E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, Berisha: Emergjenca, ky ishte mobilizimi më i madh i shtetit – qeveritë vendorë kanë marrë fondin për zhbllokimin e rrugëve rurale

18-02-2012 / Gazeta 55

“Strukturat paralele të opozitës, PS është çakorduar, s’kërkuan interpelancë se e dinimin që do dështonin”


Kryeministri Sali Berisha ka inspektuar sot nga afër situatën emergjente në qarkun e Korçës, pas reshjeve të dendura të dëborës që prekën juglindjen krahas veriut dhe verilindjes. Në një takim me shtabin e emergjencave Berisha ka falenderuar të gjithë strukturat vendore për menaxhimin me sukses të situatës së rënduar nga prania e reshjeve të mëdha të dëborës. Kreu i qeverisë është shprehur se “pavarësisht përparimit të situatës duhet të vazhdojmë të jemi në gatishmëri të plotë, ndërsa u ka bërë thirrje të kryetarëve të komunave në vend për shfrytëzim sa më të shpejtë dhe eficent të fondeve të akorduara për hapjen e rrugëve të fshatrave”. “Përgëzoj punën që autoritetet e qarkut kanë bërë gjatë gjithë dimrit për përballimin me sukses dhe me pasoja sa më minimale të një situate pak të rënduar. Qarku i Korcës paraqitet model i përgjegjësisë për të përballuar me sukses këtë situate. Një falenderim për të gjithë qytetarët, qeverinë vendore, punonjësit e administratës, forcat e armatosura, kompanitë private të mirëmbajtjes së rrugëve të këtij qarkut për punën e bërë në këtë të ftohtë polar. Ky dimër ishte i vecantë në historikun e dimrave që nuk është regjistruar që nga ‘85-a, ka qenë jashtëzakonisht agresiv. Në Korçë dhe mbarë Shqipërinë një mobilizim total i gjitha strukturave para së gjithash për të shpëtuar jetët e njerëzve. Ky objektiv madhor gjer sot është realizuar me sukses dhe përgjegjësi të plotë. Më shumë se gjysma e territorit është e mbuluar me dëborë, ekipet e FA dhe Shëndetësisë kanë bërë të mundur evaukimin e dhjetëra qytetarëve në nevojë, shpërndarjen e ushqimeve dhe medikamenteve. Në Korçë është punuar në mënyrë të shkëlqyer me catitë , në rrethe të tjera pati një ngadalësi, por po ecet dhe atje sepse është një rrezik i madh për sigurinë e njerëzve. U hapën të gjitha rrugët edhe ato të zonave më të thella dhe u realizua qarkullimi i rrugëve kombëtare më mirë se në cdo qark tjetër. Nuk them se ditët që vinë nuk do ketë prapë reshje dhe probleme ndaj duhet të jemi në gadishmëri. Qëllimi i parë është të shpëtojmë jetët njerëzore, së dyti të bëjmë gjithshka të mbrojmë pasuritë e tjera si dhe hapjen e rrugëve. Kam një thirrje për gjithë komunat e vendit, të shfrytëzojnë fondin dhe të hapin rrugët në fshatrat e tyre, me cdo kusht. Në borë ka një gjë, nuk ka situatë tjetër që solidariteti të paraqesë më domosdoshmëri. Nëse angazhohemi të gjithë në terësi nuk mund të ketë fshatra të izoluara për një kohë të gjatë me përjashtim të zonave të vecanta në të cilat jemi të gatshëm të ndërhyjmë me mjete të tjera. Fondi i dhënë është i mjaftueshëm, por përdorimi sa më shpejt dhe eficensë duke angazhuar dhe komunitetin e bën më të përballueshme situatën. Qeveria ndjek në mënyrë konstante gjithë situatën dhe ju siguroj ju që do tu mbështesë në gjithë përpjekjet tuaja”- u shpreh Berisha. Lidhur me shtabin paralel me atë shtetëror, të Partisë Socialiste, Kryeministri theksoi se, “e gjitha si parti është e çakorduar”. “Ata mund të kishin kërkuar interpelancë, por nuk e kërkuan sepse e dinin që do përballeshin me një listë të gjerë e shumë të gjatë masash për përballimin e situatës, por donin të bënin konferenca të gjata. Opozita serioze mund t’i kërkonte Kryeministrit interpelancë, por kjo nuk u interesonte se do listoheshin gjithë përpjekjet për përballimin e situatës. Opozita është e çakorduar, as programi i vetë nuk i funksionon, le të vijë në sallë të kërkojnë llogari të ushtrojë kontroll”- tha Berisha. Sipas tij, deklaratat e opozitës se nuk po punohet për zhbllokimin e vendit, i përgënjeshtron më mirë se kushdo sot situata në gjithë Shqipërinë, por Berisha theksoi se opozita u kujtua se kishte rënë borë në Shqipëri vetëm 1 javë pasi Kryeministri kishte mbledhur Shtabin e Emergjencës. Më tej, Kryeministri ka theksuar se edhe në qarqet e tjera me problematikën e borës ka pasur përparim të ndjeshëm të situatës, kryesisht në hapjen e akseve kryesore të rrugëve duke mos lënë jashtë vëmendjes dhe ato dytësore. Sipas tij, situata në terësi është e dominuar dhe në monitorim të plotë nga shteti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›