E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga liga e katërt, në Euro 2012

Kush është Jack Butland? Portier i cili nuk ka bërë ende asnjë paraqitje me ekipin senior në klubin e tij. Nuk ka përvojë në Premierligë, Championship, e madje as në League One. Ka bërë më tepër paraqitje në ndeshje ndërkombëtare sesa në nivelin e ekipeve. Por, 19-vjeçari takimin e ardhshëm mund ta zhvillojë në portën e Anglisë në Euro 2012.

Ai ende nuk ka bërë asnjë paraqitje si senior për klubin e tij. Ai nuk ka përvojë në Premierligë, Championship, e madje as në League One. Hera e fundit kur luajti në një ndeshje zyrtare ishte më 14 prill, në praninë e 3217 tifozëve kundër Accrington Stanleyt. Çuditërisht, ai ka luajtur më tepër duele ndërkombëtare se ndeshje në nivelin e klubeve prej kur u bë profesionist, më pak se dy vjet më parë.

Por, portieri 19 vjeç, Jack Butland mund të bëjë paraqitjen e tij të ardhshme në praninë e 52,518 tifozëve në stadiumin Donbass Arena, në Donetsk, kundër Francës në Euro 2012. Kjo do të mjaftojë që gjunjët e tij të dridhen nga emocionet, pa dashur të hyjmë në detaje mungesën e përvojës së tij dhe moshën e re. Megjithatë, sipas atij që e njeh më së miri – babai i tij Matt – Anglia nuk duhet të ketë frikë nëse selektori Roy Hodgson ka nevojë për Butlandin gjatë garës së sivjetme në Poloni dhe Ukrainë.

Portieri i Birminghamit, aktualisht i huazuar në Cheltenham Town, skuadër nga liga e katërt angleze (League Two), është ftuar në ekip, pasi numri 1 i Norwich Cityt, John Ruddy pësoi një lëndim në stërvitje dhe nuk do të jetë në gjendje të paraqitet në Evropian.

“Nëse afrohet nevoja dhe Jack ftohet për Evropian, kjo nuk do ta shqetësojë atë aspak. Ai ka luajtur më parë në praninë e një numri të madh të shikuesve dhe duket se pikërisht në ato takime bën paraqitjet më të mira. Ai përfaqësoi Anglinë në Kampionatin botëror U-20 në Kolumbi, vitin e kaluar, dhe luajti në praninë e 40 mijë shikuesve kundër Argjentinës. Jack e tejkaloi pa problem dhe mbajti portën e pamposhtur. Në fakt, ai pranoi vetëm një gol në katër ndeshje në Kolumbi”, deklaroi Matt për tabloidin anglez, The Sun.

“Andaj, nëse ftohet të bëjë debutimin e tij për Anglinë, gjatë verës në Euro 2012, jam i sigurt se do të paraqitet mirë. Ai është një prej atyre djelmoshave që adhurojnë të luajnë futboll. Në fakt, si fëmijë ai kishte dëshirë të luante në ragbi dhe edhe pasi nënshkroi me Birminghamin në moshën 14 vjeç, mendonte se mund të kombinonte paraqitjet”, shtoi ai. Butland u bë portier në moshën 11 vjeç, sepse mësoi se portieri i parë i skuadrës lokale të qytetit nuk ishte në nivelin e duhur.

Ai përkujtoi: “Luaja përpara, në fakt gjatë një kohe isha sulmues. Por, një ditë u hidhërova me portierin dhe thashë se do të hyj unë, dhe prej atëherë kam mbetur aty”. Butland mund të bëhet futbollisti me më së paku përvojë në Kombëtaren e Anglisë, me vetëm 24 paraqitje për Cheltenhamin.

Jack telefonoi babain e tij në gjysmë të natës nga pushimi në Meksikë për ta njoftuar me lajmin. Matt pranoi: “Ju gjithmonë frikësoheni nga më e keqja kur cingëron telefoni në atë kohë. Por, doli të jetë lajmi më i mirë që kam marrë ndonjëherë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›