Shqipëria përshëndet miratimin e Rezolutës për Sirinë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
Qeveria e Republikës së Shqipërisë përshëndet Rezolutën për Sirinë të votuar në 16 shkurt 2012, në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Republika e Shqipërisë u rendit në listën e vendeve bashkëspornorizuese të kësaj rezolute. Me anën e kësaj rezolute, komuniteti ndërkombëtar dënon me forcë dhunën tashmë të përhapur në tërë territorin e Sirisë, si dhe shtimin e numrit të viktimave të shkaktuara nga regjimi i Bashar Al Asadit mbi popullsinë e pafajshme të vendit të tij. Kjo rezolutë kërkon pushimin e mënjershëm të dhunës shtetërore mbi civilët, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe mbrojtjen e popullsisë.
Votimi i kësaj rezolute, e cila bazohet mbi planin e propozuar nga vendet anëtare të Ligës Arabe, synon krijimin e një konsensusi ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës në Siri. Kjo rezolutë, e cila mori mbështetjen maksimale në votim, kërkon të sigurojë një transformim demokratik të shoqërisë e të sistemit shtetëror në Siri, nëpërmjet një procesi politik, në një mjedis të çliruar nga dhuna dhe ekstremizmi.