas datave, janë mumiet e faraonëve (sigurisht ato të konservuara në muzeun anglez); kronometri i Beagles, anijes ku Charles Darwin bëri udhëtimin e tij historik eksplorues në Amerikën e Jugut.
Objekte të tjera të zgjedhura nga Macgregor mes koleksioneve të muzeut britanik janë renditur për rëndësinë e tyre artistike, se si ato kanë influencuar në brezat e mëvonshëm, përmes hapësirës së përkohshme, por edhe asaj gjeografike, duke kryqëzuar Azinë me Europën dhe këtë të fundit me botën e re. Por ajo që ka shtuar kureshtjen e të gjithëve për librin e “historisë së qytetërimit njerëzor” me 100 faqe, është pyetja se cili do të jetë objekti i fundit i listës? Propozimet që janë marrë deri më tani në konsideratë, sipas asaj që shkruan “Sunday times” janë: Iphone dhe Blackberry, turbinat me erë për energjinë eolike, mikroçipat e kompjuterit, telekamerat me qark të mbyllur, pilula kontraceptive, mitralozi Kallashnikov, apo një këngë e Bitëllsave. Por një udhëzim se cili mund të jetë objekti përfundimtar mund ta japë edhe ai me numër 99: karta e kreditit, veçanërisht ajo e një banke islamike që ruan thëniet e Kuranit ku dënohet përfitimi.
E kuptuar kjo si testamenti i një tendence që po ndryshon botën globale të bankave dhe tregtisë. “Do ta shtyjmë zgjedhjen e objektit të 100-të deri në momentin e fundit. Do të mundohemi që të jetë vërtet në përputhje me kërkesat tona. Shumë bashkëkohor, por njëkohësisht që të ketë lënë gjurmë edhe në historinë e njerëzimit. çfarëdo gjëje që të jetë, duhet të jetë një objekt që aktualisht ka pushuar mendjen e njeriut të sotëm”, thotë drejtori. Kështu, Muzeu Britanik në bashkëpunim me BBC dhe publikun po përpiqet ta gjejë sa më shpejt.