Nga lindi tradhtia, nga burri apo gruaja?
Për të sqaruar këtë pyetje, Marivaux shkruajti skenarin e shfaqjes teatrore “Grindja”, që do të jepet të mërkurën më 1 qershor në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Një pyetje e kahershme, po aq sa Eva dhe Adami, që dramaturgu francez Marivaux u përpoq t’i japë një përgjigje skenike në vitet 1700. E ndoshta sot më 2011 këtë përgjigje do të mund ta na e japin aktorët e rinj të Akademisë së Arteve. Për të shtjelluar këtë, Marivaux dërgon protagonistët e tij në një laborator dashurie. Katër të rinj, të izoluar gjatë gjithë jetës nga bota dhe seksi i kundërt dhe secili prej tyre i rritur në izolim nga dy edukatorë, takohen për herë të parë në një botë të panjohur për ta. Princi dhe Hermiane e shohin këtë eksperiment nga një lozhë e teatrit, për të përcaktuar se kush është përgjegjës për tradhtinë në botë. Subjektet e eksperimentit zbulojnë jo vetëm seksin e kundërt, por edhe një botë të re. Por mbi të gjitha, ata zbulojnë vetveten. Dhe çdo gjë tjetër që ndodhet brenda tyre! Butësinë dhe romancën, egërsinë dhe naivitetin, çakërdisjen dhe ndjenjat e para erotike. Por edhe narcisizmin dhe vanitetin, koketërinë dhe mungesën e sinqeritetit, rivalitetin dhe egoizmin. Me këtë marifet Marivaux arriti të përziejë në një provëz të gjitha substancat e zemrës njerëzore. Eksperimenti teatral kthehet në një koktej plot tension mbushur me dashuri dhe joshje, me një përfundim të paqartë dhe një pyetje që nuk merr përgjigje: Nga lindi tradhtia, nga burri apo gruaja?. Shfaqja “Grindja” do vijojë të shfaqet në data 2-4 qershor në Akademinë e Arteve, më 6 qershor në teatrin “A. Moisiu” në Durrës, dhe më 8 qershor në teatrin “Skampa” në Elbasan. Në role interpretojnë aktorët e rinj të Akademisë së Arteve: Florian Agalliu, Irgen Çela, Genti Deçka, Marjan Deda, Vilma Hodo, Ermira Hysaj, Ina Limani, Xhuljeta Spahiu, Vivianë Ziu, Vasil Ziu. Kompozimi është nga Marjan Deda. Fotografia nga Ervin Kotorri. Asistent regjisor: Florand Veizi dhe regjisor është Stefan Neugebauer.