“Nga ju pres mandatin e 5-të!”
Berisha në Burrel dhe Klos, thirrje matjanëve dhe dibranëve
Në një atmosferë tepër entuziaste, Partia Demokratike mbylli fushatën elektorale në Burrel dhe Klos, në qarkun e Dibrës. Në fjalën e tij para mijëra mbështetësve në Burrel, kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje matjanëve dhe dibranëve të votojnë Partinë Demokratike, për të bërë realitet ëndrrat e tyre. Kreu i qeverisë deklaroi se, vota për Partinë Demokratike është votë për më shumë punësim, mirëqenie zhvillim, rroga dhe pensione të larta, kanalizime, ujësjellës dhe rrugë. Vota për PD, tha Berisha, është edhe vota për integrimin e Shqipërisë në BE. “Bashkohuni me ne për të ndërtuar ujësjellës, kanalizime dhe infrastrukturë moderne, për matjanët kudo që banojnë. Për të rritur rrogat e ulëta në 350 dollarë, pensionet e ulëta në 150 dollarë, rrogat e mësuesve në 700 dollarë, rrogën mesatare në 700 dollarë, për të dyfishuar pagesën e papunësisë, për të rritur në 50 përqind ndihmën ekonomike për të ecur drejt mirëqenies. Bashkohuni me ne për të shndërruar pasuritë e mëdha tuaja kromin, ujërat në vlera të vërteta për ju. Bashkohuni me ne, në udhëtimin tonë fisnik drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europiane. Ne u anëtarësuam në NATO, ne hoqëm vizat, ne merituam statusin. Gjatë muajve që vijnë ne do të marrim statusin do të hapim negociatat me Bashkimin Europian, ndaj dhe ju ftoj të ecim përpara së bashku”- u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i mazhorancës u zotua se mandatin e ardhshëm do të jetësohen projekte madhore si rruga e Arbrit, rrugën e Qafë Shtamës, rrugën Klos-Rrëshen, rrugën drejt Macukullit dhe çdo rrugë në gjithë këtë rreth. “Votoni Partinë Demokratike, për mirëqenien, për punësimin, për Matin e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar. Ftesën time për çdo matjan edhe matjane, të bashkohemi së bashku me 23 qershor për të bërë Matin një rreth të zhvilluar, për të zhvilluar Matin në lartësinë e ëndrrave të bukura të matjane”- tha kryeministri.
Në tubimin elektoral në Klos, kryeministri Berisha ftoi qytetarët të votojnë alternativën e PD për vende të reja pune, paga dhe pensione të larta. “Le të votojmë ne së bashku për një mirëqenie më të madhe për banorët e Klosit dhe të mbarë Shqipërisë. Ne jeni të vendosur në mandatin e ardhshëm të rrisim rrogat në 700 dollarë rrogën mesatare dhe rrogën e mësuesve, në 350 dollarë rrogën minimale, në 150 dollarë pensionin minimal dyfishimin e pagesës së papunësisë rritjen me 50 % të ndihmës ekonomike. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për punësimin e qytetarëve të Klosit dhe të mbarë Shqipërisë, të rrisim bizneset duke ulur taksat, të shtojmë subvencionet për fermat, të trefishojmë grantet, të ndërtojmë infrastrukturë moderne në të katër anët e Klosit matit dhe të gjithë Shqipërisë”- u shpreh Berisha. Ai theksoi se do të hapet shumë shpejt furnalta e kromit në Klos dhe do të rritet kapaciteti i saj shkrirës. “Fabrika e pasurimit është një ndër më të mëdhatë dhe ajo do të punësojë një numër të mirë punëtorësh. Në rrethin e Matit dhe të Bulqizës janë për tu ndërtuar me dhjetëra HEC të cilat edhe këto punësojnë me mijëra punëtorë , teknikë dhe inxhinierë. Pra ne përpiqemi të krijojmë fronte ne në të gjitha drejtimet dhe ne jemi të sigurt se në 4 vitet që vijnë punësimi do të jetë shumë më i madh”- theksoi ai. Integrimi në BE dhe modernizimi i infrastrukturës, ishin premtimet e kryeministrit Berisha në dy tubimet elektorale në Mat. “Vota juaj për Partinë Demokratike është votë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe kjo është e ardhmja më e mirë për çdo qytetar shqiptar. Gjatë muajve që vijnë pas fitores ne do të marrim statusin e kandidatit dhe më pas do të hapim negociatat me BE. Pra e gjithë përpjekja jonë së bashku me ju është që Klosi të jetë një qytet dhe një zonë e zhvilluar, që Mati të jetë një rreth i zhvilluar, që Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar.
Unë ju ftoj ju të bashkohemi me ne në fitoren e 23 qershorit se është votë për veten tuaj , është votë për një infrastrukturë moderne në Klos. Ne po ndërtojmë në të 4 anët e kësaj zone. Ju garantoj se rruga e Arbrit bashkë me boshtin e Jugut janë dy projekte që në mënyrë absolute do të përfundojnë gjatë 4 viteve që vijnë. Por ndërkohë po ecim edhe drejt Qafë Shtamës dhe drejt Rrëshenit, faktikisht po bëhet një nyje jashtëzakonisht e rëndësishme transporti”.
Gjithashtu, Berisha iu drejtua matjanëve, se prej tyre varet mandati i 5-të i Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës. “E gjithë Shqipëria pret nga ju gratë, burrat e Klosit, Matit e këtij qarku 5 mandate në parlament. Ju jap fjalën se me Bedri Hoxhën, Dhurata Çupin, Ekrem Spahinë, Shfrefedin Shehun, Roland Ketën, do të bëjmë realitet çdo projekt për ju”- u shpreh ndër të tjera kryeministri Berisha.